Biznesmeni dhe modeli shqiptar në SHBA, Elton Ilirjani ka publikuar një foto me këngëtaren Parashqevi Simakun, ku duken të ulur në një kafene. Foton me ikonën e muzikës shqiptare, ai e ka publikuar në Instagram. Në një tjetër “insta story”, ai ka ndarë pamjet e një dhome hoteli në Manhatan, ku pretendon se do qëndrojë përkohësisht Simaku.
Më herët, një tjetër shqiptare në SHBA publikoi një video nga takimi i saj me Simakun. Në fakt, përmbajtja e videos linte më shumë përshtypjen e një dëshire për protagonizëm të emigrantes që e kishte regjistruar, se sa të qëllimit për të ndihmuar legjendën e gjallë të muzikës shqiptare.
"Parashqevi Simaku është mirë! Sapo u takuam dhe po pimë kafen e parë! Ajo do të jetë shumë mirë tani dhe do të këndojë sërish për publikun shqiptar",-shkruan Elton Ilirjani.
Simaku u rikthye në qendër të vëmendjes pas një video të një televizioni amerikan, në të cilën një grua e pastrehë shfaqet duke marrë ndihma. Vetë familjarët e Simakut thanë ekskluzivisht për Report Tv se gruaja që shfaqej në video duke marrë ndihma ishte Simaku, të cilën prej vitesh e konsiderojnë të humbur pasi nuk kanë asnjë kontakt me të.
Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992, e nga vështirësitë e nisjes së një jete të re në një vend të huaj, dramë që i la pasoja të rënda edhe në gjendjen e saj emocionale, u bë divorci me bashkëshortin amerikan që njohu atje dhe ndarja nga i biri. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja.
Shumë shqiptarë janë ofruar për ta ndihmuar duke u solidarizuar për të rikthyer edhe një herë, mbase në vendin e saj ikonën Simaku, por ka dhe shumë nga ata që kërkojnë të bëjnë protagonistin me një video të bërë këngëtares, duke përfituar nga fisnikëria e dukshme e saj.