Gjurmët në membranën e padukshme të shoqërisë dhe SPAK

Gjurmët në membranën e padukshme të shoqërisë dhe SPAK

Eshtë një membranë e padukshme që mbështjell shoqëritë dhe në të cilën secili prej nesh lë gjurmën e vet të veprimeve të përditshme e të përnatshme. Në një vend të vogël si Shqipëria këto gjurmë janë më të thella, më të forta e më të pashlyeshme dhe vjen një ditë, kur pesha e tyre bëhet e rrezikshme dhe e papërballueshme.

Në këto vite të rrëmujshme të tranzicionit tonë të vështirë, shumë prej nesh besuan dhe vazhdojnë të besojnë se këto gjurmë, sa më zhurmë të bëhet, sa më tym të hidhet, aq më të padukshme bëhen. Dikush besoi se do të shuheshin përgjithmonë, por a ndodh kjo pafundësisht?

Gjurmët për të cilat flas, janë ato që vulosen në cipën e hollë, të mesme, të memories së shoqërisë. Në pallatin ku jetojmë, në dyqanin ku blejmë, në spitalin që frekuentojmë, në administratën ku kërkojmë, në pushimet ku kalojmë, në punësimet që bëjmë, në bankën ku sigurojmë… është një pjesë e madhe e shoqërisë, një pjesë në dukje e padukshme për shkak se nuk reagon, por që shërben si plastelinë e veprimit tonë. Për shembull: Nëse në një argjendari të Tiranës një bashkëshorte ministri shpenzoi “në intimitet” plot 35 mijë euro në një të dalë, është një veprim në dukje pa gjurmë, pasi pagoi cash, por ky veprim  fiksohet nga çfarë ka përreth. Edhe pse argjendari përulësisht falenderoi, ajo që u bë u stampua pikërsht në këtë cipë memorie kolektive e nuk shkitet prej saj. Nëse kushdo që nuk ka mundësi, arrin të bëjë një festë për të cilën ka shpenzuar qindra mijëra euro të pajustifikuara, në dukje, ato pegesa i ka bërë “në intimitet”, pa lënë gjurmë, por në të vërtetë ato gjurmë janë aty, tek të gjithë njerëzit që kanë shërbyer për ta bërë atë ditë të paharrueshme për ty e të paharrueshme dhe për membranën sociale që na rrethon. Nëse, dikush tjetër, thur plane e projekte në bashkëpunim me eksponentë të ndryshëm në kriminalitet, në kthinat e errëta të hoteleve, saunave, masazheve, në rrugët e kryeqyteteve lindore dhe perëndimore europiane e më tej, është e njëjta gjë: Herët apo vonë, këto gjurmë të stampuara në “plastelinën” e membranës kolektive, do të shfaqen.

Vjen një ditë, sidomos pas një tranzicioni të gjatë, që kjo membranë e hollë sociale, që nuk mban dot më asgjë, kërkon të vetëriparohet dhe të vetëshërohet. Pesha e gjurmëve të ekzagjeruar që mban, rëndohet, rrezikon ta çajë në mënyrë të pakthyeshme dhe të pariparueshme jetën në vendin ku jetojmë. Ja, pikërisht në këto momente, një shoqëri prodhon atë që ne e quajmë SPAK. Një riparues të domosdoshëm të veprimeve tona të dukshme apo të të padukshme, me siguri të ekzagjeruara në këto vite tranzicion. Edhe kujt nuk i pëlqen, ky është një vetëshërim i pashmangshëm, njësoj si antibiotikët kundër baktereve.  

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?