Fyle: Marrja e statusit do dialog
mazhorancë-opozitë në Kuvend

Fyle: Marrja e statusit do dialog<br />mazhorancë-opozitë në Kuvend
TIRANE- Mazhoranca duhet të punojë ngushtë opozitën për të mundësuar integrimin e vendin në BE. Kështu është shprehur komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, në një intervistë për “Vizion Plus”. Fyle thekson se vetëm dialogu politik konstruktiv mund ta çojnë përpara vendin në rrugën e reformave.
 
Sipas komisionerit Fyle, raporti i KE do të marrë në konsideratë hapat e mëtejshëm të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
 
Duke iu referuar raportit të OSBE-ODIHR, komisionerit europian thekson se procesi i votimit ka ecur mirë, edhe pse ka pasur parregullsi procedurale. Ndërsa duke u ndalur tek pranimi i rezultatit pas zgjedhjeve nga dy udhëheqësit e koalicioneve, Fyle shprehet se është një sinjal inkurajues dhe pozitiv.
 
Zoti Fyle, Komisioni Europian ka vëzhguar nga afër zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku koalicioni i majtë u shpall fitues. Cili do te ishte vlerësimi juaj për ketë proces zgjedhor?
 
Më lejo t’i referohem vlerësimit paraprak të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (OSBE-ODHIR), i cili përcakton zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, si konkurruese, me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve gjatë fushatës dhe në respektim të plotë të lirive themelore. Raporti tregon se votimi ka ecur mirë, megjithëse ka patur parregullsi procedurale. Pavarësisht faktit se raporti përmend një atmosferë me mungesë të theksuar besimi mes dy forcave kryesore politike, mënyra në të cilën të dy udhëheqësit e koalicioneve, si atij fitues ashtu edhe atij humbës, u përballën me rezultatin dhe situatën paszgjedhore është një sinjal shumë inkurajues dhe pozitiv, për një përfundim të qetë të procesit zgjedhor.
 
Nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, koalicioni i majtë ka marrë në total 84 deputetë. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ky numër përfaqëson maxhorancën e cilësuar, e cila nevojitet për ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme. A mendoni se ky fakt, do të përshpejtojë procesin e integrimit europian të vendit? Cilat janë rekomandimet ose këshillat tuaja për koalicionin e ri fitues?
 
Suksesi në procesin e integrimit europian është i lidhur ngushtë me gjithëpërfshirjen dhe konsensusin. Prandaj, unë inkurajoj qeverinë e re që të punojë ngushtë me opozitën në parlament. Kjo, sepse, vetëm dialogu politik konstruktiv mund ta çojnë përpara vendin në rrugën e reformave.
 
Le të kthehemi pak pas në kohë. Më 30 maj parlamenti shqiptar ka miratuar tre ligjet e mbetura që Komisioni Europian ka kërkuar për procesin e integrimit. Cilat janë shanset e Shqipërisë që të marrë një përgjigje pozitive këtë vit për statusin e vendit kandidat?
 
Miratimi me konsensus i tre ligjeve, më 30 maj të këtij viti ishte një element i rëndësishëm sa i takon kushteve që i kërkohen Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Shanset e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian janë reale. Por vendi nuk duhet të hezitojë për t’i realizuar deri në fund sfidat, veçanërisht sa i takon sundimit të ligjit. Në përputhje me kërkesat e Këshillit Europian, Komisioni do të raportojë progresin e arritur nga Shqipëria. Raporti ynë do të marrë gjithashtu në konsideratë hapat e mëtejshëm të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshi këtu dhe ato që vijnë nga investigime aktive dhe të prokurorisë ne çështje të kësaj natyre.
 
Z. Fyle, ju keni thënë, se “tetë vitet e fundit të qeverisjes kanë qenë një periudhë e reformave të rëndësishme dhe rritjes ekonomike në Shqipëri…”. A mendoni se gjatë këtyre dy mandateve qeveria shqiptare mund të kishte bërë më shumë sa i takon procesit të integrimit europian?
 
Në Shqipëri, deri më tani, janë shënuar shumë arritje. Sigurisht, ka gjithmonë mundësi për më shumë. Por procesi i integrimit evropian është një rrugë dhe garë e gjatë, prandaj ruajtja e ritmit dhe procesit në rrugën e duhur është themelore.
 
Marrë nga "Vizion Plus", intervistoi Elvin Luku

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës