Gazeta “Koha Jonë” ka
datëlindjen, mbush 24 vjet !

Gazeta “Koha Jonë” ka<br />datëlindjen, mbush 24 vjet !
Gazeta “Koha Jonë” është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, e cila është themeluar me datë 11 Maj 1991 në qytetin e lashtë të Lezhës. Themelues i saj është Nikoll Lesi. Por gazeta ka patur si bashkëdrejtues të parë gazetarët Nikoll Lesi dhe Zef Shtjefni. Gazeta filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës , duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar e ku në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe, e përditshme, e Shqipërisë dhe arriti kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 82 mijë kopje të shitura në ditë me kryeredaktor Ben Blushi. Por gazeta ka kaluar në shumë peripeci gjatë këtyre 24 viteve.


Në korrik 1992 Nikoll Lesi i fali Aleksandër Frangaj 40 për qind të pronësisë së gazetës, ku avokat i këtij veprimi ishte Spartak Ngjela. Gazeta u bë me stafin më kurajoz e profesionistë në vend. Periudha më e vështirë , por më e sukseshme e kësaj gazete, mbeten vitet 1992-1997, ku jo vetëm ishte një gazetë profesioniste e kurajoze, por edhe u shndërrua në një “universitet “ të medias shqiptare për atë kohë. Gjatë kësaj periudhe media “ Koha Jonë” nxori në treg edhe gazetat “ Sport Ekspres” dhe “AKS”.

Ndaj gazetës “Koha Jonë” pati arrestime të kryeredaktorit Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Leka me 31 janar 1994, ndjekje penale kundrejt drejtorit Nikoll Lesi dhe rrahje e burgosje të gazetarëve nga pushteti i kohës. Me 1 nentor 1995 forcat e errëta të SHIK-ut vendosën tritol tek shpia e drejtorit Lesi që shpërtheu, por fatmirësisht familja e tij shpëtoi nga antentati. Kulmi arriti natën e 2 mars 1997 kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë” dhe ajo nuk doli në treg për 40 ditë. Për këtë masakër shtetrore botuesi Lesi ka bërë padi në Prokurori e në Gjykatë, dhe për çudi çështja vazhdon në dyert e drejtësisë edhe sot e kësaj dite.
Në 31 janar 1997 Aleksandër Frangaj vendos të largohet edhe nga pronësia e gazetës dhe ia shet aksionet e tij, të dhuruara nga Nikoll Lesi, po Nikoll Lesit. Nga viti 1997 deri me datë 7 mars 2007 Nikoll Lesi vazhdon të jetë botues i “Koha Jonë”.

Gjatë kësaj periudhe Lesi, përveç gazetës “Koha Jonë”, “Sport Ekspres” dhe “AKS” nxjerr në tregun mediatik një radio dhe televizion ose siç quhej atëhere RTV KOHA.
Me 7 Mars 2007 Nikoll Lesi largohet nga media për t’iu përkushtuar politikës si deputet dhe ia shet 100 përqind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj, ndërkohë mediat e tjera ua shet personave të tjerë. Por surprizat dhe çuditë nuk vonojnë dhe me datë 17 Tetor 2013 Aleksandër Frangaj njofton se heq dorë përfundimisht nga pronësia në gazetën “ Koha Jonë” . Nikoll Lesi e blen gazetën të cilën e themeloi në Lezhë në vitin 1991, duke u kthyer në media, falë edhe eksperiencës që krijoi në politikë duke qenë 12 vjet deputet në parlament.


Në multimedian “KOHA JONË” kanë punuar emrat më të mëdhenjë të medias shqiptare: Nikoll Lesi, Martin Leka, Aleksandër Frangaj, Ben Blushi, Frrok Çupi, Teodor Keko, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Sokol Balla, Filip Çakuli, Arian Çani, Mimoza Dervishi, Adi Krasta, Mimoza Picari, Kiço Blushi, Rezart Xhaxhiu, Anila Basha, Enton Abilekaj, Henri Çili, Rudina Xhunga, Arta Marku, Jonila Godole, Lorenc Vangjeli, Skender Minxhozi, Bledar Zaganjori, Mentor Kikia,Keida Kostreci, Andi Bejtja, Alfred Peza, Anila Jole, Aleksandër Çipa, Juli Krisafi, Eriona Shehu, Fatos Baxhaku, Arban Hasani, Ilir Babaramo, Esmeralda Gjoka, Vladimir Prela, Gent Shkullaku, Fatmir Meneri, Edi Lesi, Ylli Pata, Alban Dudushi, Sokol Bregu,Roland Qafoku, Gerti Çarçani, Arben Rrozhani, Mikel Janku, Zef Shtjefni, Marash Mirashi, Gavrosh Levonja,Gezim Nushi, Tritan Kokona, Emin Barçi, Auron Sulo, Zamir Alushi, Arben Vata, Erli Murati, Ilir Gjoni, Xhovani Shyti, Enkel Demi, Tonin Çobani, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Ylli Dylgjeri, Dritan Kaba, Agim Xhafka, Milto Baka, Vehab Kaba, Adriatik Dosti, Eglantina Nasi, Albina Gjergji, Edmond Arizaj, Manjola Zeka, Roland Zili, Urim Bajrami, Agim Neza, Qamil Xhani si dhe disa të tjerë.


Sot “Koha Jonë” mbush 24 vjet !

Pjesë nga libri i Nikoll Lesi që do dalë në botim : Historia e " Koha Jone"

Redaksia e parë e gazetës

Ishim dy veta, unë e Zef Shtjefni, me datë 11 Maj 1991. Në numrin e parë shkruajtën e botuan Zef Shtjefni kryeartikullin me titull “ Gazeta po përpiqet të ringjallet...A do ta mbajnë lezhjanët si të tjerët ?” . Daniel Gazulli botoi “Italia-kaq afër dhe kaq larg lezhjanëve”, unë botova një shkrim për një vajzë 15 vjeçare që luante futboll në Suedi e ishte nga Lezha. Më kishin kërkuar ta botoja në gazetë sportive, por mendova më mirë tek “Koha Jonë” dhe u mirëprit nga rinia, Marash Mirashi një shkrim me titull “Djalëria prej druri”, Tonin Çobani një kritikë letrare për librin e Preç Zogaj “Katër novela në një libër”, rubrika për mësimin e gjuhës italiane ( mësimi numër një) që ishte nën patronazhin direkt të Zef Shtjefnit, një reportazh nga Zef Përgega, një grafikë e Pashk Përvathit, nga Gjovalin Gjeloshi shkrimi “A diskutojmë për barazi midis partive politike”, e një mori lajmesh.


E kështu doli numri i parë i së parës gazetë të pavarur në Shqipëri. Në redaksi , përvec Zef Shtjefnit si bashkëdrejtues, erdhën pak më vonë si staf zyrtar Marash Mirashi, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli e një vajzë, Vera Ivanaj, nga Ishull Lezha që na daktilografonte shkrimet , por që kishte prirje letrare, dhe vinte nga një familje artistësh. Sandrin, se kështu e thërrisnin, e kisha takuar në Lezhë, tek pallati i Kulturës së qytetit të Lezhës, në mos gabohem me piktorin lezhjan Pashk Pervathi e regjizorin Ismet Zusi. Ishte student në Akademinë e Artëve në Tiranë. Një djalë i imët, krejt thatim, me një nerv të zjarrtë, sikur ta kisha vëlla të vogël, pasionant. E kisha takuar Sandrin edhe në një piknik që bëmë në verën e vitit 1990 në Sarandë me një grup të rinjsh nga Lezha.

Deri në fillimverën e vitit 1991 nuk kisha ndonjë miqësi apoo ta quaja shok apo mik të ngushtë. Ishte një prej të njohurve në Lezhë. Por nga pak e përditë Sandri vinte tek unë në atë zyrë ku kishim një tavolinë, një makinë shkrimi të vjetër e tre karrike e me pamje nga qendra e qytetit të ri. Ishte miqësor dhe dalloja tek ai një dëshirë të pandalshme për t’u bërë gazetar. Pasi filloi shkrimin e parë dhe pa botimin, nuk ndalonte më Sandri. I përditshëm me mua. Vdiste për mua. Më kishte idhull dhe nuk më ndahej. Unë në kafe e Sandri në kafe, unë në xhiro e Sandri në xhiro, unë drejt për në shtëpi dhe ai më shoqëronte deri tek shkallet e pallatit, unë në stadium e ai po në stadium. Më donte shumë.

Muajt e verës së vitit 1991 ikën me të nxehtin, më zhurmë e sherr të madh nga pjesa e pushtetit të Partisë së Punës në rreth, pasi u bënë xheloz për suksesin tonë si gazetë. Gazeta tashmë kishte hequr vargonjtë e varësisë nga Partia e Punës e po kthehej në një gazetë me shtrirje rajonale e që kërkohej shumë nga lexuesit. Na bllokonin me shkresa drejtuar shtypshkronjës “Mihal Duri” se “po shtypni një gazetë të paligjshme”, etj. Me 5 korrik botojmë një shkrim për presionin e Partisë së Punës se na kishte bllokuar numrin e llogarisë bankare të gazetës. E ku kishte gjë të ligjshme kur po binte sistemi komunist ! Partia e Punës njihte dy rrugë: ose gazetë partiake pro saj ose gazetë kundër saj, por vetëm partiake !

Ne kishim nisur një udhë të re, një media të pavarur apo edhe private quaje si të duash, pasi ende nuk kishte ligj, siç e kam thënë edhe më lart. Ndaj gjeta një “gozhdë” për të varur pavarësinë tonë dhe e shkruanim si gazetë e shoqatës së gazetarëve të Lezhës. Kjo shoqatë as nuk kishte lekë e asgjë nuk të jepte në pikëpamjen financiare, por duke patur Tom Therçaj e Martin Leka , kryetar e sekretar, na ndihmuan jashtëzakonisht shumë përballë burakracisë e zilisë së Partisë së Punës që po jepte shpirt nga pak e përditë. Kurdo që na vinin kontrolle nga pushteti lokal e qendror, ne , thonim se “është gazetë e shoqatës së gazetarëve”, e kontrollorët iknin. Unë e Zef Shtjefni donim të botonim çdo javë gazetën me lekët tona, që nuk kishim lekë në të vertëtë, por nga shitja e gazetës merrnim e paguanim. Unë aspiroja të ishte një gazetë e askurkujt , por e njerëzve të lirë , por pushteti komunist në prag të vdekjes na bllokonte e na nxirrte njëmijë pengesa.

Edhe vetë nuk dinim saktësisht se ç’gazetë donim. Dinim vetëm se nuk duhej të na urdhëronte njëri ! Genc Palushi , drejtor i fabrikës së letrës në Lezhë ka një meritë , të cilës edhe sot i përulem; na jepte letër gazete, ndonëse letër e trashë, por na bëntë punë për të botuar gazetën në Tiranë. Nuk na i kërkonte lekët e pagesës në moment, se nuk kishim ku ti merrnim, por kishte urdhëruar financën e fabrikës që “lekët për letrën e gazetës do ti merrni kur të shitet gazeta “. Ishte një ndihmë e pazëvëndësueshme për atë kohë. Shkoja në atë zyrë të vogël, redaktonim shkrimet që për fat “vlonin” në rradhë, takoja gazetashitësit për lekët, hypja mbi kamionin e rradhës për në shtypshkronjë në Tiranë, kthehesha; prapë tek dera më prisnin zyrtarët e kontrollit për “gazetë pa leje (!)”, shkoja në shtëpi haja diçka shpejt e shpejt, prapë në punë , prapë në Tiranë, prapë …. Të them të drejtën në disa momente, për pak, sa nuk u lodha e të dorëzohesha; ta mbyllja edhe unë gazetën e lirë, siç e mbylli Partia e Punës ! I thashë njëherë më shaka Sandrit, vite më vonë, “ po sikur unë ta mbyllja gazetën , ku do të ishe ti sot ?! Një sedër prej njëriu ,që vonë e kam kuptuar vetveten, prej dreqi, më bëri të eci përpara e të mos u dorëzohem dëshirave xheloze e smirxhinjve, që nuk ishin pak . Zef Shtjefni punonte me përgatitjen e rubrikës së gjuhës italiane , e cila kërkohej shumë nga lexuesit, me sportin, me reportazhet.


Ishte i kudondodhur. Tani, pas kaq vitëve, kam kuptuar se një mbështetje, e cila ishte shpirtërore, e brendshme, jetike për mua ishte bashkëshortja ime , Natalia. Atëhere isha vrull, erë, furtunë dhe mundet nuk e ndjeja direkt se vetë koha në atë vit , ishte e mbrapshtë; gjithë kurthe, zili, njërëz që shikonin rrënimin e tyre e donin të më merrnin me vete , në humnerën që i priste. Zef Shtjefni , me të cilin e fillova i pari gazetën e pavarur, iku në Tiranë. U ndjeva shumë keq kur iku. Kam qarë me lot . Sandri vinte, shkruante e ikte herë pas here në shtypshkronjë për të më ndihmuar. Kur kishte ndonjë lekë në sirtarët nga shitja e gazetës, ai, merrte për një paketë cigare “DS”. Tre gazetarët e tjerë të punësuar nga unë me një kontratë pune , qesharake, pa asnjë bazë ligjore se nuk kishte ligje, vazhdonin punën. Unë nuk mund të prisja ligjet e reja e që sistemi të emancipohej. Një nuhatje prej njeriu të sprovuar në këto vite në gazetë , më bënte të turresha drejt Tiranës, se atje ishte kryeqendra, atje bëhej politikë, atje ishin e mira dhe e keqja e kombit !


Pra që gazeta të kishte më shumë shkrime e material nga Tirana , nga emrat e mëdhenjë të politikës e ekonomisë, medias. Më duhej dikush që rrinte në Tiranë për shkrime. Sandri u bë më i afërt me mua. Ishte , mos harroni, ende fundviti i 1991. Nuk kishte bukë, varfëri e madhe, protesta nga PD , përditë. Redaktori që kishte me tepër talent në gazetë ,nga të punësuarit, ishte Marash Mirashi. Edhe poet. I ndershëm në skajshmëri, porse, nga padjallëzia edhe i përdorshëm më vonë kundër meje në një moment që nuk e harroj edhe sot. Me një talent të lindur për poezi ai donte të ndryshonte gjithçka siç e mendonte ai, më të bukur, por brenda një dite ! Sandri ishte më tokësor, më praktik.. Ne punonim e prapë na vinin tek zyra e vogël kontrolli se gjoja “ botonim gazetë të paligjshme !”.

Atëhere kërkova ndihmën e Marash Hajatit që ishte kryetar i shoqatës së gazetarëve të Shqipërisë, i cili, siç kam thënë ishte njeri me shpirt të madh e profesionist. Me datë 13 nentor 1991 me shkrese nr.75 Ministri i Drejtesisë zoti Shefqet Muçi na dha lejen për botim të “Koha Jonë”. Ndërkohë ne kishim vazhduar botimin prej datës 11 maj, pa leje se ashtu ishte koha, në ndryshim sistemi sistemi ligjor. Kjo na lehtësoi paksa ndër hallet tona të përditshme. Lekët nga shitja e gazetës, i përdornim për shtypshkronjën, për pagat , për bileta treni apo makina. Për udhëtim në makina-skoda, mbi zhavorr , bileta ishte me çmim të lirë ! Por nuk vonoi xhelozia e shpirti i keq . Na mbërriten kontrollorët, sikur ne po fitonim miliona lekë ! Kontroll bilancëve- na thanë .


E ku kishim ne ,bilance. Nuk e njihnim fare fjalën bilanc ! Një gjysëm financier na mbante ca mandate , por as që dija se çfarë ishin tamam në gjuhën e financës. Na bllokuan në bankë e në shtypshkronjë. Hej, dreq, thashë me vete, edhe kjo më duhej. Ne lodheshim gjithëandej për të gjetur shkrime, marrë intërvista, mbushur gazetën për botim , transportonim me një makinë të prishur letrën e gazetës nga Lezha në Tiranë ; donim diçka të re, tjetër, të lexueshme e nga ana tjetër shteti na donte edhe bilance ! Pyeta në darkë vjehrrin, pasi na kishte bllokuar policia financiare. Ai duke qenë financier i vjetër, më thotë se “ Nuk mundet të punosh pa dokumenta bankare e financiare. Kush të ka lejuar deri tash ?!”. Hej dreq , thashë prapë me vete , edhe vjehrri me thotë se je gabim ! Pas kësaj punësova dikë që merrte vesh nga këto punë dhe dolëm nga qorrsokaku, por për momentin. Më duhej të isha vetë edhe gazetar, edhe drejtues, edhe magazinier letre, edhe administrator, korigjues i faqosjes; gjithëçka ! Na kishin vënë në shënjë zyrtarët, pasi gazeta po rritej, po kritikonte ashpër.Ndërkohë erdhën emra të njohur në gazetë. Me 2 gusht 1991 i mora një intërvistë Zv/kryeministrit dhe ministër i Ekonomisë Gramoz Pashko. Frrok Çupit, që ishte shkarkuar nga kryeredaktor i gazetës “Rilindja Demokratike”, iu ngjita pas dhe mora një intërvistë të shkëlqyer, e cila ishte kundër Berishës, siç foli Frroku.


Me datë 9 gusht 1991 u botua intërvista e Frrokut. Tre ditë punoi shtypshkronja për të shtypur. Ne nxirrnim gazetën në treg dhe ajo përpihej nga lexuesit. Nxora prapë tirazh të dytë. E përlanë dhe pjesën e dytë të tirazhit. Nuk më kishte ndodhur që të më vinin gazetashitësit e Tiranës në rradhë tek hyrja e shtypshkronjës e të prisnin togjet e gazetave “Koha Jonë” . Ne, zakonisht, shkonim tek pikat e shitjes dhe u çonim gazetat. Këtë herë erdhën ata tek ne. Po kërkohej gazeta me intervistën e Çupit, kudo, edhe në jug, ku nuk kishim shkuar asnjëherë si gazetë. Atëhere dhashë urdhër që të shtypej përsëri ; shkoi në tre ditë një tirazh diku tek 22 mijë kopje, çka as në endërr nuk e kisha menduar. Fillova edhe të bëhesha “i pasur”.

Me këtë intërvistë brilante pagova, pas pak ditësh, borxhet në shtypshkronjë e në fabrikën e letrës në Lezhë. Frrok Çupit kur i çova, në kafe, një shumë lekësh si honorar, nuk i pranoi. As edhe një lekë nuk mori. U habita se zakonisht donin lekë ata që shkruanin. Të shkruaje , asokohe, kundër Berishës që ishte në ngjitje, të etikonin “komunist”. Ne shkruanim ashpër edhe kundër Qeverisë e Partisë së Punës që u konvertua në Socialiste. Ngadalë po hynim në një rreth vicioz, PS e PD po na shikonin me inat, por akoma nuk ishim sulmuar egër. Të dyja palët donin “ose mua ose kundër meje”! Ne nuk donim asnjërën palë. Mendonim se i shërbenim publikut më mirë si të pavarur. Na dukej si diçka e bukur fjala “ gazetë e pavarur”, tërheqëse, bile edhe e drejtë që në faqet e gazetës të kishte informacion, komente e intërvista nga të dyja palët kundërshtare. Nuk isha profesor gazetarie, por ndjeja se kështu duhej, se ishte diçka e re, e bukur, ndonëse rraskapitëse. Punonim për të qenë të pavarur, të lirë, por në prapaskenë të tjerët thurnin plane për të na varur, jo vetëm si gazetë, por edhe përsonalisht, edhe politikisht. Me 13 shtator vendosa të bëj anëtar në këshillin botues të gazetës, Aleksandër Frangaj, dhe e botova emrin e tij në faqen numër katër. Po ecte mirë ky djalë. Me datë 8 nentor e pranova si pjesë të stafit të gazetës. Atë numër botoi një rubrikë me “ Pesë pyetje e 30 përgjigje “ me opinione me drejtues të gazetave qendrore.

Nga ky numër Sandri po bëhej i lexuar dhe më i papërtuari për çdo punë që i ngarkoja në gazetë. Kishte prirje dhe unë vetëm sa i hapa derën e parë të kësaj udhe të gjatë dhe i ndryshova drejtimin e jetës, nga punjës kulture në gazetar. Jeta përveçse është përkushtim , punë, porse është edhe fat. Edhe Sandri pati fat me mua e unë u bëra më i fortë më të. Meqënëse, pak muaj pas 11 majit 1991, kur iku bashkëdrejtuesi i parë i gazetës “Koha Jonë” Zef Shtjefni, unë quhesha “de facto” si pronari i gazetës atëhere mendova që ti drejtohem edhe “de jure” gjykatës së Lezhës për të më njohur si person juridik privat. Gjykata më donte një formalitet që të gjithë ata që kanë financuar financiarisht për të mbajtur gazetën dhe që janë edhe punonjës , të firmosin në një letër. Asnjëri nuk kishte dhënë qoftë edhe një lekë.

U mblodhëm me 8 mars 1992 si redaksi dhe hartuam një proces verbal, ku shkruhej se “Nikoll Lesi është pronar i gazetës ,ndërsa si kryeredaktor jemi dakort për Marash Mirashi”. Në fund të proces verbalit firmosëm, të gjithë që punonin në gazetë , në atë moment: Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Vera Ivanaj, Aleksander Frangaj , Marash Mirashi e Nikoll Lesi. E më pas edhe Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë dërgoi shkresë se ishte dakort me këtë privatizim. Ishte një formalitet kot së koti, pasi nuk kishte ligj për gazeta private. Nejse, ia dërgova gjykatës. Me datë 10 mars 1992 gjykata e Lezhës me vendim nr. 296 me jep të drejten e ushtrimit si përson juridik privat. Epo tani po hyja në udhë të drejtë, me bilance , me vendim gjykate ! Përveç punës së stërmundimshme, ndonëse pasionante të gazetës në sensin profesional , më duhej edhe të kthehesha në administrator apo menaxher zyrtar të gazetës. Pra edhe gazetar, edhe kryeredaktor, edhe menaxher . Isha idealist ose më saktë fluturoja në ajër. Erdhi 22 marsi 1992, fitoi PD e Berisha. U lumturuam dhe bëmë festë, edhe në gazetë. As që na shkoi në mendje se do të na masakronte pushteti demokratik i PD-së.

Ishim mësuar e kishim bërë ”qejf”,duke kritikuar pushtetin e PS-së që po ikte e ishte i lodhur, por kur na u vërsul pushteti i Berishës filluam të flasim më vete. Kishin dorë të rëndë, këta demokratët ! Ndërkohë kishin ardhur në faqet “Koha Jonë”, të cilët ose shkruanin vetë ose jepnin intërvista , pena e përsonalitete të mëdha kombëtare si Teodor Keko, Frrok Çupi, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Preç Zogaj, Azem Hajdari, Agim Isaku, Dritero Agolli, Vath Koreshi, Neshat Tozaj, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Fatos Lubonja. Gazeta po kthehej nga pak e përditë në një tribunë të mendimit të lirë. Po bëhej edhe kombëtare ,pasi shkonim edhe në jug të Shqipërisë. E kishim hequr dhe fjalen “gazetë e Lezhës” dhe e shkruajtëm thjeshtë “Gazetë e pavarur”. Aleksandër Frangaj ndërkohë ishte redaktor në staf dhe po shkëlqente në raport më kolegët e tjerë të redaksisë. Më ishte kthyer në një krah të djathtë, realisht korrekt, më donte shumë mua.

Në momentin që kisha gjetur zgjidhje juridike për gazetën, filluam të kuptonim fjalën administrim . Mësova se çfarë ishte mandat arkëtimi, mandat pagesa, bilanci, etj. Futëm për herë të parë reklamën në media. Financat e gazetës filluan të shtoheshin. Isha në një moment pothuaj vetkënaqësie, të them të drejtën. Por krejt papritur ia bëhen kundër meje në një artikull në Tiranë në gazetën “Tribuna Demokratike” e PD-së me një titull :” Ndal revanshit antidemokratik të Nikoll Lesit”. U trondita. E kishin shkruar tre redaktoret e mijë; Marash Mirashi, Alfons Zeneli e Edmond Kaçeli. I doja shumë dhe i kisha ndihmuar, por edhe më ishin gjendur afër. Nuk e doja veten atë ditë ! Nuk isha mësuar me sulme te tilla, siç u mësova më vonë . Në qytetin e Lezhës ku kisha familjen e kishin lexuar me një frymë. Shumëkush shqiptonte nëpër dhembë se “ tani po e fusin në burg Nikollën”. Disa të tjerë kishin thënë tek kafja e pallatit të kulturës “mirë ia bënë, se dashka ky fshatar prej Spitenit ti jap mend Tiranës ! “. Porse shumica e njërëzve ishin shqetësuar për mua dhe për fatin e gazetës, pasi ishte një burim informacioni i besueshëm e kurajoz. Bëra gjumë pa gjumë atë natë ! Ishte shenja e parë e pushtetit te ri demokratik se do të më “masakronte” për qejf, nëse do të vazhdoja në udhën time për një media të pavarur. Fatmirësisht Sandri nuk pranoi ofertën e gazetarëve të stafit të dilte kundër meje. U luhat njëherë, por pas ishte i qartë.


Mund të ishte edhe më keq për mua nëse edhe ai dilte kundër, ndonëse, edhe fati i dha Sandrit, më vonë, fat e mirësi , edhe lavdi në këtë zgjedhje që bëri. Ai kaloi hapur me mua e kundër kolegëve që më masakruan. Më vonë mora vesh se ishin nxitur nga dikush në Tiranë nga radhët e PD-së. Marash Mirashi u pendua për shkrimin kundër meje dhe me datë 4 korrik 1992, ditë e shtunë, pranon rikthimin në gazetë.Ndërkohë gazeta rritej çdo javë e bëhej më e kërkuar, por ndjeja nevojën se duhej më shumë hapesirë e jo të ngelte vetem brenda territorit të Lezhës, ndonëse kishte emra VIP nga Tirana që shkruanin. Po vinte kohë tjetër, më e bukur, por edhe më e vështirë. Ndjenim se duhej të shkonim me zyra në Tiranë, pasi ishte shumë e lodhshme, në mos stërmunduese në mënyrën se si punonim deri në këtë kohë. Merrnim shkrime apo intërvista në Tiranë, vraponim për në Lezhë, i kalonim nga diktofoni në makinë shkrimi, i redaktonim, bënim gati planfaqosjen e gjithë faqeve të gazetës, diskutonim titujt, nëntituj, llojin e gërmës që do të vinim, merrnim trenin apo makinat e rastit prapë për në Tiranë. Shkonim e rrinim në shtypshkronjë deri natën vonë.


Fatmirësisht kishim një radhitës të gërmave prej plumbi në shtypshkronjë, i cili kishte prirja letrare. Luan Pengili quhej. Edhe rradhiste , edhe na korigjonte ndonjë gabim nga shpejtësia që kishim bërë me Sandrin. Shumëherë na zinte mesnata në shtypshkronjë. Dilnim të raskapitur e nxitonim të kërkonim ndonjë hotel. Njëherë nuk gjenim hotel pas orës një të natës kur mbaruam faqosjen e gazetës tek “Mihal Duri”. U sollëm nëpër Tiranë për hotel. Nuk kishim lekë për të gjetur dhoma në hotelet e mira. Iu drejtuam një hoteli që ishte pas ndertesës së Lidhjes së Shkrimtarëve. I vjetër, porse për atë orë e për takatin tonë ishte ideal si hotel. Trokitëm. Dera ishte mbyllur nga një roje që rrinte në recepsion. Ishte qershor 1992.

-Ça doni mor çuna ? – na u drejtua e na shikoi me dyshim. Kujtoi se ishim hajduta apo njerez të natës.
-Dy dhoma duam !- tha Sandri
-E ku ka dy dhoma këtu ore !- dhe bëri të mbyllte derën.
-Aman ju lutemi se kemi mbetur jashtë, tani mbaruam punën në shtypshkronjë. Jemi gazetarë- ndërhymë të dy në kor.
-Një dhomë po deshet ,por ka vetëm një krevat tek dhe një krevat për fëmijë të vegjël–na u drejtua portieri. Pamë njeri tjetrin.
-Dakort ! – tha Sandri mënjeherë. – Ti fli në krevatin e madh e unë në atë të bebes! – foli dhe u ngjitëm sipër. Një dhomë që të merrej fryma, me myk .


Krevati i fëmijës ku u fut Sandri ishte kaq i vogël sa vetëm kokën e gjysmën e kurrizit kishte brenda tij e këmbët e gjata të Sandrit kishin dalë mbi dërrasën anësore të krevatit. Por nga stërlodhja na bëri që të mos e ndjejmë, ndonëse unë fjeta si “qingj”. Ishte një episod nga një mori hallesh e problemesh me të cilët na duhej të përballeshim. Ishte kohë e vështirë, ndonëse e bukur. Na dukej edhe si aventurë. Më në fund vendosa ti dhuroj Aleksandër Frangajt 40 për qind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë”. Ishte sjellë mirë. Më dëgjonte, më ndihmonte . Por duhej një statut, një aktmarrëveshje. Nuk dinim si bëhej një statut. Më kishin rekomanduar avokat Spartak Ngjelën për të më bërë aktet juridike . Nuk e njihja. E takova në hotel Dajti.Mu duk një burrë fisnik, me një papion në qafë, me syze e më një të folur hokatar.


-Ti je ai, Nikoll Lesi?- mu drejtua sapo ju prezantova-Epo nuk e ke të keqe gazetën ! Mirë duket si fillim !- shtoi dhe nuk vonoi të më pyesë prapë.
-Keni statut gazete ju ? –mu drejtua dhe rrufiti kafenë duke më parë në bisht të syrit. Preç Zogaj që ishtë prezent seç i tha në vesh. Dëgjova teksa avokati iu sul Preçit “ Pse ore me këtë nga fshatrat e Lezhës që ka një gazetë me letër bakalli do bëni ju politikë në Tiranë ?!”- Pra nuk keni statut !- vazhdoi avokati- Po pse do ta bësh bashkëpronar këtë Frangaj? Çfarë pasurie ka ky, toka, flori apo çfarë- dhe preku syzet, një ves që nuk iu hoq asnjëherë.
-Është miku im ,e kam si vlla –i thashë ,duke mos ditur se kjo do të bëhej batutë e avokatit për 22 vite rrjesht .
- Ore ku ka vlla sot ! Sa aksione do ti shesësh atij ? Sa lekë të jep ai në dorë ?- insistoi avokati.
-Nuk do ti shes, por do ti fal 40 % përqind të gazetës –thashë pa e ditur reagimin e tij me shpoti.


-Ore je në vete ti ! Ku jeton ti ore ? Edhe doni të ndërtoni kapitalizmin ?! Po ç’gazetë bën ti kur nuk njeh rregullat e kapitalizmit! Duhet të paguajë ky Aleksandri, një dollar, por ama të paguajë ! Jo jo , unë nuk të ndihmoj, shkoni e gjeni ndonjë avokat nga ata të nomeklaturës komuniste !- tha me inat avokati dhe donte të ngrihej nga karrikja. Ndërhyri Preç Zogaj dhe u ul- E mirë, mirë , meqënëse e paske si vlla ,po vij. Por më vonë mos thuaj se nuk e kam më vlla ! Kur do të shkojmë në Lezhë ? Atje e keni qendrën?- pyeti paksa më i zbutur.
-Nesër-, i thashë. Ishte meskorriku. Të nesërmen u nisa me avokatin për në Lezhë me një makinë BMË , e bardhë, por që nga halli ne e përdornim edhe për kurs autoshkolle se kisha hapur për të fituar ndonjë lekë që të mbaja gazetën. Që në fillim e paralajmërova avokatin se kujdes ,pasi në anën e pasagjerit, pra në vendin e parë, mekaniku kishte vënë një tub hekuri për frena paralel me frenat e shoferit. Ishte makinë për gazetën , porse edhe autoshkollë ! BMË ishte me dy dyer, e ku për tu futur pas, duhej të përkuleshe kokën e trupin që të hyje pas shoferit. Historia e blerjes së makinës tip BMË është një story tjetër që sa herë e kujtojmë me Sandrin qeshim me të madhe, të dy.


Janar i vitit ’92 sapo kishim mbaruar punën në shtypshkronjë . Dolëm për makinë që të ktheheshim në shtëpi në Lezhë. Atëhere pas Muzeut Historik Kombetar e përballë Estradës së Tiranës ishte një vend, si edhe sot, por që atëhere rrinin disa taksi. Taksi u thënçin se ishin pa leje, por kishte filluar tregu i tyre privat. Kishim kaq shumë ftohtë me Sandrin sa iu drejtuam një makine të bardhë. BMË ishte.
-A na ço deri në Lezhë ?- i thashë, duke u futur nga dera e parë pas shoferit. Akoma nuk ishte përgjigjur ai kur u futëm se po mbaronim nga të ftohtit. Na tha sa lekë do ti jepnim e u nisëm. Rruga për në Lezhë kalonte nga rruga e vjetër që shkon për në Mamurras e Laç e më pas dilte në urën e Matit. Rrugës po bënim muhabet me shoferin e taksisë se sa bën një makinë, etj. Na tha se donte ta shiste se është me benzinë e harxhon shumë. Në një moment i drejtohem shoferit.


-Sa na e jep makinën ?- i thashë . Ai shikoi në pasqyrën e makinës , sikur thoshte “nëse janë në rregull këta apo jo ?”.
-900 mijë lekë . Po ku keni lekë ju që ta bleni?! –tha si me shpoti. Dikur arritëm në Lezhë. Ndaluam në qëndrën e qytetit, para pallatit të kulturës ku kishim atë zyrë modeste. Zbritëm.
-Më prit të sjellë 900 mijë lekë dhe lekët e taksisë që të kthehesh në Tiranë !– iu drejtova shoferit. Ai shqeu sytë, por edhe u gëzua. I doli treg për të shitur makinën. U ngjita në zyrën e gazetës . E dija se ishin diku nja një milionë lek të mbledhura nga shitja e gazetave. Zbrita. I dhashë një milionë lekë. Dhe shkuam tek një noter për blerjen .
-Po pse 100 mijë më shumë po më jep?-pyeti duke mos e ditur tipin tim.

I numëronte si napolona floriri.. U bëmë me makinë, si gazetë . Me këtë makinë BMË,siç e thashë, po ecja rrugës së vjetër të Mamurrasit. Si për dreq shtova shpejtësinë e avokati ishte shtrirë në karriken e parë, pak si në një dremitje korriku. Vetem kur makina frenon gozhdë në vend. Kokën mbi timon unë e avokati me kokë tek xhami i përparmë !
-Ça bëre ti ! Ore di ti japësh makinës apo me ke sjellë për aventura ?-mu drejtua sa nuk më hëngri me sy. U ndjeva keq. Doli nga makina e bërtiste avokati.
-Ç’më more në qafë o Preç ! Po kthehem në Tiranë !-mu drejtua dhe doli në anën tjetër të rrugës për të gjetur makinë për tu kthyer.”Mos”,thashë me vete .
-Avokat ! Nuk e kisha unë fajin, por ti !- u mundova t’ia shpjegoj e ti ul nervat.
-Ore pse unë isha në timon apo ti ?!-gjithë prepotencë mu drejtua.
-Ke shtypur ti frenat e krahut tënd që i përdor instruktori i autoshkollës !- po ia shpjegoja avokatit e ndërkohë nxirrte dorën makinave të kthehej në kryeqytet. Sandri më priste atë ditë në Lezhë . Po të kthehej avokati Sandri nuk do ishte bashkëpronar e ndofta as sot në media .


-Po pse me makinë autoshkolle më sjellë mua ti që të bëjë statutin e gazetës tuaj?!- tha me një inat që e tregonte hapur se ishte penduar që ishte nisur me mua nga Tirana. Dikur i ra inati, por as makinat nuk e morën. Arritëm në Lezhë. E qetësova me një drekë buzë detit. Avokatit kur i vjen humori nuk ka njeri që i del përballë. Ishim avokati, Sandri dhe unë në drekë. Plasi e qeshura gjithë drekën.
-Hajde gëzuar djema ! Jeni pishtarë të fjalës së lirë, bravo ! Keni gazetë anglosanksone !- thoshte. Më datë 17 korrik, ditë e premte, firmosëm unë dhe Aleksandri . E bëra ortak, juridikisht. Të nesërmen në faqen e parë , djathtas, u botuam ndryshimet në drejtimin e gazetës; unë kalova drejtor , ndërsa Sandri kryeredaktor. Ditë e Madhe e një udhe të gjatë plot vështirësi .
Zef Shtejfni, bashkëdrejtuesi i parë i “Koha Jonë” shkruan:


Në Lezhë fryn shpesh erë, sepse është përballë detit. Shkodranët kanë nxjerrë një batutë origjinale e thonë se ”lezhjanë të krehun e shkodranë të terun zor se gjen”! Por në atë vit, kur po lindte gazeta e parë e pavarur në Shqipëri frynte një erë e veçantë. Frynte më e fortë se era e detit; ishte era e ndryshimeve të mëdha politike. U mblodhëm si zogjtë e braktisur të klloçkës së vjetër atë ditë fundprilli, të gjithë gazetarët, bashkëpunëtorët, shokët tanë. Komiteti i Partisë kishte vëndosur ta mbyllte gazetën. Ne, të gjithë, donim që ajo të jetonte. Ishte bërë tashmë një pjesë interesante e jetës provinciale në Lezhë dhe dukej sikur do t’i hiqje një copëz trupit të qytetit. Kujtimi Dashi e Nikoll Lesi që ishin të punësuar në gazetë , më parë , ndiheshin si të tradhëtuar e hedhur në rrugë.

Kujtimi u përpoq në heshtje të kërkojë një punë tjetër. Nikolla nuk pranonte të dorëzohej. Ai nuk kishte lenë rrugë e cep të rrethit të Lezhes pa shkelur në këmbë në kërkim të temave për shkrimet e tij. Të lije Nikollën pa gazetë në atë kohë ishte njësoj si ta lije pa çati mbi kokë. Pasiguria e përgjithshme për të nesërmen kishte filluar të pllakoste vendin. Ndihej se horizonti po sillte ditë me ngjarje të vështira e me plot të papritura për të cilat askush nuk ishte i përgatitur. Diskutuam gjatë në atë mbledhje se si ta mbanim gazetën. U fol që t’i ndërronim emrin nga “Koha Jonë” ,që thuhej se ia kishte vënë Foto Çami , në një emër tjetër “Lissus” e që ishte emri i vjetër i qytetit. Tonin Çobani këmbënguli fort që emri të mos ndërrohej, sepse thoshte është i bukur e bashkëkohor në çdo kohë.

Aq më tepër se gazeta njihej me këtë emër. Ky mendim u përkrah nga shumica. Atë ditë krijuam redaksinë e gazetës së parë private dhe të pavaruar në Shqipëri. Zgjodhëm këshillin botues, rrjetin e bashkëpunëtorëve. Piktori i njohur Pashk Përvathi mori përsipër të na dizenjonte logon e re të gazetë. Bile një germë e bëri gabim dhe ashtu mbeti vite me radhë. Gjithçka diskutuam në atë mbledhje, por harruam një gjë të “vockël”. Me çfarë lekësh do ta botonim gazetën. Duheshin lekë, sepse tani e tutje do të ishte private. Askujt nuk i hynte në kokë kjo ide pasi deri atëhere gjithçka e paguante shteti. Pra duheshin “zgjedhur” pronarët që ta financonin e drejtonin. Kush kishte lekë në atë kohë ?! Mëqënëse asnjë nuk doli vullnetarë, Nikolla hidhet e thotë se do e marrim unë dhe Zef Shtjefni. Në fakt kisha folur me të dhe mu duk interesante , e guximshme të drejtonim një gazetë me Nikollën. I kisha thënë se nuk do të lë në baltë dhe hajde ta bëjmë, nëse asnjë nuk të del krah. U krijua një heshtje. Asnjë nuk ngrinte kokën .
-Kush do të vij tjetër me ne ?- pyeti Nikolla. Të gjithë ngrinin supet.


-Për shkrime na keni, për të harxhuar lekë e për t’u marrë me gazetën nuk mundemi !-ishte përgjigja e sejcilit.
-Na ngeli dopoigjashta !- i thashë Nikollës në vesh kur dolëm . -Po tani si t’ia bëjmë- e pyes.- Ku ti gjejmë lekët.
-Hajt se do t’i gjejmë- tha ai dhe as që e kishte idenë se ku, por siç është Nikoll Lesi, përherë optimist i pandreqshëm.
-Po ti ke ndonjë lekë, Nikoll ?-e pyes prapë.


-Asnjë kacidhe,- më përgjigjet. Na duheshin të gjenim nga 15000 lekë për numrin e parë. Ku ti gjeje 15 000 lekë ?! U ritakuam të nesërmen herët në mëngjes. Shokët e bashkëpunëtorët e gazetës, ndër vite, na dorëzuan një tufë shkrime që ditën e parë. Po si t’ia bënim për lekët e shtypshkronjës . Unë arrita të gjeja vetëm 7500 lek. Nikolla kishte gjetur 5000, por pasdite kishte premtime , për t’ia dhënë borxh, edhe për ca lekë të tjera.
-I njoh ata të shtypshkronjës- më tha Nikolla- Do na ndihmojnë për numrin e parë. Të dytin e nxjerrim me shitjen. Hajde t’i futemi punës se do ia dalim !- më thotë. Lekët, Nikolla, sikur nuk i kishte në plan të parë. I nënvleftësonte apo nuk ua dinte vlerën. Dhe në fakt lekët më duket se mbeten pika e dobët e Nikollës, gjithë kohën. Kur i kishte, i masakronte ! Leku e Nikoll Lesi nuk shkojnë bashkë ! Dhe kështu e nisi jetën dhe rrugën e gjatë, mbi makina saurrela riportabël nga Lezha në Tiranë, gazeta e parë private dhe e pavarur në Shqipëri “ Koha Jonë” kur regjimi komunist ishte në ditët e tij të fundit. Për fat zyrën e redaksisë ekzistuese në Lezhë na e lanë për ca kohë. Natën e parë të shtypit në Tiranë fjetëm mbi dengjet e letrës dhe gërmave prej plumbi në shtypshkronjën “Mihal Duri” në rrugën e Kavajës. Nikolla e rregulloi punën e shtypjes më aq lek sa mblodhëm. Ishin kuotat e para të dy ortakëve të parë të gazetës “Koha Jonë”.

Ishte kapitali i saj themelor. Kishim mbledhur, ndërkohë, nga 7500 lekë sejcili dhe i kishim ndarë kuotat përgjysëm nga 50% . Ashtu me marrëveshje mes nesh, pa statut, pa akt themelimi, sepse në atëkohë askush nuk dinte se ç’janë ato dhe s’kishte as noter e as ligje. Bëmë më pas një marrëveshje me shkrim mes nesh dhe ashtu mbeti gjatë. Në shtypshkronjë atënatë kishim tufën e shkrimeve të kolegëve tanë. Por gazeta nuk mund të dilte si me parë. Duheshin ndërruar shumë gjëra. Prapë nuk i mbushëm dot të gjitha faqet e gazetës. Gjetëm ca faqe të një reviste të huaj me ca femra të bukura, me kostume plazhi, që kishte hyrë fshehurazi. Vendosëm t’i botonim meqë po afrohej sezoni veror. Gjëra të papara në shtyp asokohe. Futem edhe leksionin e parë të gjuhës italiane, pasi librat për italishten nuk ekzistonin. Nikolla kruhej të niste kritikat me pushtetarët e kohës. Tehu i kritikës gjithsesi ndryshoi ashpër që në numrin e parë. Pas dy ditësh morëm dengjet e gazetës dhe u nisëm mbi kamiona për në Lezhë. Numri i parë ishte një bum i befasishëm për ne. Po blihej i gjithë tirazhi me shpejtësi.Të rinjtë donin të shihnin fotot e vajzave në plazh! Të tjerët donin leksionin e italishtes.

Më të rriturit mbeten me sy hapur kur panë kritika aq të ashpra për pushtetarë të ndryshëm. Qyteti filloj të ziente. Gazeta e parë private në vend kishte lindur ! Për numrin e ardhshëm morëm një trastë më të rëndë me shkrime më vete nga Lezha prej kolegëve tanë si Irfan Rama, Tonin Çobani, Gjovalin Gjeloshi, Mond Kaçeli, Frano Kulli, Zef Përgega, etj. Kështu u nisëm prapë e çdo javë për në shtypshkronjën e plumbit “Mihal Duri”, shumë më entuziast se herën e parë, më të bindur se gazeta do të jetonte. Nuk është se mblodhëm shumë lek, pasi falem një pjesë të numrit të parë. Sidomos Nikolla falte ngado ! Si gjithmonë, Nikolla po të kishte dicka, nuk e zinte gjumi pa e ndarë me të tjerët. Edhe me paratë sillej kështu. Kur merrte rrogën donte t’i qeraste të gjithë. Sikur i jepnin alergji në xhep ato të shkreta lekë ! Por shtypshkronja na donte lekët . Nuk falte gjë. Numri i parë me 500 kopje gazete iku shpejt . Nikolla vjen në zyrë me turrin e erës e më thotë;


-Zef, këtë javë do të botojmë dyfishin ! Bëj gati leksionet e italishtes, gjej foto të tjera, por artistësh apo emra nga ato që i pëlqen rinia , na shih ndonjë gjë nga sporti jashtë e brenda vendit .Për dajak ndaj këtyre plehrave po mendoj unë me shoket e tjerë ! – e iku me vrap, siç erdhi.
-Bobo !-thashë me vete-në një javë dyfish tirazh ! Hajde e ndaloje furtunën Nikollë ! Fortunë e zjarr mbeti gjithë jetën ! Në fakt kështu ndodhi çdo javë. Gazeta u rrit me një shpejtësi befasuese. Lezha u bë shumë e vogël për të. Nuk e nxinte më as me gjithë rrethina e me gjithë Shkodrën, ku e shisnim . Dëngjet e gazetave u shtuan e u shtuan kur e shtypnim. Shpesh u vinim supin vetë, i ngarkonim nëpër biçikleta, nëpër zetorë e karroca , kamiona zhavorri e ç’të gjenim. Eh, çfarë kemi hequr me Nikollën ! Por u rrit numri i bashkëpunëtorëve, numri i shkrimëve, u rrit kurajo e njërëzve për të shkruar pa pseudonime dhe hapur. Në një nga këto ditë, bile më kujtohet , na vjen në redaksi një djalë i ri i, shumë i imët nga shendeti. Nuk më kujtohet nëse erdhi vetë apo na e solli Nikolla . Filloi të na ndihmonte në shtypshkronjë . Më pas, na tha:
-Dua të bëhem gazetar !- E quanin Sander. -Kam një shkrim- më tha Aleksandri. Do ma fusni këtë numër ? –Ma jep ta shoh një herë, djalosh-, i thashë. E kishte titulluar ”Kryetari i leshit”. U gajasëm me ironinë therëse të tij . E kishte me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të kohës. Ia kishte qendisur dy faqe më blozë se vetë bloza !

Ta botoje atë shkrim në ato ditë do të thoje të dilje jashtë nga zyrat në rrugë, pasi zyra ishte e shtetit . Të mos e botoje do të thoshte frikë për ne si staf drejtues. E zbutem pakëz bashkërisht me të, shkrimin. Nga ajo ditë Sandri nuk na u nda më. Nikolla më tha se më duket djalë mirë ky Sandri. Kishte energji, grintë, ishte punëtor i tmerrshëm dhe kursimtar i madh Sandri. Por shpesh ishte shpërthyes dhe i rrëmbyer e duhej kontrolluar. Nikollën e donte , bile e admironte. Krahas tij na ndihmoi Pal Dragusha që korrektonte mbi plumb e mbi letër rradhët e pafund të shkrimëve. Emra të rinj e pena të njohura vërshuan në gazetë. Një pjesë e vogël e shkrimeve vinin të daktilografuara, por pjesa më e madhe vinin me shkrim dore. Gazeta në pak javë doli nga Lezha. Në Tiranë filluam ta shpërndanim me ndrojtje, me tirazh të pakët. Nxorëm ca njërëz nëpër kryqëzime rrugësh. Filloi të shitej shpejt edhe këtu, në Tiranë. Vrulli i punës na përfshiu të gjithëve sa nuk arrinim dot t’u vinim rend gjërave. Nikolla ishte kthyer në fortunë të vërtet. Me shpejt ikte se vinte, pas lajmëve, shkrimëve, intërvistave, transportit, njërëzve të shitjes , pagesave. Përditë e nga pak po bëheshim gazetë serioze, e kërkuar .


U bë ligj në gazeten tonë që të dëgjoheshin të gjithë zerat. Kush kritikohej kishte të drejtë të replikonte, gjë që nuk ishte parë deri atëherë .Gazeta u bë tribunë e vertetë demokratike, e bukur, e larmishme, e pavaruar. Ishte pronë e gazetarëve të lirë, pronë e financave të saj që vinin vetëm nga shitja e gazetës. Jam krenar që me Nikollën bëra të parën gazetë të pavarur në Shqipëri. Shpresoj të mos përsëris ato që ka shkruar Nikolla në këtë libër, por nuk mund të lë pa përmendur edhe një episod tjetër që më ka mbetur në mendje. Kur gazeta arriti në pak muaj jetë tirazhi kishte shkoi mbi 20 mijë kopje me intërvistën e Frrok Çupit,në gusht 1991. Unë rastësisht takova një politikan, mashtrues. Ai më bindi të futem në politikë. Ishte e rëndë t’ia thoja Nikollës. Gjithsesi vendosa t’i shkoja në shtëpi në darkë.
-Çkemi Zef, ka ndodhur gjë ?- më pyeti që tek dera. Ma lexoi fytyrën nga larg.


-Erdha të bisedojmë pak për diçka të rëndësishme-,i thashë dhe sapo u ula fillova t’i shpjegoj se do ikja në Tiranë e të merrem me politikë.- fola e ula kokën.
-Si, do me lëni vetëm?! E ke me gjithë mend apo tallesh?- më pyeti me sytë që iu përlotën mënjëherë.
-Jo,- i thashë- nuk po tallem, por është një rast që nuk mund ta humb edhe për arësye familjare. I rrodhën lotët si fëmijë, Nikollës. U ndjeva keq dhe fillova ta ngushëlloja me fjalë - Po tani ke Sandrin, ke Marashin, ke Martinin, Mondin, Palin; nuk je vetëm. Nuk do kesh problem për mua. Por lotët e Nikollës sikur ma shkruanin në fytyrë fjalën “i pabesë”. Desha të pendohem e të kthej vendimin tim për të ikur , por joshja e politikes dhe ambicia nuk më lanë. Ika. Lodhja në gazetë më trembte. Gjithsesi kjo qe nata ime e keqe e ndarjes me Nikollen dhe gazetën “Koha Jonë”. Ashtu siç u nisa, edhe në politikë me eci keq fati. Nuk arrija të përzihesha me atë soj sorollopi njërëzish të pafytyrë e moral të ulët që ishin mbledhur atje ku shkova në Tiranë, në një parti.


E shihja veten se nuk kisha kurrëfare gjeje të përbashkët me ata. Ndaj pothuaj pas një viti e lashë. Kur ia tregova Nikollës situatën, më tha pa u menduar dy herë, kthehu në gazetë. Më ofroi 30 % të kuotave edhe pse më kishte likujduar një për një 50% -in tim, kur isha larguar. Atëhere nuk kuptonim shumë nga kuotat, nga ortakëria, nga prona. Por mund ta them se Nikolla kishte dashamirësinë njërëzore, dëshirën për të punuar bashkë, kishte bujarinë e altruizmin për tjetrin, më të madh se kushdo që ka hyrë e dalë në atë gazetë. Unë nuk u ktheva më në gazetë. Fati më kishte caktuar një udhë tjetër. Por prapë nuk shkëputesha dot prej saj. E lexoja çdo numër, sikur të isha prapë bashkëbotues i saj, siç bëra kur e krijuam me Nikoll Lesin me 11 maj 1991. Koha kaloi me shpejtësi. Shumë gjëra ndryshuan. Por gazeta “Koha Jonë” u kthye në një shkollë të vërtet të medias shqiptare. Ishte bërë simboli i shtypit të lirë në Shqipëri. Ishte kthyer në monument dhe themel frymëzimi për mediat e tjera , të cilat lindën furishëm në vitet që pasuan.


Pas shume vitesh “hyra” prapë në “Koha Jonë”, në mos gabohem në vitin 2006. Në Pragë të Çekisë ku kam punën sot më vjen një ftesë e Nikollës për të marrë pjesë në një përvjetor të gazetës. Atmosfera që gjeta në Hotel Rogner ishte shumë festive. Por unë ndieja se diçka nuk shkonte. E njihja mirë Nikollën. Ishte financa që nuk e linte të ecte përpara gazetën. Këtë radhë, mbase, nuk e kishte fajin Nikoll “duarlëshuari”. Por tregu ishte dërmuar nga gazetat që shiteshin me çmime nën kosto, të sponsorizuara nga paratë e paligjshme, nga tenderat e Qeverisë . Askush nuk e ndalonte më këtë plagë që po vriste shtypin e lirë në vend, po vriste edhe vetë Nikoll Lesin e “Koha Jonë”, po vriste edhe kujtime e mija për diçka që bashkëthemeluam me Nikollën. Kështu gazetën e bleu Aleksandër Frangaj, bashkëpronari i Nikollës, pasi ika unë. Nikolla bëri mirë që ia shiti Sandrit e jo ndonjë biznesmeni që nuk ka haber nga media. U sigurua kështu përsëri mbijetesa e vijimësia e gazetës. Ajo është përsëri sot në treg në mes të sa e sa gazetave të tjera që nuk e dimë se si jetojnë. Ka ruajtur emrin, por fatkeqësisht, më duket, është tjetërsuar, ka humbur gjithëçka tjetër nga ajo “Koha Jonë”, e lavdishme.
Me mall e respekt
Zef Shtjefni, Pragë, (Çeki)


nikoll lesi

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5