Gafat e Këshillit Ndërakademik në
propozimet për sintaksën e shqipes

Gafat e Këshillit Ndërakademik në<br />propozimet për sintaksën e shqipes
TIRANE- Pasi e shteroi drejtshkrimin dhe morfologjinë, KNGJSH u kthehet çështjeve të normës sintaksore. Në dy mbledhjet e fundit, Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Meqë jemi marrë dhe vijojmë të merremi me sintaksën, po ndalemi pak në “rregullat” sintaksore të këtyre dy mbledhjeve.

Po nisim nga mbledhja e 6 dhjetorit 2013 në Prishtinë, në pikën 5 të vendimeve të së cilës thuhet: “Përdorimi i trajtave të lidhores pa formantin të (p.sh. do laj) konsiderohet shkelje e normës; formë e vetme e drejtë konsiderohet forma me të: do të laj”. Është fjala për një përdorim jonormativ që haset në disa të folme të shqipes, për të cilin njëri nga anëtarët e këshillit ka shkruar se duhet të kthehet në normë. Pra, rregulla na duket se është përgjigje negative për propozimin e akademikut, por jo për masën e shqipfolësve, të cilët nuk gabojnë në këtë pikë, duke filluar që nga fëmija i kopshtit. Po edhe sikur të hasej, shembulli i dhënë nuk i referohet problemit, pasi  edhe një nxënës i klasës së tretë fillore e dallon menjëherë se shembujt që jepen këtu nuk janë të lidhores, por janë të kohës së ardhme.

Edhe më qesharake janë këshillimet e mbledhjes së 20 qershorit 2014, të cilat dëshmojnë se sintaksologët në atë Këshill janë kthyer në dialektologë. Por, për t’ia lënë lexuesit të gjykojë vetë, po sjellim këtu disa nga “rregullat” sintaksore të ndërakademikëve. Kështu, një ndër këto rregulla këshillon se “nuk duhet thënë dhe nuk duhet shkruar dëshiroj për të punuar, ka vendosur për të shkuar, por dëshiroj të punoj, ka vendosur të shkojë etj. Nuk duhet thënë dhe nuk duhet shkruar përpiqet me qëllim për të fituar (me qëllim për të ndryshuar), por përpiqet të fitojë (të ndryshojë) etj.”

Po ku i kanë gjetur shembujt që nuk janë normë? A përdoren ata shembuj me të vërtetë nga shqiptarët apo janë të shpikur në laboratorin ndërakademik? Sigurisht, qëndron kjo e fundit. Këta shembuj që nuk janë normë, nuk përdoren fare nga shqipfolësit. Shembujt do të ishin të goditur sikur shqiptarët t’i përdornin ata në vend të normës së këshilluar. Por, siç dihet, asnjë shqiptar i lindur në trevat shqiptare dhe që shqipen e ka gjuhën e nënës, nuk thotë kurrë “dëshiroj për të punuar” apo “përpiqet me qëllim për të fituar”. Shqiptarët nuk i përdorin kurrë këto shprehje të sajuara prej ndërakademikëve, ata thonë “dëshiroj të punoj” ose “dëshiroj me punu(e)”, “përpiqet të fitojë” ose “përiqet me fitu(e)”.

Të njëjtën gjë do të thoshim edhe për shkeljet e normës që paskan vërejtur ndërakademikët në përdorimin e lidhëzave ftilluese se e që. Nuk e di ku i kanë gjetur shembuj të tillë me “shkelje të normës sintaksore”: kanë vendosur se hetimet të vi­jojnë; ka kërkuar se të ndalet ky proces; propozoi se Kuvendi të miratojë një ven­dim. Çdo shqiptar këtu përdor lidhëzën që në vend të lidhëzës se.

Por “shpikja” më e madhe e ndërakademikëve është këshilla e tyre sipas së cilës nuk duhet thënë “duhet pyetur specialistin”, “duhet lexuar librin”, por “duhet pyetur specialisti”, “du­het lexuar libri”. Jo vetëm në gjuhën shqipe, por në të gjitha gjuhët e botës që kanë rasa, sipas teorisë sintaksore, kur folja ka një formë joveprore, prapa saj nuk përdoret kurrë një rasë kallëzore, por vetëm një rasë emërore.

Sa për sqarim, duhet ditur se shembuj të shpikur mund të jepen vetëm për të argumentuar një koncept teorik në sintaksë, dmth. në një studim sintaksor, po jo në një doracak normativ. P.sh., për të treguar se një emër në rasën kallëzore të pashquar, i paprirë nga ndonjë përcaktor, nuk përsëritet kurrë me një trajtë të shkurtër, themi se fjalia *e bleva shtëpi, i cila ka një yllth përpara, nuk është gramatikore, dmth. nuk përdoret nga folësit e gjuhës shqipe. Por, kur vihemi të formulojmë një rregull sintaksore, nuk mund të themi se shembulli *e bleva shtëpi nuk është normë.

Pra, një shembull i shpikur nuk mund të vihet përballë normës për të treguar se duhet përdorur kjo e fundit. Po të ishte kështu, për çdo normë do të gjenim një kundërnormë. Por në qoftë se kundërnorma nuk është fare fakt i gjuhës (pra, nuk përdoret fare nga folësit), ose një fakt karakteristik për një a disa të folme, atëherë përqasja është jo vetëm e pavlefshme, por tregon edhe pandershmërinë shkencore të gjuhëtarit. Kjo mund të pranohej vetëm nëse do të do të vinte puna që një e folme të përqasej me gjuhën standarde. Në këto raste kemi të bëjmë me lajthitje të individëve të veçantë dhe lajthitjet në ligjërimin e folur e të shkruar janë të panumërta. Është e pamundur që për çdo lajthitje të ndërtosh një rregull, sepse do të duhej një manual prej mijëra faqesh.

Një pikë tjetër ku ndërakademikët përpiqen të përmbysin një normë tashmë të vendosur, është rregulla për emrat mashkullorë që në shumës bëhen femërorë (rregulla e dygjinishmërisë). Sipas tyre, nuk duhet thënë dhe nuk duhet shkruar “fshatra të elektrizuara” (“të elektrifikuara” zotërinj, sepse nuk ka fshatra “të elektrizuara”!), “ujëra të ftohta”, por “fshatra të elektrizuar”, “ujëra të ftohtë”. Nuk kuptoj përse duhet ndryshuar norma e deritanishme dhe pse pjesërisht, vetëm për emrat që e bëjnë shumësin me -ra dhe jo për ata që e bëjnë shumësin me -e? Akademik Sh. Demiraj, në një punim të posaçëm për këtë dukuri, ka vënë në dukje se dygjinishmëria e emrave mashkullorë që e bëjnë shumësin me -e dhe me -ra, është një veçori e të folmeve veriore.

Nuk di si ta shpjegojë njeriu faktin që pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij Këshilli nga një anë mendojnë se gegërishtes i është ngrënë haku, kurse nga ana tjetër ia hanë hakun edhe më, duke ia kufizuar fushën e veprimit rregullës së dygjinishmërisë. Sipas nesh, mbaresa ka një peshë të madhe tek emri. Në këto raste, mendohet se mbiemri që vjen pas emrit, lidhet më shumë me mbaresën e shumësit (që është e gjinisë femërore) sesa me vetë emrin. Si pasojë, përligjet edhe vënia e mbiemrit në gjininë femërore në shumës. Sado që nuk jemi marrë me këtë çështje, e ndiejmë se kundërshtimi i ndërakademikëve është i gabuar. Po të niseshim thjesht nga ideja për të kundërshtuar, atëherë kundërshtimet nuk do të kishin fund. Siç dihet, në të gjitha gjuhët e botës për çështjet e drejtshkrimit, përveç anës shkencore, ka edhe një marrëveshje. Dhe marrëveshja që është arritur në Kongresin e Drejtshkrimit nuk është e keqe.

Mjaft nga “këshillat” ndërakademike merren me gjëra që do të ishin objekt i një gramatike të gabimeve. Kështu, në njoftimin e qershorit 2014 thuhet: “Në Këshill u mbështet mendimi se duhet të shkruajmë e të themi  populli ynë, jo populli jo­në; djemtë tanë, jo djemtë tonë; djali yt, jo djali jot; vajzës sime, vajzës sonë, jo vajzës time, vajzës tonë; vajzës sate, jo vajzës tënde; ne shqiptarët, jo neve shqiptarët; cili student, jo kush student. Po ash­tu duhet shkruar u tha atyre, u foli studentëve, u bëri thirrje të gjithëve, jo i tha atyre, i foli studentëve, i bëri thirrje të gjithëve, siç po përdoren gabimisht mjaft shpesh sot.” Të tilla këshilla ka me shumicë në njoftimin e mbledhjes së qershorit. Por këto janë gjëra të thëna dyzet vjet më parë, në doracakun normativ “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (1976) dhe, si rrjedhim, ato vlejnë vetëm për anëtarët e Këshillit që nuk e kanë lexuar këtë manual.

Pra, nga këto “rregulla” sintaksore shihet se ndërakademikët, në vend që të merren me çështje me të vërtetë shkencore të sintaksës së shqipes, rimarrin gjëra fare të thjeshta që janë thënë shumë e shumë herë, ose krijojnë probleme të paqena sa “për t’u gjendur Kola në punë”. Me këtë nuk duam të themi që problemet e normës janë të parëndësishme. Po sikur nuk shkon për një ndërakademik të japë këshilla të tilla, si p.sh. duhet thënë vajzës suaj dhe jo vajzës tuaj. Me probleme të tilla merret shkolla, ndërsa ndërakademikët duhet të trajtojnë probleme pakëz më shkencore. Në qoftë se një Këshill Ndërakademik merret me gjëra kaq të thjeshta, atëherë puna e tij është e kotë. Këto çështje shumë të njohura nuk mund të jenë objekt diskutimi për një Këshill Ndërakademik. Kjo tregon se ai ka rënë në nivelin e mësuesve të 9-vjeçares dhe nuk ka më asnjë vlerë.

te pranishem









































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Max Verstappen shpallet kampion bote në Formula 1, titulli i katërt në karrierë

Max Verstappen shpallet kampion bote në Formula 1, titulli i katërt në karrierë