GJERMANI - Drejtuesit e G7-s do të rikonfirmojnë sot në Gjermani unitetin e tyre përballë terrorizmit dhe vatrave ndërkombëtare të krizës, në mbyllje të një samiti mbi të cilin dominon hija e Rusisë, mbajtur larg për shkak të përfshirjes në konfliktin në Ukrainë.

Komunikata përfundimtare e takmit në Kështjellën Elmau në Bavari do të bëjë jehonë me fjalimet solide që perëndimorët kanë mbajtur dje në adresë të presidentit rus, Vladimir Putin, duke u shprehur në mënyrë të veçantë për mbajtjen e sanksioneve kundër Moskës.

“Nisem nga parimi që ne do të dërgojmë një sinjal të unifikuar lidhur me këtë çështje”, theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel dje në mbrëmje në një intervistë televizive.

Në ditën e parë të takimit të organizuar në Alpet bavareze, presidenti amerikan, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Merkel theksuan se sanksionet duhet të qendrojnë deri në momentin që Rusia do të respektojë sovranitetin e Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë e vuri thksin në marrëveshje të plotë me Berlinin mbi faktin se kohëzgjatja e sanksioneve duhet të lidhet qartë me zbatimin e plotë nga Rusia të marrëveshjeve të Minskut, që parashikojnë veçanërisht vendosjen e një armëpushimi, negociuar në muajin shkurt nga Merkel dhe presidenti francez, François Hollande me Putinin.

Ukraina dhe në një masë të vogël, ngërçi i negociatave mes Greqisë dhe kreditorëve ndërkombëtarë për të shmangur në Athinë një dështim me pagesat kanë eklipsuar dje axhendën zyrtare të G7-s, forumi që mbledh SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Kanadanë dhe Japoninë.

Kriza greke rrezikon të rikthehet në tryezën e drejtuesve sot, me pjesëmarrjen e pritshme të drejtoreshës së FMN-së, Christine Lagarde.

”Por ne jemi të gjithë të mendimit se kemi ende shumë punë përpara”, theksoi dje Merkel.

Samiti i shtatë fuqive industriale do t’i kushtohet në ditën e fundit të debateve luftës kundër terrorizmit dhe ndihmës për zhvillim me gjashtë presidentët dhe kryeminstrat e Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Optimizëm mbi klimën
Presidenti i ri nigerian, Muhammadu Buhari është një prej më të priturve. Lufta kundër Boko Haram është prioritet i tij, por që prej marrjes së funksionit në fund të muajit maj, sulmet, atribuar sektit islamik, kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave.

Buhari do të takohet gjithashtu me presidentin francez, François Hollande. Franca, angazhuar në Mali me 3 000 ushtarë, ka inkurajuar këto muajt e fundit bashkëpunimin ushtarak mes Nigerisë dhe fqinjëve (Tçad, Niger, Kamerun) kundër Boko Haram.

G7-a do të përqendrohet gjithashtu në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, me pjesëmarrjen e kryeministrit irakian, Haider al-Abadi.

Ky i fundit do të takohet gjithashtu me presidentin amerikan, Barack Obama për të diskutuar për tensionet mes Bagdadit dhe Uashingtonit.

Koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA-ja, strategjia e të cilës është një dështim, sipas al-Abadit, dha javën e kaluar mbështetjen e tij për planinin irakian për ripushtimin e territoreve të humbura duke bërë thirrje për reforma politike në Bagdad.

Një vit pas fillimit të ofensivës nga Shteti Islamik, Iraku është më shumë se kurrë i shkatërruar nga cikli i vazhdueshëm i dhunës, tensionet ndërkonfesionale dhe tragjeditë humanitare.

Përveç të tjerave, drejtuesit e G7-s kanë rifilluar punimet e tyre me një debat mbi klimë.

Evropianët me çiftin franko-gjerman në krye, janë shfaqur të vendosur për të marrë nga partnerët e tyre angazhime ambicioze për reduktimin e emetimeve të gazit me efekt sere dhe limitimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile