Ish deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se Partia Demokratike ka nevojë për ndryshim thelbësor, njerëz të rinj dhe veçanërisht zgjedhje të ndershme. Në një postim në rrjete sociale, përmes të cilit nuk kursen sulmin ndaj Ervin Salianjit për Foltoren që do të nisë sot nga Durrësi, ai shprehet se Sali Berisha e meriton një tip të tillë, pasi e bëri hero, e tani i kthehet kundër. 

"Nuk kam asgjë kundër me lëvizjen në vetvete. PD ka nevojë për mendim të ri, njerëz të rinj, për ndryshim thelbësor dhe veçanërisht zgjedhje të ndershme e të pamanipuluara. Vetëm kështu mund të hapë kapitull të ri dhe të ribëhet shpresë për vendin. Por kur shoh se kush po bëhet simbol i ndryshimit më vjen të qesh. Mjeshtri i piruetave, i mashtrimit dhe i shkopit të bejzbollit. Doktori e meriton këtë tip. Ra nga shiu në breshër. E mori dhe e bëri hero, për pak Kryetar të Grupit Parlamentar.

Për shkak të kushteve që ky individ i vuri, larguan mbështetesit e Foltores dhe ngritën këtë në piedestal. I kthehem prapë çështjes së ndryshimit. PD ka nevojë për qilizëm dhe jo për foltorje të reja kur e para ngeli rrugëve, jo për protesta simbolike apo lëvizje "për ndryshim" motivuar nga interesa personale e meskine. Gjithçka po ndodh nuk është veçse sezon i ri, avaz i vjetër. Veçanërisht kur sheh se cilët po udhëheqin "përpjekjet" për ndryshim.", ka shkruar ai. 

Berisha, ndonëse më herët ishte treguar i rezervuar, sot në konferencën për mediat ishte më i drejtpërdrejtë në sulmin ndaj Salianjit, teksa tha se po vepron për interesa personale të tijat. Madje, sipas tij, takimet që do të nisë ish-deputeti mund t'i shërbejnë edhe interesave të të tjerëve, por pritet të shihet.