Nga gjithë akuzat, nga ato më horror të lëshuara në publik nga Sali Berisha dhe gjithë klani i tij, përfshi dhe ish-gjyqtarë, pra njerëz të drejtësisë të investuar për ta linçuar, duket se Prokuroria e Përgjithshme, pas kalimit në sitë, ka vërtetuar se Po! Gjyqtarja e GJKKO është dënuar në Greqi për falsifikim vize. Pra nuk është e lidhur me grupe kriminale, banda, e lloj lloj ç’dëgjuam, por ka shkelur një vizë greke.
Shkojmë në kohën e “krimit” të Irena Gjokës: 24 dhjetor 2002, shkonte në Greqi me bashkëshortin. Duke parë se ishte kohë Krishtëlindje (hakmarrësit e Berishës adhurojnë të godasin në kohë Krishtëlindjesh) me siguri shkonte të vizitonte të afërm që jetojnë aty, ndoshta edhe prindërit, kush e di... Kush nga ne nuk është nisur në kohën e vizave me një vizë në dorë dhe nuk është dridhur në policinë europiane nga frika se mos kthehet, apo se mos gjejnë ndonjë kleçkë (liberalizimi i vizave u arrit me 15 dhjetor 2010). Gjithësesi, gjyqtarja Irena Gjoka është kontrolluar dhe policia greke i ka kontestuar se jo viza, por data e kthimit e vizës ishte e falsifikuar, për këtë është bërë dhe një proces administrativ dhe gjykatësja dhe supozojmë edhe bashkëshorti i saj kanë marrë “dënimin e merituar” nga shteti fqinj. Është fat për Irena Gjokën që u bë një proces, pasi edhe mund të ishte grisur viza e t’i përplasej në fytyrë siç u ka ndodhur jo pak shqiptarëve.
Na kujtohet po në ato vite, sa me mundim arrihej të merrej një vizë në secilën ambasadë dhe kur njëherë, një ish-kolegia jonë e mori dhe do të shkonte të takonte vëllain në Itali, na telefonojnë nga policia në Romë: “Kemi këtu një shqiptare të pasjellshme që thotë se është gazetarja juaj. Që ta besojmë, na nisni një faks në këtë numër!” Gazetarja jonë ose nuk kishte kuptuar në italisht ose me bezdi nuk i ishte përgjigjur siç duhej pyetjeve të policisë në kufi, e cila ka të drejtën të dijë edhe sa valutë kemi në xhep. Ne, faksin që na e kërkuan e kemi nisur më shumë se 20 herë në numrin që na dhanë dhe nga ana tjetër na përgjigjeshin: Nuk ka mbërritur! Gazetarja jonë u la e lirë të kalonte vetëm pas disa orësh të gjata ndalim, kur policëve të kufirit u ranë nervat me të.
Ngjarje në kufi me viza (të rregullta ose jo) mund të ketë çdo shqiptar i ndershëm. Në rastin e Irena Gjokës, e vendosur në shënjestër vetëm sepse nuk është “mikeshë” e Sali Berishës dhe e klanit të tij, ky “krim” merr përmasat gati njësoj ose më rëndë se edhe shpërthimi në Gërdec, ose vrasja e 4 shqiptarëve në bulevard me 21 janar dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve. Pasi me shpejtësi dhe prioritet ky “krim” u vu në hetim.
A ka gabuar gjyqtarja në mosdeklarimin e kësaj mase, ndoshta po. Ndoshta nuk e ka deklaruar nga turpi, ndoshta e ka harruar. Po çfarë ka fshirë vërtetë? Cili është ‘’krimi’’ që kishte bërë? Ka fshirë serverat e kryeministrisë me pamjet e vrasjeve në Bulevard? Apo ka urdhëruar gjithë administratën: prokurorë, mjekë, gazetarë, policë që të fshehin provat e krimit me 21 janar? Jo!
Sjellja e kolegëve të saj, që me nxitim e përgatisin gjyqtaren si një “gjel deti” në tavën e të pangopurit Sali Berisha, kjo po që është e paparë dhe konfirmon frikshëm atë që e kemi thënë qindra herë: Presionet, shpifjet, kërcënimet e Sali Berishës dhe vetëm të Sali Berishës dhe atyre pak njerëzve të tmerrshëm dhe të frikshëm rreth tij, japin efektin e duhur edhe në Drejtësinë e re. Per fat të keq edhe Drejtesia e re po vërteton se miqtë e Berishës dhe familjarëve të tij fitojnë një imunitet total, nderkohë që për “armiqtë e shpallur” të Berishës nuk ka falje, edhe për shkelje nga më qesharaket.
Linçimi sistematik, shpifjet e thëna nga Berisha dhe mediat e tij për cilindo që guxon ta kritikojë apo hetojë janë aty me zë dhe figurë, e zezë mbi të bardhë, por ndërkohë Irena Gjoka do të gjykohet dhe rrezikon gjithë karrierën e saj për një vizë krishtlindjesh në Greqi. Gjykatësja e Fredi Belerit, e Berishës, Mediut, e dhëndrrit e të tjerë e të tjerë, po paguan për një “krim” që edhe në Drejtësi shuhet me logjikën e rrethanave dhe të kohës kur është konsumuar.
Nëse Irena Gjoka ka gabuar vërtetë rëndë, meriton të jetë e penalizuar, por nëse kolegët e saj e dorëzojnë për hakmarrjen e Sali Berishës dhe për atë vizë qesharake Krishtlindjesh, duhet të kuptojnë se hapin me duart e tyre një derë ku do t’u rritet oreksi të gjithëve dhe ku njerëzit e vlefshëm të drejtësisë, njëri pas tjetrit, do të vetëvriten si pasojë e hakmarrjeve të tjera që në Shqipëri nuk kanë të pushuar ndonjëherë. Dhe do ta shihni, si përherë, linçimin alla Berishian edhe pas këtij shkrimi!
Komente











Nji analizë shume e sakt . Ju lumtë.
Përgjigju