Fondacioni 'Down Syndrome Albania': Ndjesa nuk mjafton, Murrizi të japë dorëheqjen, peticion online

Fondacioni 'Down Syndrome Albania': Ndjesa nuk mjafton, Murrizi të japë dorëheqjen, peticion online

TIRANE-Fondacioni ”Down Syndrome Albania” ka reaguar pas ndjesës që kërkoi deputeti Myslim Murrizi për fjalorin diskriminues kundër kësaj kategorie të shoqërisë duke kërkuar dorëheqjen. Gjatë debatit në rrjetet sociale me një qytetar, Murrizi e cilësoi si 'Down' duke sjellë reagimin e fondacionit që protestoi para Kuvendit.

Murrizi dje vendosi që të thyente heshtjen duke kërkuar falje, ndërsa sulmoi edhe Avokaten e Popullit. Por sot, Fondacioni ”Down Syndrome Albania” edhe pse e cilësoi si standard të vendosur nga deputeti nuk u mjaftua me ndjesën duke kërkuar dorëheqjen. Po ashtu Fondacioni “Down Syndrome Albania” ka nisur një peticion online për largimin e Murrizit nga pozicioni “Nënkryetar i Parlamentit”.

Deklarata e plote e Fondacionit ”Down Syndrome Albania”
Reagim ndaj deklaratës për media të Z. Myslim Murrizi me dt. 3.09.2019.

Si fillim dëshirojmë të falenderojmë pjesëmarrësit që ju bashkuan protestës tonë e të shprehim mirënjohje të thellë për median që po pasqyron hap pas hapi aktivizmin dhe reagimin tonë për çështjen.

Fondacioni ”Down Syndrome Albania“ është njohur me deklaratën e mbajtur për mediat nga Z. Myslim Murrizi, deputet dhe Nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, ku kërkoi publikisht ndjesë për denigrimin dhe cënimin e dinjitetit të personave me sindromën Down.

Ne e vlerësojmë këtë veprim të Z. Murrizi duke shpresuar se me këtë veprim ai vendosi (në dijeninë tonë për herë të parë) një standart të ri komunikimi. Pra shpresojme që në të adhmen, kur një figurë publike me dashje (kur veprimet bëhen dhe fjalët thuhen me koshiencë dhe duke pasur informacion të plotë për një temë të caktuar) apo pa dashje (në rast të një injorance që vjen si rrjedhojë e ndërgjegjësimit të ulët dhe padijes për një temë të caktuar) përdor për qëllim fyerje diagnozën e një personi me aftësi të kufizuara, më e pakta që do të bëjë, dhe pa pritur protesat, është që të kërkojë falje publikisht. Ky të paktën, duhet të jetë veprimi më minimal (Veprimi maksimali është dorëheqja. Veprimi ideal është të mos shajnë e denigrojnë askënd përfshirë personat me aftësi të kufizuara) i një vendi politikanët e të cilit thonë se duan t’i sigurojnë Shqipërisë një vend në Europë.

Ne nuk mund të dimë nëse pendesa e tij është e ndjerë apo deklarata e tij vjen si rrjedhojë e shumë arsyeve të tjera, kryesisht politike. Dyshimi për këtë të fundit, na vjen pikërisht nga fakti që dhe në këtë deklaratë ai përfshiu çështje politike.

I gjithë opinioni publik ka dëgjuar shpesh-herë përdorimin e diagnozave apo gjendjeve të personave me aftësi të kufizuara nga ana e politikanëve, për të ofenduar, fyer apo për të cilësuar paaftësitë e kundërshtarëve të tyre. Nuk ka nevojë t’i përmendim dhe këtu cilët janë ata, pasi dihet se kush janë përdoruesit e “Skizofren”, “I Sëmurë Psiqik”, “Autik”, “Thuthuq”, “Xhuxh”, etj, pra gjendjet e dikujt në cilësinë e fyerjes. Një kërkim i thjeshtë në internet mjafton për rikujtesë të gjithëkujt e ndoshta dhe një seancë e ardhshme parlamentare apo debati mediatik.

Asnjëri prej tyre ende nuk ka kërkuar falje publike, madje shumë prej tyre kanë vazhduar me këtë gjuhë pa pushim, duke na dëshmuar kështu për injorancën, ligësinë, mungesën e empatisë dhe të edukatës së tyre e mbi të gjitha mungesën tejet të theksuar të njohjes dhe respektit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara e për të drejtat e njeriut. Mes këtyre personave janë dhe figura më të larta dhe më të vjetra të politikës se Z. Murrizi. Ato s’kanë kërkuar ende falje apo nuk janë dorëhequr ose sepse ndihen “të plotëfuqishëm” ose sepse “reagimi nuk ka qenë më parë deri në një protestë si e jona”. 
Si një organizatë e shoqërisë civile, ne duam të besojmë se këtë herë diferencën e bëri pikërisht kjo protestë e drejtë dhe mbulimi që i bëri media deri dhe me mbulim live paralel si të seancës parlamentare ashtu dhe të protestës tonë. Ne dhe më parë kemi reaguar publikisht dhe zyrtarisht për Z. Alket Hyseni, por nuk e çuam çështjen deri në protestë, sepse fatkeqësisht krahët na i preu “Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi”, i cili nuk e mori për bazë ankesën tonë, pasi sipas tij ishte e mjaftueshme që Z. Hyseni ndërroi sharjen e tij nga “plak autik” në “plak i çartë”. Fatkeqësisht dhe vetëdija e shumë institucioneve, ku mes tyre dhe e “Komisionerit” është ende shumë e ulët për të kuptuar se të paralelizosh një individ në spektrin e Autizmit me një të çartë, është dhe më beterr.

Po ashtu në Shqipëri, pothuajse çdo aftësi e kufizuar ka një organizatë (disa dhe më shumë se një), dhe DSA respekton vendimin dhe ftesën e tyre për çdo lloj reagimi. Pavaresisht se si veprojnë ato, ne nuk qëndrojmë në heshtje dhe kur cënohen të drejtat apo dinjiteti i personave me aftësi të tjera të kufizuara.

Ne nuk e dimë nëse Z. Murrizi pret tani që ne ta falim dhe ne si organizatë nuk mund të përfaqësojmë ndjesinë e çdo individi me SD dhe të familjarëve të tyre pas kësaj deklarate. Disa ndoshta e kanë falur, disa jo. Në këtë moment ne vetëm mund t’i japim një vlerësim pozitiv Z. Murrizi, krahasuar me kolegët e tij që janë sjellë jo më pak keq se ai por as nuk kanë reflektuar dhe as nuk kanë kërkuar falje publike deri më sot, veprim ky me minimal i mundshëm.

Po, Z. Murrizi ka të drejtë, kur thotë, kur thotë që ata janë dëgjuar dhe më shumë se ai, direkt e nga foltorja e parlamentin e jo vetem nga faqet e facebook. 
Kërkesa jonë finale është dhe mbetet “dorëheqja ose shkarkimi i Z. Murrizi”. E para është në dorën e tij, në moralin e tij. E dyta besojmë është në dorën e Kuvendit të Shqiperisë si dhe në dorën e:

- Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili vepron mbi ligjin për të njëjtin qëllim.
- Avokatit të Popullit
- Presionit të faktorit ndërkombëtar në vend

Dorëheqja do të na servirte modelin e një politikani me moral dhe etikë të lartë dhe vërtetë të penduar. Masat e marra si dhe largimi i tij, do të na dëshmonin se shpresat për institucione shtetërore si dhe për institucione të pavarura, qëllimi i vetëm i të cilëve është puna e mirë, drejtesia dhe dinjiteti për çdo shqiptar, nuk janë shuar. Po ashtu roli që mund të luajë çdo faktor ndërkombëtar në këtë histori, është që të na dëshmojnë që janë këtu dhe në mbrojtje të grupeve më vulnerabël të këtij vendi dhe të konventave që dhe na kanë mësuar si t’i lexojmë, kuptojmë e t’i ratifikojmë !!!

Si në rastin e Z. Hyseni, dhe për rastin e Z. Murrizi, Fondacioni ynë ka proceduar me shkresa zyrtare tashmë duke renditur kërkesën për marrje masash ndaj rastit, deri në largim të tij. Ne jemi ende në pritje të përgjigjes së tyre.

Po ashtu Fondacioni “Down Syndrome Albania” ka nisur një peticion online:

(https://secure.avaaz.org/…/Kuvendi_i_Republikes_se_Shqipe…/… )

për largimin e Z. Murrizi nga pozicioni “Nënkryetar i Parlamentit”, peticioni i cili do të vazhdojë të jetë i hapur. Numri i nëshkruesëve të këtij peticioni do t’i bashkangjitet kërkesave tona zyrtare drejtuar “Parlamentit të Republikës së Shqipërisë” dhe çdo institucioni tjetër me kompetencë për këtë rast.
Pra dhe njëherë, duam të theksojmë me shumë sinqeritet, që Fondacioni “Down Syndrome Albania” e vlerëson që Z. Murrizi kërkoi falje publike. Por ne nuk jemi të bindur që ai ka reflektuar siç duhet dhe në një kamp gjithëpërfshirës së gjuhës së tij.

Z. Murrizi ka një nivel komunikimi të papranueshëm për një politikan dhe një zyrtar që mban titullin “Nënkryetar i Parlamentit” dhe me ç’duket sado që ai të përpiqet, e ka të vështirë të ndryshojë personalitetin e tij, a të jetë në nivelin që duhet të jetë një politikan e një Nënkryetar Parlamenti”. Por ai nuk është i vetmi. 
Në një vend tjetër, një politikan me sjelljen dhe gjuhën si e Z. Murrizi, dhe e shumë të tjerëve, do të ishte dorëhequr. Në një vend tjetër ku institucionet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë vërtetë të pavarura, apo një strukturë si ajo e një parlamentit është serioze dhe në shërbim të çdo qytetari, do të kishin ndërmarrë masat maksimale ndaj çdo zyrtari, me një gjuhë dhe sjellje si kjo e disa politikanëve dhe zyrtarëve tanë.

Për misionin e punës tonë ne përpiqemi të japim maksimumin e të jemi shembull, përmes punës të palodhshme, shtrirjes së dorës për bashkëpunime e ndihmë, ruajtjes së etikës së lartë e mbi të gjitha përmes transparencës.
Në përgjigje të problematikave që Z. Murrizi përmend në deklaratën e tij ku shprehet që komuniteti dhe organizata e personave me sindromën Down ka “1001 arsye të tjera për të protestuar”. Po, ai ka të drejtë!!

Ne dëshirojmë të sjellim në vëmendje të tij dhe të gjithëkujt që prej gjashtë vitesh DSA është një zë i rëndësishëm në përfaqësimin e nevojave dhe të drejtavë të këtij komuniteti. Këtë gjë e ka realizuar përmes marshimevë të ndryshme paqësore, takimeve me institucionet publike, kërkesave zyrtare për rritjen e buxheteve, pjesëmarrjes në komisionet parlamentare, me dëgjesa të posaçme (për këto Z. Murrizi mund të kërkojë informacion pranë institucionit ku punon ose nga çdo koleg tjetër në parlament që ka qenë apo është në komisionin “Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik”, “Për Ekonominë dhe Financat”, “Për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë” dhe “Për çështjet ligjore, administrata publike dhe të drejtat e njeriut”. Po ashtu ne jemi lobues të rëndësishëm mbi ndryshimet e ligjeve apo praktikave që janë në dëm të këtij komuniteti. Aktualisht ne jemi duke bëre përpjekjet maksimale që personave me sindromën Down t’ju njihet me ligj pagesa e kujdestarisë (Zj. Vasilika Hysi dhe Z. Erjon Braçe mund t’ju japin më shumë informacion se sa shumë po mundohemi ne dhe prej sa kohësh). Po ashtu kemi mbajtur zyrtarisht qëndrimin tonë që mos të preket pagesa e aftësisë së kufizuar (prej rreth 10.400 lekë) për shkak të reformës për KMCAP, sepse sipas kësaj reforme dhe sipas vendimit Nr. 431, datë 8.6.2016 Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit, procedurave dhe të masës për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar e të ndihmësit personal dhe të strukturave përgjegjëse e të detyrave të tyre në zonat pilot” thuhet që “……... 2. Pagesa bazë për shkak të aftësisë së kufizuar është 150% e shumës së pensionit social, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar indeksohet sa herë indeksohet pensioni social. 
a) personat mbi 18 vjeç me kufizime të lehta referohen për të përfituar shërbime/punësim ose, në mungesë të tyre, përfitojnë 60% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2; b) personat mbi 18 vjeç me kufizime mesatare përfitojnë 80% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2; c) personat mbi 18 vjeç me kufizime të rënda përfitojnë 100% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2; ç) personat mbi 18 vjeç me kufizime të thella përfitojnë 120% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2………………….”
Sipas kritereve të përcaktuara në klasifikimin ndërkombëtar të funksionimit (ICF) sindroma Down parashikohet të klasifikohet nën kategorinë me kufizime të lehta ose me kufizime mesatare, duke sjellë kështu një rrezik real që të kemi ulje të pagesës që ky target grup merrte deri më tani.

Fondacioni Down Syndrome Albania ka qenë disa herë iniciator apo pjesë e koalicioneve të ndryshme të bëra me qëllim mbrotjen e komunitetit të përsonave me aftësi të kufizuar në Shqipëri dhe sigurisht do të punojë gjithnjë vëtëm në këtë drejtim e me këto bindje.

Duam të theksojmë për Z. Murrizi e për këdo tjetër qe ne (Fondacioni) nuk jemi me bindje as te majta, as të djathta as bindje e vjetër dhe as e re. Ne jemi “Bindja për të drejta dhe shance të barabarta për personat me aftësi të kufizuara që garanton një jetë gjithëpërfshirëse në komunitet”. Mik i yni është gjithëkush që jep kontribut. Armik i yni është dhe bëhet gjithëkush që i pengon dhe i injoron këto nevoja dhe të drejta, apo që shton telashet e ditës dhe me një sharje e ofendim!!
Misioni i Fondacionit tonë është “Të mbështesë zhvillimin e plotë të individëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Të promovojë dhe të mbrojmë të drejtat e tyre përmes vlerës së të drejtave të njeriut dhe bazuar ne parimet e mos diskriminimit, dinjitetit të individit, pranimit dhe gjithëpërfshirjes duke rritur ndërgjegjësimin, advokuar dhe punuar me etikë dhe profesionalizëm të lartë në mënyre transparente”

Nisur (në vitin 2013) si një Fondacion me fokus shërbimet ndaj personave me SD dhe familjarëve të tyre, që prej muajit Maj 2019, ne kemi zgjeruar shërbimet tona për fëmijë dhe të rinj dhe me aftësi të tjera të kufizuara në “Qendrën e Shërbimeve Pro-Pak”. Aktualisht ne ofrojmë shërbime për 75 persona me aftësi të kufizuara. Të ardhurat për veprimtarinë tonë ne i sigurojmë si më poshtë:

- Nga donacione të biznesit dhe individëve në Shqipëri dhe donatorë të huaj
- Nga aktivitete dhe shitje produktesh për ngritje fondesh
- Nga projekte me donatorë që operojnë në Shqipëri ose jashtë
- Nga tarifat e shërbimeve të atyre prindërve që kanë mundësi të paguajnë

Pasqyrat financiare të organizatës tonë mund t’i gjeni në këtë link: https://www.dsalbania.org/…/s…/293-pasqyra-financiare-te-dsa

Për cdo pyetje apo informacion ju lutem vizitoni faqet tonë www.dsalbania.org ose telefononi në nr. 0688042222.

Faleminderit!
Fondacioni Down Syndrome Albania

P.S.: Të dashur gazetarë, vlerësojmë punën tuaj dhe rëndësinë që ka kjo punë për komunitetin ndaj ju lutemi kur shkruani për personat me SD kini parasysh sa më poshtë:

1. Sindroma Down nuk është sëmundje dhe personat me SD nuk vuajnë.
2. Sindroma Down është një kusht, gjendje gjenetike.
3. Themi “personat me sindromën Down” dhe jo “Personat Down”
4. Te kesh sindromën Down nuk do të thotë të jesh i pashëndetshëm

Për më shumë rreth terminologjisë së saktë për SD lutem klikoni në:https://www.dsalbania.org/ind…/sindroma-down-2/fjalorth-i-ds

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miri: 05/09/2019 01:56

    MURRIZI DUHET TE JAPE DORHEQJE SI NEN KRYETARE DHE SI DEPUTET PARLAMENTI ESHTE MBUSHUR ME PLEHRA DUHEN ZGJEDHJE TE PARAKOHSHME PER PASTRIMIN E PARLAMENTIT

    Përgjigju
  • Pse: 04/09/2019 22:33

    Pse Murrizi ua ka fajin ketyre cyrykeve. Ata si deshi fati i vete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja