Gjergj Frashëri: Pasuria
arkeologjike është në rrezik

Gjergj Frashëri: Pasuria<br />arkeologjike është në rrezik
TIRANE- Ndërsa pritet ende një dorë e fortë për të ndalur stuhinë shkatërrimtare mbi trashëgiminë kulturore, Gjergj Frashëri boton librin e tij të ri “Trashëgimia e Shqipërisë në rrezik”. Ky është një botim që e ka marrë lëndën e tij nga ndjekja hap pas hapi e problemeve të trashëgimisë arkeologjike prej autorit. Prej vitesh me intervistat që ka dhënë në media, Frashëri ka ngritur probleme të mëdha të arkeologjisë shqiptare. Problemet nisin me zonat e zbulimeve arkeologjike të cilat bëhen arenë eksperimentesh për universitetet dhe shoqatat e huaja arkeologjike dhe përfundojnë me dhënien e tenderëve dhe pronave nëpër zonat arkeologjike.

Veç të tjerash në libër analizohen reformat në trashëgiminë kulturore nga qeveritë paraardhëse dhe si ua kanë hapur këto “reforma” rrugën ndërtimeve pa leje mbi monumente, shkatërrimeve, grabitjeve dhe tjetërsimeve të trashëgiminë kulturore, etj. Gjergj Frashëri brenda këtij libri përfshin studime, kritika dhe ese që prekin në thelb problemet e arkeologjisë. Ai nuk ngurron që të përmendë institucionet dhe personat përgjegjës që kanë shkaktuar dëmet në librin “Pasuria arkeologjike në rrezik”. Disa prej autorëve ai i ka bërë publike edhe në media. Në artikujt e shkruar në këtë libër nuk mungojnë as akuzat e guximshme ndaj shkaktarëve të shkatërrimit të arkeologjisë shqiptare.

Brenda këtij libri përfshihen edhe intervistat e Gjergj Frashërit, dëshmi e faktit që ai nuk e ka reshtur apelin e tij për t’u ndalur vrullin dëmeve mbi arkeologjinë shqiptare. Një artikull i botuar në këtë libër, i cili është bërë publik edhe në media gjatë 2012-s mban titullin “Neritan Ceka-Apollon Baçe, dëshmi e dëmeve për ruajtjen e monumenteve të kulturës dhe pasurisë arkeologjike”. Autori akuzon ashpër në këtë artikull këshilltarin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Neritan Cekën dhe ish-drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe. Gjergj Frashëri nuk ka mundur të heshtë kur “tempujt e famshëm të Durrësit zhduken në plehra arkeologjike”.

Nuk mundet të heshtë as kur, “jo vetëm institucionet por edhe specialistë të arkeologjisë nuk respektojnë rregullat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ruajtjen e vlerave arkeologjike”. As kur veprat unikale ndërkombëtare mbesin “në duar të errëta qiraxhinjsh për t’u shpërfytyruar”. Duke ndjekur gjurmë pas gjurme çështjet, siç citohen më sipër, i gjithë libri i Gjergj Frashërit kthehet në një lloj manifesti kushtuar arkeologjisë kombëtare. Po cilat janë arsyet që kanë çuar në hartimin e këtij libri. Autori Gjergj Frashri i shpjegon me detaje në parathënie, duke na treguar se pas këtij libri do të renditen vëllime të tjera; “Reagimi 1”, “Reagimi 2”, derisa të përshkruhet e gjithë historia e dhunimit të vlerave të trashëgimisë kombëtare.
 
 E vërteta e shkatërrimit të Durrësit antik
 Një vend të veçantë në librin “Pasuria arkeologjike e Shqipërisë në rrezik” zënë shkatërrimet që i janë bërë Durrësit antik (Epidamus). “Sesi dhe në c’masë mund të rrënohet një qytet me pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike në kohë paqeje, nuk ka shembull në historinë botërore që t’ia kalojë Durrësit të viteve 1992-2013”, shkruan Gjergj Frashëri në një nga kapitujt e këtij libri (F.171).

Ai e quan të sakrifikuar këtë vepër gjigante të trashëgimisë historike botërore nga politika. “Tempujt e famshëm të Durrësit zhduken në plehra arkeologjike” titullohet kapitulli që i kushtohet historisë së shkatërrimit të Durrësit që nis me kazmën e parë të ndërtuesit privat në nëntokën arkeologjike dhe përfundon me hedhjen e dëshmive të antikitetit në detin Adriatik dhe ato sipas Frashërit të padokumentuara janë njësoj “sikur të mos kenë ekzistuar kurrë”. Nëse i referohemi një shënimi hyrës në faqet e këtij libri, Gjergj Frashëri ia ngarkon fajin për shkatërrimet arkeologjike në Shqipëri më së shumti qeverisë së parë demokratike.

Ironia e tij për mungesën e seriozitetit të qeverisë së parë demokratike në drejtimin e shtetit bashkohet me akuzat e drejtpërdrejta për aktin e papërgjeshmërisë ndaj trashëgimisë arkeologjike dhe asaj kombëtare. Gjergj Frashëri vjen më një përvojë pune nga Gjermania, shtet evropian që i ka shumë të forta statuset e ruajtjes së trashëgimisë dhe vlerave të tjera kombëtare. Ndërsa pamja që i qaset në atdheun e vet, pas kthimit nga Gjermania është kjo: ”Në korrik të vitit 1992 u ktheva në Tiranë për të vazhduar punën në profesion. Por këtu e kishin braktisur profesionin edhe profesionistët më të mirë se unë.

Një qeveri e konvertuar brenda një nate me demokratë të përzgjedhur nga PPSH-ja, të cilët tregonin gishtat V në qiell pas stërvitjeve afatgjata me grusht pranë tëmthit; një president nga shumica myslimane, i zbritur nga provincat e thella të antikitetit kanunor të Shqipërisë, me sytë nga veriu, një burokrat i vockël zyrash në “kathedran” e kryeministrit dhe një i burgosur shumëvjeçar i konservuar për kryetar kuvendi me vështrim nga Vatikani-një shtresë e kërrusur nga pesha e shërbesës së stërgjatë ndaj Sigurimit të Shtetit të diktaturës, drejtonin vendin me strategjinë e çekut të bardhë. Shqipëria e tyre marshonte drejt shkatërrimit dhe përvetësimit të pasurisë kombetare...”. Këtu e nis autori i librit edhe intrigën për të na rrëfyer proceset degraduese të monumenteve të trashëgimisë që do të vijojë të tregohet kapitull pas kapitulli dhe më pas do të ndiqet edhe me vëllime të tjera. 
 
 Frashëri, replikë edhe me reformat e qeverisë së re për IMK-në
 Tre vitet e fundit në vështrimin e tij analitik specialisti i arkeologjisë Gjergj Frashëri, i cili aktualisht është edhe anëtar i bordit të Këshillimit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, i konsideron reformat e qeverive të mëparshme në arkeologji “si dëmtimi i qëllimshëm antikombëtar i veprave historike të vendit tonë, por edhe shfrytëzimi paskrupull i këtyre dëmeve në favor të përvetësimeve financiare private të grupimeve dhe individëve të veçantë”, duke shtuar se padyshim në mesin e të cilëve ndodhje edhe zoti Ceka dhe zoti Baçe”, ndërsa ngre pikëpyetjen edhe përpara qeverisë së re: “Nuk shpjegon kush, përse luhet ende ky kriminalizim i veprave kombëtare.

Frashëri duket se ka vërejtje për reformat e reja. Në libër ka detaje të rëndësishme për historikun e shkatërrimeve të vlerave arkeologjike, në Kalanë e Lezhës, Kalanë e Beratit, Kalanë e Krujës, në Amfiteatrin e Durrësit, etj, etj. Në artikujt e shumtë të këtij libri, Gjergj Frashëri hedh disa teza dhe jep shembuj të vendeve europiane që trashëgimia kulturore, jo vetëm të ruhet si dëshmi e identitetit kombëtar por edhe të kthehet në një burim kryesor të ardhurash të konsiderueshme të buxhetit kombëtar.
 
Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj Kevin Hajrullës, autorët lëvizën me makinë me targa italiane të vjedhura! S’u gjetën në mjetin e djegur

Atentati ndaj Kevin Hajrullës, autorët lëvizën me makinë me targa italiane të vjedhura! S’u gjetën në mjetin e djegur