Frrok Çupi: Makina e zezë e Berishës paska një numër tragjik nën një ngjyrë jeshile

Frrok Çupi: Makina e zezë e Berishës paska një numër tragjik nën një ngjyrë jeshile

Sali Berisha

Daleni burra, daleni more! Ndaluni se pasha bukën ua ndezëm dritat e ua vumë buritë në veshë.

U ndezën drita të kuqe makinash zemërake dhe u egërsuan si në teatër fytyra policësh. Jemi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e Mërkurë 22 Janar 1997. Ora 15.41. Fryjnë bori makinash me targa të verdha.

Policia tund tabela të kuqe dhe jep alarm. “Kaloni more anash, a jini ka merrni vesh, se po kalon Sali Berisha. A, burra ma të mirë jini ju që kaloni serbes në rrugë! A jini ka merrni vesh!?…”

Kështu dukej se iu thoshin qytetarëve “të lirë” të fortit hipur në vargonjtë e makinave policore që përcillnin dje Presidentin e Republikës drejt pjatës së drekës. “Shkoni more anash, mbytuni, se iu shtypëm. He, lecka të dreqit, nuk dini radhën e gjërave; ju lecka kaloni para jo-leckës”.

Dukej se policia e shtetit shtrydhte borduret e bulevardit si djathin e bjeshkës. Dje, në një situatë të tillë alarmante, Presidenti i Republikës linte zyrën në Presidencë dhe shkonte në Brrakë.

U tmerruam nga zhurma. Makina e zezë luksoze e Berishës paska një numër tragjik nën një ngjyrë jeshile. Numri 001. Nuk e kisha parë kurrë këtë numër, mbase për shkak të tmerrit që përhap kur kalon Presidenti mes popullit të lirë. Dëshira ime dhe nderimi për kreun shtetit, ma kërkonte që numrin 001 ta lexoja duke nisur nga numri 1, jo nga 0, siç ishte shkruar në të vërtetë.

Sepse aritmetika më e thjeshtë na kishte mësuar që zerot vetëm mbas Njëshit marrin vlerë; ndërsa Njëshi mbas Zerove nuk ka më vlerë. Njëshi dje lexohej mbas zerove me vështirësi përmes vërshëllimave, dritave, alarmit dhe syrit të shkelur të policit që më kaloi pranë. “Kaloi edhe ky, sa kam përcjellur unë nga këta Numra”- tha polici.

Makina e zezë kishte qenë në përdorim të Enver Hoxhës, dhe mbas syrit të shkelur të policit, m’u bë sikur ajo makinë kalonte si kali i tërbuar që ka mall për të zotin, ose si një gjallesë tjetër e frikësuar se mos përsëri do ta kapë i zoti që ka pasur. Nuk dihet me cilin e ka ndierë veten më të qetë ky Mercedes i zi. Por një gjë e ka mësuar me trishtim: Mercedesi i krijuar për liri, mbeti gjithnjë i kontrolluar dhe rrethuar prej policisë. Fati më i keq i tij më duket se është numri 001.

Pse të kanë vënë këtë numër, i dashur mik? Po flas me zotin Berisha, jo me mjetin. Me siguri, zoti President nuk ka pasur aq shumë kohë sa të shikojë makinën në harbim e sipër; e ka parë gjithnjë nga brenda. Jam i sigurt, ky nuk do ta kishte lejuar këtë numër. Një nga miqtë e mij më të mirë, poet dhe gazetar, një ditë po dëgjonte dikë që fliste me radio dore dhe prezantohej kështu: “Jam 07, a je ka m’nigjon 027…”. Në këtë kohë miku im tha: “Sa mirë punon subkoshienca e disa njerëzve! Këta nuk dinë shumë gjëra, por kanë konstatuar se fillojnë me zero. Shiko si thonë 01, 02, 03, 04…”.

Ne, qytetarët shqiptarë, do të ndiheshim mirë po të na fillonte i pari i shtetit nga Njëshi. Nga Njëshi i vlerës. Qeveria tani po akuzohet si bashkëfajtore në vjedhjen më të madhe që iu bë djersës së popullit shqiptar, përmes fantazmave të fajdeve. Kjo situatë e ka tmerruar gjithë vendin, megjithëse mjetet e informimit nuk tregojnë asgjë. Mirëpo atë që nuk tregon Televizioni, më duket se e tregon Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në mesditë, kur Presidenti lë zyrën dhe shkon për drekë. Na trembe, i dashur miku im Sali!

Si të kanë rrethuar kështu makina policie, çfarë po të bëjnë këta!? Dikush thotë se të ruajnë nga vjedhësit, dikush tjetër thotë se të ruajnë nga të vjedhurit. Po ku vjedh shteti, miku im!?

Pse po tërbon e ikën kaq shpejt makina juaj e zezë, zoti President!? Nuk po ndaloni pak që të bisedojmë në ndonjë kafe?! Është kohë me diell sot. Në funddhjetorin e vitit 990, diku këtu afër kthesës ku gati na shtypi makina juaj, kemi qënë në këmbë. Binte shi, doktor, e mban mend.

Ndalu pak o doktor, nuk dua të ndajmë asgjë nga ato të tuat. Aq më tepër tani që shteti yt është borxhli para popullit të grabitur me fajde. Po ndalu pak të të tregoj se po tmerrohen njerëzit nga zhurma e bilbilave që të vinë anash. Kam merak se ku po të çojnë këta. Mbase vrapojnë për hesapin e tyre që të japin ndonjë lajm si në tragjedinë e lashtë: “Mbretin e pamë lakuriq”.

23 Janar, 1997

SHTETI NË CEREMONINË E LARGIMIT

Ranë piramidat e fajdeve. Njerëzit kërkojnë paratë “e pastra”. Nga njëri qytet në tjetrin, populli po ngrihet në revoltë kundër qeverisë. Ç’po bën shteti? – pyesin njerëzit. Bankat janë bosh, ndërsa shteti premton “paratë për popullin”. Letra apo para do të kthejë!? Vendi po digjet, ndërsa thonë “e kemi në zemër Lushnjën”. Ushtri, polici, terror. Burgu po gëlltit në të dy kanatat; u rihap Burreli. Kamxhik e gjak mbi opozitën, mbi sindikatat, mbi të djathtët, mbi të majtët, mbi të persekutuarit.

Njerëzit e përshkruajnë sjelljen e tanishme të shtetit si më të pazakonshmen mes çudirave të ndodhura. Largimin e Berishës, të gjithë e kishin parashikuar si shumë të vështirë. Janë ditët e fundit të mandatit të presidentit. Mund të themi se ai thjesht po sistemohet për ikjen. Edhe sikur për një piknik të shkonte një tip si ky, do ta kishte kthyer shtëpinë së prapthi; e jo më duke sistemuar tërë atë “mal” pushteti ku sundonte. Njerëzit janë edhe të frikësuar se “kushedi ç’do të na bëjë ky tani”; por nuk është koha aq për frikë se sa për vëmendje. .

Vemendje në sensin konstitucional
Po të vini re, Berisha po e tejkalon kujdesin që të mos shkelur ligjin. Psh., hartoi e firmosi një ligj të ri për përdorimin e ushtrisë në jetën civile, ndërkohë që ekzistonte një ligj i tillë. “S’ka gja, ma shumë e ma mirë”. Puna është që të mos e rëndojë precedenti i Byrosë Politike. Në këtë sens, Berisha gjatë këtyre 37 ditë mandati që i kanë mbetur deri me 9 Mars, po tregon kujdesin maksimal për sistemimin konstitucional. Me siguri, ditën e fundit, po të mos ishte kujtesa popullore, shteti nuk do të ketë gjë për përgjegjësi.

Vetëm kujtesa qytetare. Kujdes sistemimin e organeve të larta të piramidës. Me sa duket ky ka vendosur që të lërë fajtor parlamentin, dhe të shfajësojë qeverinë. Parlamenti këto ditë është ngarkuar me dy përgjegjësi të mëdha: E para, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. E dyta të “bekojë” Presidentin për mandat të dytë, edhe pse parlament jo legjitim. Askush nuk mund tua harrojë këtyre parlamentarëve mëkatin për një juntë legale; mund të ndodhë qe nesër këta parlamentarë të përjashtohen nga jeta politike.

Aq më tepër që thuajse të gjithë janë jo-legjitimë, ose uzurpatorë të karrikeve parlamentare, të blerë me paratë e popullit të vëna në fajde. Berisha i është kthyer precedentit të Mbretit Zog, i cili la nën fajësi parlamentin që i dorëzoi floririn, dhe “fshehu” qeverinë.

Në ikje shteti masakron qytetarët
Nuk ka dyshim se akuza e parë për masakren ndaj Ndre Legisit, Edi Ramës e Vladimir Myrtezait, bie mbi kryetarin e shtetit. Këto janë akte të rënda. Personalisht, duke e njohur Berishën nga afër, nuk mund ta përjashtoj këtë nga një mëkat i tillë. Ashtu sikurse mund të them se edhe pa marrë lejen e tij, cubat që ka rretherrotull kryejnë kasapanën ndaj opozitarëvë.

Këto ditë, për qytetarët e Tiranës, tmerri e frika janë shtuar shumë, sidomos prej makinave pa targa ose me targa të huaja, prej leshatorëve dhe kriminelëve që nuk flasin mirë gjuhën shqipe. Janë ditët kur po largohet Berisha, dhe këta njerëz sa tregojnë besnikërine, aq edhe marrin hakun e fundit. Por në radhët e këtyre njerëzve të shfazuar ka pjestarë të rrethit familjar të Sali Berisha, qe njihen dhe megjithatë nuk përmbahen. Kur ndodh edhe kjo, atëhere beson aq më shumë se është thjesht çështje sistemimi. Mundet që mbasi Sali Berisha sistemoi fëmijët jashtë shtetit, (sipas informacioneve nga brenda), ka premtuar edhe sistemimin e këtyre kontigjenteve përgjakëse.

31 Janar, 1997

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fajde: 29/01/2023 17:24

    Berisha duhet varur ne shtylle tensioni me koke poshte.

    Përgjigju
  • Arbëri: 29/01/2023 13:40

    O Frrok edhe ti më dole një sojë si Edvin shkjau shqipfolës, mjerim për ty që deshpron ata që besuan dikur në ty…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Çudira në Shkodër, Vllaznia shkarkon Qatip Osmanin! Kush e zëvendëson trajnerin

Çudira në Shkodër, Vllaznia shkarkon Qatip Osmanin! Kush e zëvendëson trajnerin