Në dy seancat e fundit të GJKKO, ku po zhvillohet gjyqi në themel i çështjes për Erion Veliaj, avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin se procesi ndaj kryebashkiakut të Tiranës është ngritur mbi disa prova të pahapura nga vetë gjykata.

Sipas tij, bëhet fjalë për 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat nuk janë hapur dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake. Pra, gjykata paraprake e ka kaluar formalisht çështjen e Veliajt për t’u gjykuar në themel, pa i hapur dhe pa i parë të gjitha provat, në kundërshtim me çdo praktikë ligjore.

Fjala është pikërisht për këto prova që shikoni në fotot më poshtë, të cilat janë të vulosura, ta pahapura dhe ende të mbyllura në zarfin me të cilin janë dërguar nga prokuroria në gjykatë.

Nisur nga kjo situatë e paprecendentë, avokati Ndreca i kërkoi sot gjykatës që këto prova të mos preken pa prezencën e mbrojtjes së Veliajt.

"Arsyeja e dytë pse ishim sot është këmbëngulja që ne kemi në lidhje me çështjen e themelit, për provat digjitale të pahapura që unë po kërkoj nga sekretaria dhe kancelari që të mos preken pa prezencën tonë me një proces verbal dhe unë po kërkoj që të mos cënohet ajo provë që ne na jep të drejtën që ne ta godasim në gjykime më të larta, pra në Gjykatën e Apelit gjithë procesin i cili është bazuar në ca prova të pahapura nga vetë gjykata., Pra gjykata ka marrë vendim, siç e kam thënë edhe në gjykimin në themel, ka marrë vendim për çështjen, pa i parë të gjithë provat vetë. Kjo ishte një ndër arsyet se pse isha sot dhe bëra një kërkesë Sekretarisë, në mënyrë që të mos preken CD, pa prezencën tonë dhe pa u mbajtur proces verbal mbi situatën faktike të dosjes", u shpreh Ndreca sot për mediat. 

seancën e 27 prillit, Ndreca kërkoi që këto prova të hapeshin në sallën e Gjykatës së Posaçme, si edhe kërkoi që këto t’i vihen në dispozicion mbrojtjes. Kërkesa e Ndrecës u rrëzua me argumentin se është ezauruar koha e mbrojtjes për njohjen me aktet. Madje, as kryebashkiaku nuk i ka marrë provat origjinale të cilat rezultojnë vetëm procesverbalet e zbardhura në dosje.

 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.