Por panairi i librit, është eventi që jo rrallë sjell pranë stendave dhe botuesve edhe figurat më të rëndësishme të jetës publike në vend pa përjashtuar këtu edhe përfaqësuesit më të lartë të ekzekutivit e legjislativit.Në vite panairi është vizituar nga president i republikës, kryeministri i vendit, ministrat e shumtë, kryetari i kuvendit, duke zgjuar edhe vëmendjen mediatike, që jo rrallëherë i ngjante një shou të mirëpërgatitur.
Në ditët e këtij panairi, edhe për faktin se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte zaptuar nga demostruesit, që ndoshta edhe mund të ishin miq të librit, u duk se do të mungonin në stenda pikërisht politikanët. Në mesditën e së dielës, një numër i madh kamerash u përqëndruan në hyrje të hollit dhe mes pëshpërimash, si një ethe që të kap fort, u përhap alarmi se pritej ardhja e një politkani tepër të rëndësishëm. Të mësuar nga eksperienca e viteve të kalura, ku zakonisht ardhjes së kryeministrit i paraprinte një eskortë e fuqishme forcash sigurie, së bashku me një qen special (të frikshëm), u krijua një farë “sigurie” që nuk bëhej fjalë për z. Edi Rama.
Dhe shumë shpejt u mor vesh që vizitori do të ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kreu i opozitës z. Lulzim Basha. Kameramanët, gazetarët të gjithë të rëndësishëm, u përpoqën të ishin tepër të vëmendshëm duke siguruar çdo detaj të vizitës apo të prononcimit të tij, që fati e desh, të ishte jashtë ngjyrimeve opozitare, për një ngjarje të madhe kulturore siç është panairi i librit. Ditën e hënë të gjitha gazetat apo edhe edicionet televizive ishin mbushur pikërisht me këtë lajm.
Por medias vigjilente i kish shpëtuar kësaj rradhe një tjetër vizitë, ajo e një vizitori që ajo do të kishte dashur shumë ta kishte në fokus e saj, e sa për lajmin pastaj ajo vendoste vetë si mund ta pasqyronte. Po kush ishte ky vizitor?
Ora shënonte 18.30. Ishte një ndër ato orare ku vërshimi drej stendave është i furishëm dhe nga njëherë i vështirë për t’u përballuar. Teksa qëndroja pranë stendës së shtëpisë botuese ku punoj, mes larushisë së turmës, pashë të ecte i vetëm, me një hap të qetë, z. Edi Rama. Nëse nuk do të ishte për lartësinë e tij trupore (jo pak herë kisha dëgjuar gjatë ditëve të panairit shprehjen “nuk erdhi ai i gjati”?!), ndoshta nuk do kisha shquar.
E mësuar me pritjet zyrtare, daljet protokollare të organizatorëve të panairit, (futjen e krahut dhe shtrëngimin fort prej tyre), në mendje më kaloi një çast ideja, se ky ishte vërtet një kryeminstër “tjetërsoj”. Hodha sytë përreth asnjë kamerë, asnjë mikrofon, ata kishin pak, fare pak fare që ishin larguar, pasi kishin marrë dhe përshtypjet e fundit të panairit. Por ajo që ishte “çudia” më e madhe ishte fakti se njerëzit e ndiqnin me sy, të qeshur dhe askush nuk vraponte t’i merrte autograf apo të dilte në foto me të.
Për ta ai ishte një prej tyre vizitori i thjeshtë i panairit. Dhe si çdo vizitor, kaloi ngadalë pranë çdo stendë me kureshtinë e lexuesit, por edhe të një publicisti që ka lënë gjurmë të mrekullueshme me botimet e tij. Ndërsa afrohej duart i kish të zëna nga numër i madh librash, që i mbante vetë papërtuar. Pranë i ndodhej një prej bashkëpunëtorëve, deputeti i partisë socialiste fatmir toçi, por që padyshim në këtë vizitë më shumë përfaqësonte një botues të sukseshëm.
Kur mbërriti në stendën tonë z. Edi Rama akoma nuk e dinte se aty do të gjente një surprizë, mjeshtrin e madh, fotoreporterin e talentuar z. Petrit kumi, një prej njerëzve që ka dokumentuar mes fotove historinë e shqipërisë në më shumë se 50 vjet. Ishte një takim emocionues për të gjithë ne. Midis botimeve të reja, këtë vit kishim përfshirë edhe një album të mjeshtrit Kumi, të titulluar “Jeta përmes objektivit”…dhe aty pikërisht në fq 172, gjendej e një foto e Edi Ramës rebel, e vitit 1990 gjatë një shëtitje në parkun e liqenit artificial të Tiranës, me atin e tij Kristaq Rama. Bisedë brezash e kishte quajtur artisti. Nuk di çfarë mendoi kryeministri i shqiptarëve ato çaste, por unë e kuptova, ajo foto fliste mijëra fjalë.
Premtime të heshtura që kishin filluar dalëngadalë të bëheshin realitet, duke nisur nga modestia, duke nisur nga fakti që ai të ndiej si çdokush prej nesh. Meqë albumi ishte shfletuar prej shumë vizitorësh, tentova t’i ofrojë një të pahapur, por Edi Rama thjesht buzëqeshi dhe këmbënguli të mbante pikërisht atë album të shfletuar. Askush nuk “prishi” bashkëbisedim mes nesh. Mungonin kamerat, gazetarët, aq sa u detyruam të përdornim celularët për të fiskuar momentin.
Nuk pati as deklarime, edhe pse z. Edi Rama është mjeshtër i artit të retorikës. Vetëm një buzëqeshje, një përshëndetje e thjeshtë e një miku të librit, sepse ai erdhi në panair pikërisht si i tillë. U largua pa u kuptuar, ashtu si erdhi. Ndoshta tani opionionistët mund ta quajnë këtë vizitë si një shpërfillje mediatike, apo si një “fshehje”, pak rëndësi ka, por Edi Rama ishte në panairin e librit si qytetar. Kjo na jep shpresë, se Shqipëria ka pasur kryministra pronarë, zot, idhuj, por jo kryeministër qytetar. Edi Rama është në këtë udhë…
(Foto: Petrit Kumi, "Bisede brezash", Kristaq Rama dhe Edi Rama gjatë një shëtitje në Parkun e Liqenit Artificial, 1990)
(Ne foto: Mjeshtri i fotografisë Petrit Kume i paraqet kryeministrit Edi Rama albumin me foto, ne panairin e librit 2013)
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)