Gafa e KQZ-së, kërkon nga
Kuvendi censurimin e mediave
PDF/Rekomandimet për reformën zgjedhore

EKSKLUZIVE - Siç nuk mund të ndodhte as në vende me demokraci më pak të zhvilluar, gazetarët e Shqiptarja.com zbulojnë fakte të pakëndshme për lirinë e medias në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që, para dhe gjatë zgjedhjeve, të shtrijë kontrollin dhe të aplikojë kufizime edhe mbi portalet dhe gazetat, të cilat sipas Komisionit kanë impakt të madh në zgjedhje.

20 propozime, por 9 cenojnë lirinë e medias
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar në Kuvend 20 propozime për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke krijuar një rast të paprecedent dhe të rrezikshëm për censurimin e medias. Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht propozimet e KQZ-së drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. 9 prej këtyre propozimeve kanë të bëjnë me kufizimin e lirisë dhe censurimin e gazetave, portaleve dhe televizioneve.

Sipas KQZ, paketa me propozime ka dalë gjatë problematikave të hasura gjatë punës për organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. KQZ i kërkon Kuvendit që për kontrollin e të gjithë mediave të mos ketë një afat të përcaktuar, pasi sipas KQZ partitë politike e fillojnë fushatën zgjedhore shumë kohë më parë se përcaktimi ligjor 30 ditë para datës së zgjedhjeve.

Në kushtet kur zgjedhjet zhvillohen një herë në dy vjet (politike dhe vendore), KQZ duket se synon të aplikojë kufizime mbi mediat gjatë gjithë vitit kalendarik, qoftë zgjedhor qoftë jo zgjedhor. Kjo pikë sjell një kontroll të paprecedent të medias, si në asnjë vend të botës, pasi çdo aktivitet politik do të jetë i monitoruar dhe i kontrolluar nga një bord pranë KQZ-së, që siç e ka treguar tradita ka qenë i përbërë nga persona të caktuar nga subjektet politike.

Praktikisht media do të jetë e kontrolluar dhe e detyruar që çdo ditë të vitit të respektojë disa “rregulla” të diktuara nga partitë politike.

Së dyti, KQZ i kërkon Kuvendit trajnim të detyrueshëm për gazetarët që merren drejtpërdrejt me fushatat zgjedhore. Kjo është një tjetër masë e kërkuar nga KQZ për të kufizuar lirinë e gazetarëve, duke u imponuar disa rregulla të veta se si duhet të raportojnë. Kjo pikë veçëse vendos standard censure, cenon gjithashtu edhe integritetin profesional e moral të gazetarëve. Sipas KQZ gazetarët për të mbuluar më parë një aktivitet apo zhvillim politik duhet të marrin një “vulë” të KQZ-së për të vërtetuar profesionalizimin e tyre. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Së treti, KQZ i kërkon Kuvendit për të perfshire ne Kodi edhe ligjet për transmetimin e reklamave politike falas në radiotelevizionet private gjate fushata. Kjo pikë nuk është aq e panjohur. Ky është një propozim politik i dy forcave kryesore PS dhe PD të arritur me konsensus mes tyre para zgjedhjet e fundit. Një vendim politik ky në favor të partive politike por në kurriz të medias.

Po ashtu, KQZ kërkon monitorimin e emisioneve të veçanta televizive, sidomos ato satirike, pasi sipas Komisionit ato mund të denigrojnë kandidatët. 

Gjithashtu kërkohet edhe monitorimi dhe kontrolli i faqeve online. Kjo duket një tjetër procedurë sa censuruese për median aq edhe e pamundur teknikisht, duke parë që vendodhja e websiteve apo rrjeteve sociale është në vende të ndryshme të botës dhe jo vetëm në Shqipëri. Përtej censurës që këto ndryshime të Kodit Zgjedhor vendosin në media, pikëpyetje ngrihen edhe mbi kapacitetet për ti zbatuar ato.

Veç teknikës dhe burimeve njerëzore që duhen për të zbatuar këto ndryshime, një tjetër dyshim ngrihet mbi njollosjen politike që mund ti behet median. Një nga debatet dhe propozimet më të nxheta për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është ngritja e një Komisioni Zgjedhor jo politik që të administrojë zgjedhjet. 

Por një një kohë që vetë politika e institucionet kërkojnë që politika të qëndrojë larg administrimit të zgjedhjeve, me këto ndryshime kërkohet që edhe një tjetër instrument, pra Media, të vihet nën kontrollin politik e të censurohet në mënyrën më të rrezikshme që ka njohur ndodhonjëherë media në vendin tonë.

Propozimet e plota të KQZ për zgjedhjet e ardhshme 
1. Rishikimi i afateve për regjistrimin e kandidatëve. Në çdo proces regjistrimi i subjekteve zgjedhore, ndjekja e procedurave për verifikimin e dokumentacionit të listave shumemërore dhe ndjekja e ankimeve gjyqësore kanë vënë në rrezik prodhimin e fletëve të votimit në kohë.

2. Pjesëmarrja në kurset e trajnimit të KQZ-së në periudhë jashtëzgjedhore dhe pajisja me certifikatën përkatëse, të vlefshme, të jetë kusht për emërimin në detyrën e komisionerit zgjedhor.

3. Forcimi i mekanizmave ligjorë për të garantuar respektim të afateve për propozimin e anëtarëve të komisioneve të nivelit të tretë të administratës zgjedhore (komisioni i qendrës së votimit dhe grupit të numërimit të votave).

4. Përcaktimi i kuotës gjinore për propozimet për anëtarë të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe Grupit të Numërimit të Votave.

5. Rishikimi i kuotës gjinore për propozimet e anëtarëve të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor më qëllim që të garantohet 30 % kuota gjinore për përbërjen e tij në çdo rast.

6. Gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve, duhet të pezullohen nga detyra kur ata janë nëpunës të administratës publike, dhe për gjatë kësaj kohe duhet t'u ruhet vendi i punës.

7. Zyrat e gjendjes civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, duhet të "pastrojnë" rekordet e dyshuara të dubluar në listës së zgjedhësve jo vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve.

8. Plotësimi jo vetëm në periudhë zgjedhore, nga njësitë e qeverisjes vendore i kodit të banimit për zgjedhësit që u mungon ky kod.

9. Kryerja e disa modifikimeve në sistemin teknologjik qendror në administrimin e listës së zgjedhësve sipas kërkesave logjike të auditëve teknicien për të lehtësuar përdorimin nga punonjësit e zyrave të gjendjes civile.

10. Rritja e sigurisë së sistemit të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i aplikacioneve të reja dhe mirëmbajtja e përditësimi i atyre ekzistuese.

11. Rishikimi i nenit 95/1 i Kodit Zgjedhor, për të marrë në konsideratë përkufizimin e saktë të partive të shumicës parlamentare/qeverisëse dhe partive të opozitës parlamentare, të cilat kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit.

Per mediat

12. Përcaktimin e detyrimit ligjore për Autoritetin e Mediave Audiovizive për të mundësuar Bordin e Monitorimit të Mediave (BMM) të monitorojë të gjitha mediat kombëtare dhe vendore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke evituar disbalancimin dhe standardet e dyfishta në monitorime dhe raportime në dy zgjedhjet e fundit.

13. Rezulton se partitë politike e fillojnë fushatën zgjedhore shumë kohë më parë se përcaktimi ligjor 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Në mënyrë që media të mos lejohet të pasqyrojë aktivitet e partive politike në rastet kur partitë dhe subjektet zgjedhore e nisin fushatën zgjedhore kohë përpara fillimit të periudhës zgjedhore, procesi monitorues nëpërmjet Bordit të Monitorimit të Medias të përfshijë një periudhë më të gjatë se periudha zgjedhore. Gjithashtu Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë një formulim të qartë të ndalimit të pasqyrimit në media të veprimtarive me karakter elektoral, jashtë periudhës së fushatës zgjedhore dhe sanksionet përkatëse në rast të shkeljeve së tyre.

14. Kodi Zgjedhor nuk parashikon monitorimin e shtypit të shkruar, të printuar dhe online. Gazetat e printuara dhe portalet online nuk monitorohen për sa i përket mbulimit të fushatës zgjedhore të subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje. Mediat online dhe shtypi i shkruar i printuar kanë një impakt shumë të madh tek zgjedhësit, ndaj si rrjedhojë Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë monitorimin e pasqyrimit të fushatës së partive politike dhe kandidatëve edhe në shtypin e shkruar, të printuar dhe online (elektronik).

15. Të rishikohet mënyra e emërimit të anëtarëve të BMM duke e bërë procesin më transparent, më gjithëpërfshirës dhe më profesional. Gjithashtu, duhet të vendoset si kriter respektimi i kuotës gjinore për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Bordi.

16. Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë detyrimin e partive politike, të cilat brenda kohës që u vihet falas nga operatorët audio-vizivë, gjysmën e 3-% të saj, ta vënë në dispozicion për kandidatet femra.

17. Trajnimi i gazetarëve, redaktorëve dhe punonjësve të medias që merren drejtpërdrejt me fushatat zgjedhore, duhet të bëhet i detyrueshëm sepse mosnjohja e tyre e Kodit Zgjedhor, sistemit administrues, dhe aspekte të tjera që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor, sjellin desinformim të opinionit publik dhe denigrim të procesit zgjedhor.

18. Të përfshihen në monitorim edhe emisionet e veçanta televizive (si ato satirike) pasi emisione të tilla përveç informacionit transmetojnë komente, opinione, qëndrime politike ku sjellin denigrimin e kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore duke sjellë ndikim të drejtpërdrejtë tek zgjedhësit.

19. Të parashikohet në Kodin Zgjedhor, si një nga masat administrative paraprake për operatorët audio-vizivë privatë, kompensim të kohës së transmetimit për balancimin e kohës televizive.

20. Nevojitet harmonizimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor nenit 84, pika 1 dhe nenit 24, pika 5 të ligjit "Për partitë politike" në lidhje me transmetimin (falas) e reklamave në radiotelevizionet private.  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë