G20/ Vendet e varfra të zhgënjyera: Shanset që ngrohja globale të qëndrojë në kufirin 1.5 gradë celsius, të vogla! Duhet bërë më shumë, është çështje mbijetese

G20/ Vendet e varfra të zhgënjyera: Shanset që ngrohja globale të qëndrojë në kufirin 1.5 gradë celsius, të vogla! Duhet bërë më shumë, është çështje mbijetese

Foto nga Samiti i G20

G20 po zhgënjen vendet e varfra dhe të cenueshme duke mos rënë dakord për një plan klimatik që do të siguronte mbijetesën e njerëzve të tyre, kanë thënë figurat kryesore në bisedimet për klimën.

Udhëheqësit që përfaqësojnë më shumë se një miliard nga njerëzit më të rrezikuar nga kriza klimatike thanë për 'The Guardian' se janë "jashtëzakonisht të shqetësuar" dhe kishin shpresuar për më shumë nga samiti i G20 në Romë.

Ata thanë se perspektiva e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale, ka shumë gjasa mos të ruhet.

Gaston Browne, kryeministri i Antigua dhe Barbuda dhe kryetar i Aleancës së Shteteve të Vogla Ishullore, e cila përfaqëson 39 vende, tha: "Nga ajo që kam parë duket se do të kapërcejmë 1.5 gradë celsius. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Kjo është një çështje mbijetese për ne.”

Ai fajësoi ndikimin e interesave të fuqishme të sektorit privat për dështimin e G20 për të hartuar plane më të mira dhe tha se vendet e zhvilluara do të vuajnë gjithashtu pasojat e ndryshimit të klimës.

“Ne jemi këtu për të shpëtuar planetin, jo për të mbrojtur fitimet. Ka firma dhe lobe shumëkombëshe shumë të fuqishme që përfitojnë nga subvencionet e karburanteve fosile”, shtoi ai.

G20 prodhoi atë që disa analistë thanë se ishte përparim i rëndësishëm në Romë, me një zotim për të arritur emetimet neto zero deri në mesin e shekullit dhe për të ndërmarrë veprime këtë dekadë për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius, por vendet e varfra thanë se premtimet nuk u shoqëruan me plane të qarta.

Sonam Wangdi, kryetar i grupit të vendeve më pak të zhvilluara, i cili përfaqëson më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën, tha: "Përparimi definitivisht nuk është i mjaftueshëm deri tani. Jemi shumë larg nga shtegu 1.5 gradë celsius. Ne kemi nevojë për ta për të rritur ambiciet. Ne kemi bërë pjesën tonë dhe kemi kontribuar më së paku për problemin.”

Me më shumë se 1.5 gradë celsius ngrohje, shumë ishuj të vegjël përballen me përmbytje nga rritja e nivelit të detit dhe stuhitë më të ashpra, por Browne tha se vendet e zhvilluara ishin gjithashtu në rrezik. "Shumë prej tyre kanë gjithashtu zona bregdetare", vuri në dukje ai.

Steve Victor, ministri i mjedisit në Palau, tha: “G20 ka mbetur shumë prapa për të siguruar një të ardhme të sigurt për njerëzit e shteteve të vogla ishullore në zhvillim. Ky nuk është një koncept abstrakt apo çështje politike për ne. Kërcënimi i ndryshimit të klimës, për ne, nuk po mbivlerësohet. Ne po e jetojmë tani", theksoi ai.

Victor shtoi se G20 duhet të pajtohet të heqë gradualisht qymyrin, gjë që nuk ka arritur ta bëjë, dhe se duhet të ndalojë subvencionet e karburanteve fosile.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt