Mure të zhveshura, suva të rëna, orendi të shkrumbuara dhe gjithçka e mbuluar nga pluhuri i zi. Kjo është ajo që ka lënë pas zjarri i 14 prillit në pallatin 12 katësh.
Banori Jason Dionishi tregon apartamentin ku jetonte prej më shumë se 1 vit në katin e dytë të pallatit të djegur.
“Gruaja ishte këtu, ishte brenda. Unë kam qenë jashtë Tiranës. Edhe ka dalë në momentin e fundit. Sa doli mbyllte dritaren se pa tym, u çanë xhamat edhe ka dalë në momentin e fundit fare”, tha ai.
Ai tregon se ka mbetur në qiell të hapur, dhe se përkohësisht është strehuar tek të afërm.
Gazetarja: Ju ku jetoni tani?
Banori: Tek të afërmit, unë tani për momentin s'kam ku të jetoj.
Gazetarja: Qeveria ka deklaruar se do të japë bonus qiraje derisa të zgjidhet situata.
Banori: Atë shpresojmë. Tani ne kemi ngelur jashtë. E kupton? Unë s'kam shtëpi tjetër këtu.
Nga shteti, Jason Dionishi pret të marrë dëmshpërblim.
Banori: Dëmi është i pallogaritshëm.
Gazetarja: Çfarë prisni nga institucionet në një situatë të tillë?
Banori: Shpërblim.
Gazetarja: Përveç godinës, po tek orenditë në çfarë vlere mund t'ju jetë bërë dëm?
Banori: Deri 30.000 € janë të gjitha e reja.
Si ky rast, janë me dhjetëra apartamente të djegura.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit Adelajda Roka dhe përfaqësues të kompanisë Arlis, takuan banorët e dëmtuar, të cilët kërkojnë të dinë se kur do të përfundojë së rindërtuar pallati, por afat ende nuk ka.
“Firma e ndërtimit merr përsipër për t'i rikthyer të gjithë apartamentet dhe të gjithë godinat apo hyrjet e dëmtuara në gjendjen në të cilën ju i keni blerë”, tha Koçiu.
Edhe kompania rikonfirmoi angazhimin e marrë publikisht.
“Jemi gati menjëherë që të shkojmë pranë noterit dhe të marrim përgjegjësi ligjore për deklaratën që kompania mbajti”, tha administratorja e Arlis.
Por se kur do mund të përfundojnë punimet është ende herët të thuhet.
“Është duke punuar tashmë me qëllim që neve të kemi mundësinë që brenda një muaji t'ju ofrojmë lejen me qëllim fillimin e punimeve. Nuk mund të thuhet tani që ne do themi tre muaj do përfundojnë pasi për shkak të vetë ndërhyrjeve që duhen bërë. Jo më shumë se një javë nga sot ne mund të themi që punimet këtu kërkojnë një afat mesatar prej kaq”, tha Roka.
Për banorët që kanë mbetur të pastrehë, Koçiu tha se strehimin do e garantojë bashkia, bashkë me dëmshpërblimet për orenditë.
“Bashkia e Tiranës nga ana tjetër ka aktivizuar instrumentet e saj. Janë një bonus i qirasë apo një akomodim nëse do pranohet nga ju dhe ndërkohë edhe instrumentin e emergjencave civile që i jep përgjigje asaj pyetjes së orendive, ku do të bëhen vlerësimet e dëmeve për orenditë e brendshme dhe do të bëhen patjetër edhe dëmshpërblimet përkatëse”, tha Koçiu.
Koçiu thekson se duhet të pritet përgjigja e hetimeve, për të nisur zyrtarisht punën, pasi nuk po hetohet nëse ka fajtorë por edhe për materialet e ndërtimit.
“Është e rëndësishme të mbarojë presim i hetimit të na nxjerrë përgjegjësi penale nëse ka. Ndërkohë paralelisht edhe grupet ekspertëve teknikë që merren me punimet e ndërtimit, që merren me mbrojtjen nga zjarri, që merren me materialet e ndërtimit që do duhet të ndërtohen, të gjithë po bëjnë analizat e tyre përkatëse”, tha Koçiu.
Paraprakisht flitet për 30 apartamente të djegura tërësisht, por një bilanc mbi dëmet totale ende nuk është përfunduar.
Komente











Ai pallat duhet te shembet e jo te riparohet. Temperaturat e larta kane demtuar celikun the betonin. Nje termet the shembet vete.
PërgjigjuNe 2026 bonusi qerase duhet te jete 40,000 Lek- 50,000 Lek sepse nuk gjenden banesa nen kete cmim
Përgjigju