Frrok Çupi: Foltorja, një punë në të zezë

Frrok Çupi: Foltorja, një punë në të zezë

Sali Berisha

Zonjës që po kërkonte punë në një nga rrugët e Këlnit, Gjermani, i erdhi rasti të kujtonte një nga ditët më të zeza në sheshin Omonia të Greqisë, vite të shkuar.

Edhe atëherë kërkonte punë, por në një moshë të re. Sapo ishte përhapur frika e misionit ‘Fshesa’ e Policisë greke kundër emigrantëve shqiptarë. Kjo ra në duar të Policisë dhe nuk kishte nga t’u shpëtonte pyetjeve të shumta. Pyetje mbi origjinën, mbi besimin fetar, a ishte vorio- epiroite apo jo?, a e donte Greqinë?, a do ta ndryshonte emrin.?.., etj.

Më në fund, pasi gruaja u tha se e kishte ndërruar emrin, mbeti pyetja e fundit:

-Në të zezë do të punosh?

Gruaja nuk kuptoi asgjë; në Shqipëri nga vinte ajo deri në Omonia, ende nuk dihej kuptimi i fjalëve ‘punë në të zezë’.

Kanë kaluar tre dekada që atëherë dhe tani gruaja e kthyer përsëri në ‘emrin mysliman’ që kishte pasur, punon në Gjermani. Ka mbërritur me furitë e fundit të emigrantëve shqiptarë drejt Gjermanisë. Akoma punon në të zezë. Por ka mësuar se edhe në Gjermani mbi 70 për qind e familjeve i paguajnë ‘në të zezë’ pastrueset e pallateve. Kur ishte në Shqipëri i thanë se ‘një pastruese paguhet deri 7000 euro, sepse edhe gjermanët i paguajnë në të zezë pastrueset e shkallëve.

Çdokush që punon në të zezë, në gjithë botën, i përsos shqisat, sidomos shqisat e shkathtësisë në përgjigje…, nëse e kap policia.

Për ne në Shqipëri, fenomeni ‘punë në të zezë’ është njohur vonë, por edhe është përhapur shumë. Në ‘të zezë’ punojnë jo vetëm individë, gra e burra, pastruese e druvarë, por edhe institucione. Që nga viti 2022 ka nisur ‘puna në të zezë’ edhe për Partinë që mbante qeverisjen e vendit nga viti 1992 deri 1997 dhe nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Në një paralele me gruan, ose me gratë, që kapen duke punuar në të zezë nëpër botë, edhe vetë kjo parti duhet të jetë shkathtësuar në dhënien e përgjigjeve ‘hazër xhevap’. Sot u mblodh Kongresi i asaj partie, në një nga sallat e mëdha të ndërtuara nga komunizmi, ku kishte vetëm ‘në të zezë’. Nëse do të përfytyrohej kjo parti si një nga punëtoret e shkallëve në Këln, përgjigjet para Policisë do t’i kishte mësuar përmendësh.

Pyetje: -Si e ke emrin?

Përgjigje- Parti.

Pyetje: – Mbiemrin?

Përgjigje:-Demokratike.

Polici shfleton libra të tërë me emra të partive, por nuk gjen këtë emër.

-Janë disa parti me këtë emër në Shqipëri; jeni e paligjshme.

-Nuk është faji ynë pse na e kanë marrë emrin dhe logon dhe vulën- thotë gruaja.

-Kush është kryetari juaj?

– Kryetari është Sali Berisha.

Atëherë polici hap prapë listat e kryetarë të partive:

-Ky emër, Sali Ram Berisha, na del ‘njeri në kërkim’, ju nuk keni sinqeritet.

-Na thuaj gjeneralitete të tjera të bosit tuaj

Gruaja nis e tregon, në radhë të parë për familjen e bosit, emrin e gruas Liri, të vajzës Argita, të djalit Shkëlzen dhe dhëndrit Jamarbër.

-Mos na ngatërro me dhëndër se nuk e njeh pema familjare. Këta të tjerët janë të gjithë ‘të padëshiruar këtu në Evropë’, tha polici.

-Unë i dëshiroj- tha gruaja!.

-Ju mund të bëni si të doni, por këtu në Gjermani nuk lejohen as si pastrues.

Gruaja që kishte pasur eksperienca që nga Omonia në Këln, nisi të mendohej si majmuni, dmth me stomak.  Ajo i tha vetes se përderisa Sala dhe Partia janë në të zezë e nuk lejohen në Europë, si do të bëj unë me Policinë. Që aty e mbylli gojën, e nisi mendimin mbi Partinë.

Partia e Berishës nuk është e ligjshme… Berisha vetë është shënuar për në burg. Edhe djali te dera e burgut. Të hënën vetë Saliu do të paraqitet në Prokurori, o me vullnet o me zor. Të gjithë ndodhen ‘në të zezë’.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor