Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të jetë vetëm një duel mes dy prej kombëtareve më të forta të planetit. Ajo do të sjellë edhe një histori të rrallë, ku fati ka vendosur përballë një profesor dhe ish-nxënësin e tij në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror.
Në stolin e Spanjës do të jetë Luis de la Fuente, ndërsa Argjentinën do ta drejtojë Lionel Scaloni. Dy trajnerë që në vitin 2017 nuk ishin rivalë, por pjesë e të njëjtit proces formimi profesional.
Në atë kohë, De la Fuente ishte një nga profesorët në kursin UEFA Pro të organizuar nga Federata Spanjolle e Futbollit, ku Scaloni, atëherë në hapat e parë të karrierës si trajner, ishte një prej kursantëve. Trajneri spanjoll ligjëronte lëndën e teknikës, ndërsa ish-mbrojtësi argjentinas u dallua si një nga pjesëmarrësit më të vlerësuar të gjeneratës së tij.
Nëntë vite më vonë, rrugët e tyre kryqëzohen sërish, këtë herë në finalen e Kupës së Botës.
De la Fuente ka rikthyer Spanjën mes elitës së futbollit ndërkombëtar, duke fituar Ligën e Kombeve dhe Kampionatin Evropian, ndërsa tani synon ta ngjisë "La Rojën" sërish në majën e botës.
Nga ana tjetër, Scaloni ka ndërtuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e Argjentinës. Nën drejtimin e tij, "Albiceleste" ka fituar Copa America dhe Kupën e Botës 2022, ndërsa tashmë synon të mbrojë titullin botëror.
Pavarësisht rivalitetit të së dielës, marrëdhënia mes dy trajnerëve ka mbetur gjithmonë e mbushur me respekt. De la Fuente ka vlerësuar shpesh ish-nxënësin e tij, ndërsa Scaloni nuk e ka fshehur se trajneri spanjoll ka pasur ndikim në formimin e tij si teknik.
Tashmë, miqësia do t'ia lërë vendin garës për trofeun më të madh në futboll. Profesori dhe nxënësi do të udhëheqin dy kombëtare me të njëjtin objektiv, por vetëm njëri prej tyre do të ngrejë lart Kupën e Botës.

Trajnerët Luis de la Fuente dhe Lionel Scaloni
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente




