Apeli i Posaçëm ka rrëzuar poshtë vendimin e GJKKO për Jusel Micin e Mendim Domin, dy organizatorë të një skeme kriminale mashtrimi me Call Center, që u shkaktuan qytetarëve europianë një dëm prej mbi 15 milionë eurosh.
Më 18 qershor të 2025 GJKKO i dënoi gjithsej me 23 vite burg për disa vepra penale: mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.
Gjykata vendosi konfiskimin e 14 pasurive të paluajtshme, përfshirë: 3 apartamente, 2 të Micit dhe 1 i Domit, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore (rreth 26 mijë metër katror) dhe 3 llogari bankare të Domit me vlerë rreth 200 mijë euro. Gjithashtu, u konfiskuan të gjitha sendet e sekuestruara gjatë kontrolleve në subjektin “Telex” shpk, të cilat shërbyen si prova materiale në procesin penal.
Grupi me bazë në Tiranë u godit në dhjetor 2022, pas një kërkese të prokurorisë së Pizës në Itali dhe pas koordinimit me EUROJUST. SPAK ka konkluduar përmes hetimeve të nisura që në vitin 2021 se qytetarë italianë, spanjollë dhe gjermanë kontaktoheshin përmes telefonit, bindeshin të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit, por përfundonin duke humbur investimet e tyre, që llogaritet mbi 15 milionë euro.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 22.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2/66 akti, datë 21.10.2025 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve J.M. dhe M.D., ndaj vendimit nr. 42, datë 17.06.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar si vijon:
“1.Deklarimin fajtor të të pandehurit J.M. për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, në dëm të disa personave, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit J.M. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit J.M. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit J.M. për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, e parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna në një dënim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
Bazuar në nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri J.M. t’a vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit M.D. për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, në dëm të disa personave, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit M.D. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit M.D. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit M.D. për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, e parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna në një dënim të vetëm me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Bazuar në nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri M.D. t’a vuaj dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
3. Në bazë të nenit 190/1, shkronja (a) të K.Pr.Penale, të nenit 36/1, shkronjat (a) dhe (ç) të K. Penal, vendoset konfiskimi i pasurive si më poshtë:
Pasurisë nr. ****, zona kadastrale ****, vol. **** fq. ****, me sipërfaqe 62m², e llojit apartament, me adresë: rruga ****, pall. ****, k. ****, shk. ****, ap. ****, në emër të shtetasve E.D, M.D. dhe S.D;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, vol. **** fq. ****, me sipërfaqe 83.00 m², e llojit apartament, me adresë: rruga ****, godina **** H. **** Ap. ****, në pronësi të J.F.M.;
Pasuri nr. ****, zona kadastrale ****, vol. **** fq. ****, me sipërfaqe 78.00 m², e llojit apartament, me adresë: rruga ****, godina **** H. ****, në pronësi të J.F.M. dhe A.K.M.
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 4100.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të M.Sh.D. dhe A.A.J;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 3720.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të M.Sh.D.;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 4600.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të M.Sh.D.;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 1300.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të M.Sh.D.;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 2639.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të J.F.M.;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 2733.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të J.F.M. dhe A. K. M;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, me Kodin Unik ****, me sipërfaqe 4000.00 m², e llojit arë, me adresë: ****, në pronësi të J.F.M.;
Pasuria nr. ****, zona kadastrale ****, vol. **** fq. ****, me sipërfaqe 3180.00.00 m², e llojit Are, me adresë: rruga ****, në pronësi të J.F.M. dhe subjektit ***.
Llogaria personale plus në bankën UNION BANK, në emër të M.Sh.D., në degën ****, me numër ****, në shumën 195,763.24 euro.
Llogaria personale në bankën UNION BANK, në emër të M.Sh.D. në degën ****, me numër ****, e cila ka 417,454.64 lekë.
Llogaria rrjedhëse në bankën UNION BANK, llogari biznes plus në emër të M.D. person fizik, në degën ****, me numër ****, në shumën 528,719.00 lekë. Duke kthyer pjesën takuese të pasurive te subjektit *** dhe shtetasit A. A. J.
Konfiskimin e të gjitha sendeve të sekuestruar me procesverbalet e kontrollit në subjektin ”***” shpk datë 13.12.2022 dhe me procesverbalin e sekuestrimit te provës materiale datë 03.05.2023.
Sendet e tjera të sekuestruara mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor dhe mbeten në ruajtje për efekt të proçedimit penal të ndarë me nr.166/1 viti 2021.
4. Shpenzimet procedurale të parapaguar nga shteti në fazën e hetimeve paraprake, si dhe ato të gjykimit, t’i ngarkohen të pandehurve solidarisht konform neneve 393/1 dhe 485/3 të K.Pr.Penale.
5. Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Prishjen e vendimit nr. 42, datë 17.06.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e akteve një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs, brenda 20 (njëzet) ditëve, në Gjykatën e Lartë, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, më datë 22.01.2026
Lexoni këtu dokumentin e plotë
Komente












