TIRANË- Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot ankimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku. Seanca u zhvillua pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje. Qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, ndërsa SPAK e kundërshtoi. Pasi dëgjoi palët, Kushtetuesja është tërhequr për vendim dhe pritet të njoftojë datën dhe orën e shpalljes së tij.
***
Qeveria: Pezullimi i Ballukut s’mund të bëhet pa autorizim nga Kuvendi
Gjatë thuajse 4 orëve shqyrtim gjyqësor të çështjes Balluku në Kushtetuese, ishin tre institucionet më të larta në vend përballë një të vetmi, Prokurorisë së Posaçme SPAK. Institucioni i cili vendosi pezullimin e zv. Kryeministres, Gjykata e Posaçme nuk solli përfaqësues pasi sipas togave të zeza antikorrupsion ato nuk mund të jenë palë në këtë proces. Në një letër drejtuar Kushtetueses GJKKO argumentoi se gjyqtari e jep vendimin në emër të Republikës dhe për këtë ka pavarësi absolute e nuk raporton para askujt.
Qeveria i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit. Përfaqësuesja e qeverisë Irma Qosja tha se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Qeveria i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit. Qeveria argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputeti, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t'i pezullojë ushtrimin e mandatit pa autorizim nga Kuvendi, kjo nuk mund t'i ndodhë as ministrit.
Këshilli i Ministrave tha se vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. “GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij”, tha përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Irma Qosja. Ndërkohë, nga momenti kur Kushtetuesja hoqi masën e pezullimit të Ballukut deri në shqyrtimin e këtij ankimi përfaqësuesit e qeverisë thanë se ministrja Balluku ka marrë të paktën 50 akte që prekin dikasterin e Infrastrukturës.
Edhe Kuvendi edhe Presidenti i Republikës thanë se ministri gëzon të njëjtin imunitet si deputeti dhe nuk mund të pezullohet pa autorizimin e Kuvendit.
SPAK kundër: S’ka konflikt kompetencash
Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kundërshtuan pretendimin e qeverisë duke thënë se nuk ka asnjë konflikt kompetencash mes dy pushteteve. Sipas SPAK, pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e kryeministrit, i cili vetëm emëron ose shkarkon, dhe për rrjedhojë nuk mund t’ia marrin Edi Ramës një kompetencë që nuk e ka.
Prokurorët e SPAK i thanë Gjykatës Kushtetuese se me vendimin e saj për ta rikthyer në detyrë, Belinda Balluku ka cenuar marrjen e provave. Për rrjedhojë, ata kërkuan që të ngelet në fuqi vendimi i GJKKO-së për pezullimin e saj nga detyra, pasi ekziston rreziku që ajo të “helmojë provat”.
SPAK nënvizoi se masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve shkallëve të tjera të gjyqësorit. Pra, sipas SPAK në Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë. SPAK i ktheu përgjigje pretendimeve të qeverisë për pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës, duke thënë se vendimi i GJKKO-së në asnjë rast nuk cenon imunitetin e saj si deputete.
"Lidhur me pretendimin për shkelje të imunitetit të deputetit, ky pretendim është i pabazë, kërkuesi tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Kushtetuta nuk e parashikon, mandati i deputetit dhe ministrit nuk krijojnë një status të vetëm juridik”, tha prokurori i SPAK.
Gjykata u tërhoq për vendim i cili sipas ligjit duhet të shpallet brenda 30 ditëve. Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.
Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë.
SPAK pretendon në Gjykatën Kushtetuese se masa e pezullimit e kërkuar për parandalimin janë kërkuar në bazë të rrethanave për vazhdimin e hetimit. SPAK thotë se është përpjekur të ruajë hetimin duke parandaluar hetimin e provave, por thotë se nuk mund të shprehet nëse këta elementë do të konsumoheshin pa qenë në ushtrim të detyrës.
“SPAK i ka kërkuar masat shtrënguese e ndaluese në përputhje me rrethanat që kanë ekzistuar në atë moment duke i garantuar si proporcionale për vazhdimin e hetimit. në atë moment, SPAK e GJKKO ka konkluduar se nëse e hetuara do të vazhdonte të ushtronte funksionin e saj, ishte rreziku potencial më i lartë që ajo të vazhdonte të kryente vepra të tjera penale të të njëjtit lloj sepse do të vazhdonin të zhvilloheshin procedura të tjera prokurimi që do të dyshoheshin që nga e hetuara të mos respektohej ligji, do të ekzistonte në mënyrën më potenciale rreziku për të helmuar provat sepse pjesa dokumentare administrohej nga institucionet që kishte në varësi, nëpunësit publikë ishin vartës të saj, kontakti do ishte më evident. Nëse edhe pa atë funksion, mund të konsumonte këto, nuk mund ta them. Në atë moment, kemi vlerësuar ato masa. Nëse ka ndryshuar nevoja, nuk mund ta them”, tha prokurorja Bejko.
SPAK thotë para Gjykatës Kushtetuese se masa e pezullimit e kërkuar për Ballukun është parë si proporcionale për të vijuar hetimin. Masa e kërkuar, thotë SPAK, është për individin dhe jo funksionin ndaj ka prekur edhe rolin si zv/kryeministre, edhe si ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës që mbahen nga Balluku.
“Masa është për individin dhe jo funksionin. Duke parë që individi mishëronte dy funksionet dhe kushtet për parandalimin në të ardhmen të veprave të tjera, do të kërkohej sepse i njëjti person ushtron të dy funksionet”, tha prokurorja Dorina Bejko.
E pyetur nëse do të cenonte mandatin e dhënë nga sovrani apo funksioni i Kuvendit, tha: “Unë vlerësoj që do të cenonte mandatin e deputetit që është dhënë nga sovrani.”
Në argumentet përpara Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të masës së pezullimit ndaj Ballukut, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, tha se hetimet kanë zbuluar prova për vepra të tjera penale. Ushtrimi i detyrës do të cenonte disa sektorë të ekonomisë duke paraqitur rrezikshmëri të lartë.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale. Drejton një ministri shumë të madhe, rrezikshmëria shoqërore është e lartë. Vijimi i ushtrimit të detyrës do të cenonte ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë. Dëmton pjesëmarrjen e drejtë të biznesit privat”, tha Prençi.
Në seancën për rastin e Belinda Ballukut, SPAK kërkoi që të lihet në fuqi masa për pezullimin e saj nga detyra. Prokurori Dritan Prençi parashtroi argumentet e SPAK duke theksuar që në fillim se ndryshe nga çfarë pretendon Këshilli i Ministrave, nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO dhe Qeverisë. Prokurori Dritan Prençi theksoi se Kryeministri nuk ka legjitimitet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, pasi nuk është subjekt i procedimit penal dhe nuk i janë cenuar kompetencat kushtetuese. Sipas SPAK, nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash që të justifikojë aktivizimin e Kushtetueses.
SPAK nënvizoi se masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve shkallëve të tjera të gjyqësorit.Pra, sipas SPAK në Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë.
Kërkesa e Kryeministrit, sipas SPAK, nuk lidhet me mbrojtjen e kompetencave institucionale, por synon të ndërhyjë në një proces penal në zhvillim, gjë që bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.
Sa i takon pretendimeve të qeverisë se Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra pa autorizim nga Kuvendi, pasi gëzon imunitetin e deputetit, SPAK tha se qeveria po tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Mandati i deputetit dhe detyra e ministrit, sipas SPAK, nuk krijojnë një status të vetëm juridik.
“Shprehemi se në këtë çështje pala kërkuese, Kryeministri, nuk legjitimohet si subjekt ankimues për të aktivizuar Kushtetuesen, pasi kërkuesi nuk është subjekt i procedimit penal, dhe nuk i janë cenuar kompetencat. Nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash, dhe për pasojë nuk ka arsye për të ngritur një çështje në nivel kushtetues.
GJKKO ushtron të drejtën e saj, ndërsa Kryeministri ka si bazë Kushtetutën, kemi dy marrëdhënie të ndryshme dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. Kushtetuesja e ka trajtuar këtë çështje duke argumentuar se çdo pushte ka kompetencat veta. Asnjë institucion nuk mund të ndërhyjë në vendime që burojnë nga kompetencat e tij. Mosmarrëveshja e pretenduar nuk lind mes pushteteve që ushtrojnë të njëjtën sferë kompetencash.
SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit nuk lidhet me kompetencat e pushteteve pasi masat e sigurisë janë personale. Masat e sigurisë janë kompetenca ekskluzive të gjykatës dhe janë të ankimueshme dhe mund të ndiqen në shkallët e tjera.
SPAK vlerëson se kërkuesi nuk ka një interes personal për ta shtruar këtë çështje. Kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal, pasi ndjekja penal janë kompetencë të Gjykatës dhe nuk mund të ndërhyhet nga ekzekutivi
Kushtetuesja ka theksuar se mbrojtja kushtetuese kërkohet vetëm pasi përfundojnë procedurat gjyqësorë dhe se gjykimi i hershëm do krijonte gjykim paralel. Nuk ka pengesë procedurale apo rrezik të pakthyeshëm që të justifikojë ndërhyrjen e kushtetuese.
Pretendimi se pezullimi i Ballukut ka penguar kompetencat e kryeministrit, nuk qëndron masa ndalues e prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionin e institucionit. Masa ka natyrë të përkohshme dhe është e nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal. SPAK vlerëson se kërkesa nuk duhet të pranohet dhe duhet ti hapë rrugë funksionit normal të sistemit gjyqësor. Lidhur me pretendimin për shkelje të imunitetit të deputetit, ky pretendim është i pabazë, kërkuesi tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Kushtetuta nuk e parashikon, mandati i deputetit dhe ministrit nuk krijojnë një status të vetëm juridik”, tha prokurori i SPAK.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi tha gjatë parashtrimit të argumenteve për çështjen Balluku para Gjykatës Kushtetuese se masa ndaluese nuk ka cenuar parimin e ndarjes së pushtetit. SPAK thotë se pezullimi ka si qëllim përdorimin e funksionit publik për të parandaluar ndërhyrjet në hetim.
Sipas tij, kryeministri nuk ka kompetencë pezullimin dhe si rrjedhojë, nuk bëhet fjalë për marrje të tyre.
"Nuk është cenuar parimi i ndarjes së pushtetit. Nuk ka ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Vendimi respekton parimin e ndarjes së Kushtetues. Pezullimi i bërë nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka qenë ndërhyrje në një pushtet tjetër dhe cenon parimin e ndarjes së pushtetit. Kushtetuesja mund të ndërhynte vetëm pasi të ishin konsumuar të gjitha hapat e tjerë në shkallët e tjera. Pezullimi ekspozon gjykatat nga ndërhyrja e jashtme dhe cenon funksionimin e tyre. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm ky ekzekutivi mund të ndërhyjë në vendimet e organeve gjyqësore.
Veprimtaria e Këshillit të Ministrave është kolegjiale dhe në asnjë rast nuk cenohet nga mungesa e një ministri. Kjo qasje gjen mbështetje eedhe në jursiprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi nuk është një funksion i kryeministrit dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë marrje kompetence. Nuk mund të merret një kompetencë që nuk ekziston. Kërkesa e kryeministrit bie ndesh me konceptimin kushtetues të masave të sigurimit që janë ekskluzivitet i shqyrtimit gjyqësor. Kërkuesi nuk është subjekti i masës së sigurimit", tha Prençi.
Më tej, Prençi përmbylli se masa duhet të mbetet në fuqi dhe kërkesa e kryeministrit të rrëzohet.
“Vendimet e GJKKO janë marrë nga organi kompetent dhe nuk cenojnë pushtetet. Masa duhet të mbetet në fuqi si masë e domosdoshme dhe propocionale për garantimin e vijimit të procesit penal. Kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha Prençi.
Këshilltari i presidentit, Ilir Rusmali, shprehet para Gjykatës së Posaçme për çështjen Balluku se gjykata duhet të shyqrtojë ndarjen dhe ndërhyrjen midis pushteteve. Ai thotë se “rasti shkon më parë te kryeministri sesa te presidenca.”
Me këtë shtoi se nëse vendimi i gjykatës detyron kryeministrin të shkarkojë ministrin, Presidenti i Republikës duhet të formalizojë vullnetin.
“Mund të krijohen skenarë si një bashkëpunim i disa anëtarëve të qeverisë që mund të dyshohet një vepër penale. Dhe një prokuror kërkon pezullim se ka rrezik ta përsëritin. Prandaj ne e themi Këshillin e Ministrave si të plotë. Nuk mund ta vlerësojmë rastin nëse nuk e çojmë në rastin ekstrem. Prandaj ne ju ftojmë ta pleqëroni në këtë këndvështrim, si një instrument që mund të ushtrojë kontroll ndaj një pushteti tjetër”, tha Rusmali.
Ka rinisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku dhe fjalën e ka marrë përfaqësuesja e presidentit. Presidenca thotë se masa e ndërmarrë nga GJKKO dhe SPAK për pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nga detyra, është jo kushtetues.
“Nëse masa ndaluese e pezullimit nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi, e vendosur ndaj një anëtari të Këshillit të Ministrave apo gjithë Këshillit të Ministave ndikon në funksionimin e lirë dhe të pakushtëzuar, të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë merr përmbajtjen e një instrumenti kontrolli dhe balance midis pushteteve. Një instrument i tillë i cili nuk është i parashikuar nga kushtetuta, por që ka forcën juridike për të kushtëzuar funksionimin dhe përbërjen e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të konsiderohet kushtetues. Nëse masa ndaluese nuk ndikon në funksionimin e lirë dhe të pakushtëzuar të pushtetit ekzekutiv spese kuadri ligjor në fuqi parashikon zgjidhje apo rrugëdalje institucionale, të cilat nuk krijojnë impakt për ekzekutivin dhe nuk e vendosin atë përpara lëvizjeve të detyruara, atëherë del nga konteksti penal dhe nuk shndërrohet në instrument kontrolli e balance i pushtetit gjyqësor mbi pushtetin ekzekutiv”, tha përfaqësuesja.
Gjatë pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku, përfaqësuesi i qeverisë, Herald Jonuzaj, theksoi argumentin e cenimit të punës së Këshillit të Ministrave prej pezullimit të saj nga detyra. Ai tha se kjo detyrë nuk mund të kalojë në kompetencën e zëvendësministrit.
Gjykatësja: Po zëvendësministri ka mundësi të propozojë projektakte?
Herald Jonuzaj: Zëvendësministri nuk mund të propozojë akte në Këshillin e Ministrave, e ka të ndaluar. Aktet propozohen vetëm nga ministri.
Gjykatësja: Nga momenti që Gjykata Kushtetuese hoqi masën e pezullimit të funksionit, sa projektakte janë propozuar nga ministrja përkatëse deri tani?
Herald Jonuzaj: Shifrën e saktë nuk e kam, por mund të kenë qenë mbi 50, nga momenti i heqjes së pezullimit.
Për statusin e veçantë në marrëdhënie juridike tha se nuk i referohet imunitetit, por rregullave procedurale që duhet të ndiqen në raste të caktuara. Gjithashtu theksoi se Këshilli i Ministrave nuk mundet të delegojë kompetencat e ministres brenda organit. Kjo do të ndryshonte plotësisht strukturën dhe do të duhej që ministria të shkrihej ose kjo detyrë t’i kalojë kryeministrit, çka do të sillte shkarkimin e ministres. Kjo pikë është e kundërshtuar nga qeveria me argumentin se kjo është ndërhyrje e GJKKO-së në pushtetin ekzekutiv.
Gjykatësja: A mundi Këshilli i Ministrave të merrte një vendim pë të deleguar kompetencat e ministres tek një organ tjetër brenda Këshillit të Ministrave?
Herald Jonuzaj: Këshilli i Ministrave nuk mund të delegojë kompetencat e një ministri te një tjetër, por duhet që portofoli i asaj ministrie, por duhet që portofoli i asaj ministrie të kalojë te një ministri tjetër, pra të ketë një ristrukturim të të gjithë Këshillit të Ministrave ose të marrë kryeministri portofolin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë që de facto do të sillte shkarkimin e ministrit.
Gjykatësja: Edhe pse kjo mund të bëhej me përcaktimin përkohësisht që nuk nënkupton shkarkimin?
Herald Jonuzaj: Nuk mund të bëhet përkohësisht sepse ministria funksionon me ministër, me titullar. Titullari propozon aktet në Këshillin e Ministrave. Duhet të ndryshojë gjithë struktura për përbërjen e Këshillit të Ministrave duke shkrirë një ministri me një tjetër ose duke puthitur portofolin e ministrisë, siç ndodhi në vitin 2019 kur kryeministri mori edhe portofolin e ministrit të jashtëm. Për këtë u dekretua te presidenti dhe u miratua në kuvend.
Kuvendi parashtroi në Gjykatën Kushtetuese qëndrimin e tyre për rastin e Belinda Ballukut, si palë e interesuar në këtë çështje. Edhe Kuvendi thotë se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra është një ndërhyrje e pushtetit gjyqësor tek pushteti ekzekutiv. Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi thotë se pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave krijon bllokadë institucionale. Edhe Kuvendi thotë se ministri gëzon imunitetin e deputetit dhe për pasojë GJKKO nuk e ka kompetencën për ta pezulluar nga detyra.
“Kuvendi vlerëson se vendimi i GJKKO-së që ka vendosur pezullimin e zv.kryeministres është nxjerrë në kushtet e ndalimit kushtetues, anëtarët e KM gëzojnë imunitetin e deputetit. Deputeti gëzon imunitet, nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrave, nuk mund të kontrollohet, ndiqet penalisht pa pëlqimin e Kuvendit. Anëtari i KM përgjigjet penalisht, ndjekja penale bëhet me miratim të Kuvendit. Këto garanci e gjejmë edhe tek Kushtetuta, në pikën 3 neni 103. Mbrojtja e deputetit është përfshirë në gjithë legjislacionin procedural penal. Pezullimi i tij nga detyra do cenonte pavarësinë e pushtetit, e njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Ndonëse ministri nuk zgjidhet nga populli, merr legjitimitet nga kuvendi. Kryeministri emërohet nga presidenti me propozim të partisë, ndërsa neni 97 parashikon se kryeministri paraqet ne kuvend programin politik dhe përbërjen e kabinetit. Ministrat përfitojnë legjitimitetin nga Kuvendi. Kur kushtetutëbërësit kanë vendosur që ministrat të gëzojnë imunitetin e deputetit, ka synuar të sigurojë mbrojtje të barabartë institucionale. Imuniteti nuk është privilegj personal, pro synon të mbrojë pavarësinë dhe funksionin normal të organeve. Pezullimi i ministrit nuk prek vetëm atë por Këshillin e Ministrave si organ kolegjial kushtetues. Ndalimi i pezullimi nga detyra zbatohet edhe për personat e zgjedhur, edhe për ministrat. Pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejtë në ekzekutiv. Pezullimi i një anëtari krijon bllokadë institucionale. Vendimi i GJKKO de facto barazohet me vendimin për shkarkimin e një ministre, vendimi pezullimit është de facto një shkarkim. Nëpërmjet pezullimit ndalohet pjesëmarrja e funksionarit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku merren vendime kyçe, ndalimin e ushtrim të detyrë në fushën e ministrisë”, tha drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.
Në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja parashtroi ankimin e qeverisë dhe kërkoi të shfuqizohet vendimi i GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Qeveria argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputeti, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t'i pezullojë ushtrimin e mandatit, kjo nuk mund t'i ndodhë as ministrit.
“Pushteti gjyqësor s’ka të drejtë të shkaktojë pezullimin e një dege ekzekutivi përmes një mase sigurimi. Në rast se GJKO vlerëson se nevoja e sigurimit të individit është e tillë që i bën të pashmangshëm, masë së sigurimit nuk mund ta vendosë masën e sigurimit në mënyrë të njëanshme pa marrë autorizim nga kuvendi. Ky është standardet kushtetuese për çdo masë sigurimi që pengon ushtrimin e detyrës së ministrit. Ndalimi për të vendosur pezullimin e ushtrimit të një detyre, e ka burimin në normat kushtetuese. Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të kontrollohet, ndalohet ose ndiqet penalisht pa pëlqimin e kuvendit. Deputeti nuk mund të arrestohet ose ti hiqet liria në çfarëdolloj forme pa autorizim nga Kuvendi. Autorizim i kuvend kërkohet o vetëm për mase sigurimi personale, por edhe për masa të tjera. Imuniteti s’ka qëllim lirinë deputetit, por mbrojtjen e detyrës së deputetit, liria e deputetit është premisë e domosdoshme që ai të ushtrojë këtë detyrë. Kushtetuesja në vendimin e 2024, ka mbajtur qëndrimin se autoriteti nga kuvendi është i nevojshëm për arrestin në burg dhe arrestin në shtëpi. Qëllimi i imunitetit është e drejta e deputetit për ushtrimin e detyrës. Pengimi i ushtrimit të detyrës bazohet me një pezullim de facto të deputetit nga detyra. Ndalimi për të vendosur masën e pezullimit buron nga neni 73 pika 2 e kushtetutës, s’kemi të bëjmë me garanci ligjore të Kodit të Procedurës penale por me një garanci kushtetuese. Të njëjtën garanci e gëzon edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, për shkak të pikës 3 të nenit 103 të kushtetues, ku parashikon se anëtari e këshillit të ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Konstatojmë se SPAK s’ka zbatuar jurisprudencën e GJK e cila ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet, ka të njëjtin imunitet si deputeti, autorizimi nga kuvendi është i nevojshëm edhe për ministrin jodeputet. Emërimi dhe shkarkimi i këtyre organeve përbën çështje të së drejtës kushtetuese dhe nuk mund të pengohet nga asnjë akt i një pushteti tjetër, ndryshe prishet balanca mes pushteteve”, tha Qosja.
Argumentet e presidencës për çështjen Balluku i qëndrojnë pikave se pezullimi i saj nga detyra ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet tre pushteteve dhe jo me ankim individual. Sipas vlerësimit të parashtruar nga drejtorja e përgjithshme, Irma Qosja, Këshillit të Ministrave i është pezulluar detyra në një nga veprimtaritë e tij dhe në vendimmarrje.
Argumenti vijon se ministri s’mund të propozojë projekt akte para Këshillit të Ministrave dhe kryeministri propozon vetëm akte që s’i përkasin fushës së asnjë ministri tjetër. Përfaqësuesja përmbylli se GJKKO nuk mund të pezullojë një ministër në mënyrë të njëanshme.
“GJKKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet pasi nuk janë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit për masën e sigurimit. Mungon legjitimiteti i kërkuesit pasi nuk ka interes personal të Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit. Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk janë palë në gjykimin penal të masës së sigurimit dhe nuk mund të ankohen për të.
Ky nuk është një ankim kushtetues individual. Kërkimet dhe shkaqet që ngrihen në kërkesë nuk kanë të bëjnë as me nevojën e sigruimit të të pandehurit, as me objektin e procedimit penale, as me të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënien ndërmjet 3 pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër, njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv?
Ne vlerësojmë se jo, megjithatë argumentat i përkasin themelit të çështjes. Për legjitiminin sqarojmë se Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të përgjegjësisë shtetërore, fusha e infrastrukturës dhe energjisë. GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij. Prokuroria e Posaçme pretendon se aktet nuk propozon dot më ministri, tashmë mund ti propozojë kryeministri. Ky argument nuk qëndron sepse kryeministri propozon vetëm akte që nuk i përkasin fushës së asnjë ministrie tjetër dhe që i janë dhënë atij shprehimisht si detyra me ligj të posaçcëm. Kryeministri legjitimohet si organi që po vendoset në kushte që e detyojnë të zëvendësojë një anëtar të qeverisë. Pezullimi e detyron kryeministrin që të propozojë shkarkimin dhe emërimin e një ministri të ri në mënyrë që të vijojë funksionimi normal i ministrisë përkatëse dhe që të merren vendime nga Këshilli i Ministrave. Nuk mund të mohohet se masa e sigurimit penal sjell pasoja në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit. Nëse këto pasoja janë të lejueshme nga kushtetuta ose jo, por nuk mund të mohohet interesi konkret kushtetues për vënien në lëvizje. Nuk ka asnjë rëndësi fakti që Këshilli i Ministrave dhe ministri nuk janë palë sepse legjitimiteti kushtetues buron nga pasoja që sjell masa e sigurimit te veprimtaria e këshillit të ministrave dhe kryeministrit.
Sa i përket pretendimit se duhet të shterojnë shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, kjo vlen vetëm për ankimin individual, ndërsa është çështje tjetër ankimi që bën Këshilli i Ministrave dhe kryeministri për kompetencat që u cenohen nga kjo masë. Për këtë nuk ka asnjë detyrim për t’iu drejtuar shkallëve të tjera të kompetencës. Ka pretenduar se është vetë gjykata penale që vlerëson kufijtë e juridiksionit dhe kompetencës së saj. Këshilli i Minstrave dhe kryeministri nuk ka asnjë autoritet penal për t'ia parashtruar gjykatës penale sepse nuk janë palë në procesin e masës së sigurimit. Mjeti vetëm procedural në dispozicion është ankimi kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushteteve. Ashtu si kuvendi nuk ka detyrë që të presë ankimin individual, edhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnë detyrë. Çdo pretendim është alogjik. Pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë që në mënyrë të njëanshme të shkaktojë pezullimin e një dege të ekzekutivit. Nuk mund ta vendosë masën e sigurimit në mënyrë të njëanshme”, tha Qosja.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka protestuar përpara Gjykatës Kushtetuese, teksa pritet të mbahet seanca për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Shehaj tha se Kushtetuesja nuk duhet të përdoret nga kryeministri Edi Rama, por të jetë me qytetarët.
“Populli shqiptar dhe njerëzit i kanë sytë nga drejtësia. Presim që Gjykata Kushtetuese të bëhet me qytetarët, me drejtësinë dhe jo me të korruptuarit. Kjo është simbolika e kësaj proteste para Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese u përdor një herë nga Edi Rama në rastin e Veliajt, duhet të mos përdoret këtë radhë po nga Edi Rama, në ndihmë të Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut. Është e paimagjinueshme që një kryeministër i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të vendosë ndalojë pezullimin e një zëvendëskryeministre, të kapur duke abuzuar me fondet e qytetarëve shqiptarë.”, theksoi ai.
Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, dy prokurorët e SPAK për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kanë mbërritur në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkaq, kanë mbërritur edhe përfaqësuesit e qeverisë. Seanca do të nisë në orën 10:00.

Gjykata e Posaçme nuk do të ketë përfaqësues të saj në seancën e sotme që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Përmes një deklarate, GJKKO njofton se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Ndër të tjera, në deklaratë GJKKO thekson se pjesëmarrja si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
Deklarata e plotë e GJKKO
Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të medias,
Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:
Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave...,
Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Ditën e sotme në orën 10:00, në Gjykatën Kushtetuese do të përballen qeveria dhe SPAK, për rastin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Në seancë do të shqyrtohet çështja për pezullimin e Ballukut, por ajo nuk është palë dhe nuk do të jetë e pranishme.
Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë do të jenë përballë SPAK dhe GJKKO, sepse kryeministri Edi Rama mendon se një prokuror dhe një gjykatës nuk mund të pezullojnë një ministër.
Sipas tij, kjo kompetencë ndahet mes kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit, ndaj edhe këto dy institucione janë thirrur sot si palë të interesuara.
Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali këshilltar, Hemioni Braho shef kabineti dhe Eriola Shia Drejtore e përgjithshme, ndërsa Kuvendi nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.
Ndërkaq, qeveria do të përfaqësohet nga Herald Jonuzaj, drejtori juridik.
SPAK do të përfaqesohet në Kushtetuese nga dy prokuroret e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Komente












EDI RAMA PO JA FUT ME LEZET KESAJ BALLUKUT....PO BEN SIKUR PO E MBRON ..ME VONE I CON POLICET NE DARKE....PER NJE SQARIM....
PërgjigjuJa pra, krisma nuk ka patur…
PërgjigjuSipas mendimit tim SPAK çdo ditë dhe më shumë po më shton bindjen që është e mbërthyer nga thonjtë e Salioviçit dhe shërbimeve të huaja Slavo-Greke.
Përgjigju