TIRANË- Ndryshe nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila prej 1 shtatorit ka vendosur në zbatim rregulloren e re që censuron median, Apeli i GJKKO nuk i është bashkuar këtyre kufizimeve, edhe pse të dyja gjykatat ndodhen në të njëjtën godinë. Këtë të mërkurë, gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit me telefonat celularë, të cilët do të lejohen edhe gjatë seancave gjyqësore. 

Ishte gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani e cila u garantoi gazetarëve sot se rregullat e transparencës nuk do të ndryshojnë dhe se rregullorja e hartuar nga GJKKO nuk do të zbatohet nga Apeli.

“Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë. Nëse ju pengojnë të qëndroni në hollin tonë me vini në dijeni”, u tha Saida Dollani-gazetarëve.

Shoqatat e gazetarëve e kanë kundërshtuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së, e cila sjell kufizime të forta për mediat, deri te ndalimi i përdorimit të telefonave, regjistruesve brenda në sallën e gjyqit dhe kamerave. 

Rregullorja e re është edhe nën ‘lupën’ e OSBE-së, e cila thotë se po e ndjek çështjen nga afër. Në një reagim për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, prezenca e OSBE-së në Shqipëri thotë se është në komunikim me Gjykatën e Posaçme dhe po konsultohet edhe me palë të tjera të interesuara.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vijon ta ndjekë nga afër këtë çështje. Jemi në komunikim me Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe po konsultohemi edhe me palë të tjera të interesuara. Do të vijojmë të angazhohemi në një dialog konstruktiv me të gjitha palët e përfshira për çështjet që janë aktualisht në vlerësimin dhe shqyrtimin tonë”, thuhet në reagimin e OSBE-së për Report Tv.

Rregullorja e re e hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erion Bani u fut në fuqi nga 1 shtatori dhe vendos kufizime e ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë.

Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale të informacionit në redaksi.

Ndërsa për Rregulloren e re pati një valë në rritje reagimesh nga shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit, nga GJKKO, i vetmi reagim ishte ai i konfirmimit se nuk ka ndërmend të bëj pas. Gazetarët u njoftuan pas mesditës se grupi i deritanishëm i komunikimit të njoftimeve do të mbyllet dhe se do të hapet një grup i ri, vetëm me gazetarët që do të akreditohen sipas përcaktimeve të Rregullores së re.