MONTE CARLO - Talenti italian Andrea Kimi Antonelli vazhdon momentin e tij të shkëlqyer në Formula 1, duke siguruar 'pole position' në provat zyrtare të zhvilluara këtë të shtunë në rrugët e Monacos. Piloti i Mercedes regjistroi kohën 1’12”051.

Në pozicionin e dytë u rendit katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, i cili zhvilloi gjithashtu një sesion të fortë kualifikues. Nga vija e dytë e nisjes do të nisen dy makinat Ferrari, me Lewis Hamilton në vendin e tretë dhe Charles Leclerc në të katërtin.

Leclerc, që garon në shtëpinë e tij, për një moment u duk se do të siguronte vendin e parë, por në sekondat e fundit humbi terren dhe përfundoi jashtë treshes së parë. Pas tij u pozicionua piloti i Red Bull, Isack Hadjar.

Vetëm i gjashti u rendit shoku i skuadrës së Antonellit te Mercedes, George Russell. Ndërkohë, zhgënjim për dy makinat e McLaren, me Oscar Piastri dhe Lando Norris që u renditën respektivisht në vendet e shtatë dhe të tetë. Top-10 u kompletua nga Pierre Gasly dhe Liam Lawson.

Në pistën qytetase të Monacos, ku mundësitë për parakalime janë të kufizuara, rezultati i provave zyrtare ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e garës. Për Antonellin, “pole position” përfaqëson një mundësi të artë për të synuar fitoren e pestë radhazi dhe për të thelluar avantazhin në renditjen e kampionatit.