Gjetja e personave të zhdukur në komunizëm

Gjetja e personave të zhdukur në komunizëm

Familjarë të viktimave dhe të zhdukurve në komunizëm për shkak të bindjeve politike u takuan të mërkurën në Shkodër me përfaqësuesin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në përpjekje për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimeve të tyre, të fshehura nga regjimi komunist. Luigj Ndou, që përfaqëson Shqipërinë në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, thotë se deri tani nuk ka patur përpjekje të organizuara, që do të çonin në identifikimin e personave të zhdukur. Ndaj, Komisioni po punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe përfshirjen e familjarëve të viktimave në këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.

Zoti Ndou i tha Zërit të Amerikës se, nga raportimet e familjarëve, janë evidentuar deri tani edhe një numër vendvarrimesh.

“Ka të paktën 27 vendvarrime, ku është përcaktuar qartë lokacioni i vendndodhjes së mundshme, por nuk ka patur asnjë zhvarrin në këto vende. Këto të dhëna janë marrë qoftë nga dëshmitarët, të cilët kanë bërë përpjekje për të gjetur të afërmit e tyre, apo qoftë në bazë të dokumentacionit që është gjetur nëpër arkiva të ndryshme”.

Mes familjarëve të të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit është edhe Ndoc Vat Gjoni nga Pulti i Dukagjinit. Ai thotë se, pas vitit 1991, familja e tij nisi kërkimet për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, por pa sukses pasi mungonin dëshmitë dhe të dhënat arkivore.

“Kam djalin e axhës të zhdukur. Është vra në vitin 1952 në përpjekje me forcat e sigurimit në fshatin Kurte. Kemi bërë shumë përpjekje për gjetjen e eshtrave të tij dhe nuk i kemi gjet deri sot. Edhe sot vazhdojmë me u përpjekë”.

Edhe Ndoc Çulaj, me familjen e tij nga Malësia e Madhe, pas vitit 1991 nisi kërkimet për gjetjen e vendvarrimit të 6 familjarëve të pushkatuar gjatë viteve të komunizmit.

“Nga dega e familjes tonë janë pushkatuar gjatë regjimit komunist 6 persona, nga të cilët 4 në kufi. 5 i kemi gjet pa ndihmën e shtetit, 1 nuk e kemi gjet dhe nuk dihet vendvarrimi i tij”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga shembje e diktaturës në Shqipëri, ende nuk ka një numër të saktë të personave të zhdukur si dhe një hartë të vendeve ku ata u varrosën në fshehtësi pas ekzekutimit.

“Ajo që ne dimë është se, që nga viti 2018, tek Autoriteti i Dosjeve, Instituti ish të Përndjekurve dhe ICMP janë paraqitur diku rreth 880 kërkesa, pra raportime nga familjarët, të cilët i kanë akoma njerëzit e tyre të zhdukur. Bëhet fjalë për të zhdukurit e periudhës së diktaturës”.

Në vitin 2018, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) duke siguruar që vendndodhjet e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre të hetohen në mënyrë efektive. Ndërkohë, kur kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i diktaturës, në Shqipëri kanë ndodhur transformime të mëdha të territorit, duke e bërë të vështirë procesin e gjetjes së të zhdukurve./VOA

 

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!