TIRANË- Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për zëvendësimin e arrestit në burg, me një masë alternative më të lehtë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga relatorja Albana Boksi dhe gjyqtarët Genc Shala e Sokol Binaj vendosën që të lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm, marrë më 24 shkurt të vitit 2026, i cili e kishte lënë të pandryshuar masën e sigurisë caktuar nga shkalla e parë, arrest në burg.
Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e arrestit në burg me masën “detyrim për tu paraqitur” dhe me vendosjen e një garancie pasurore nga ana e tij, por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata e Lartë njëjtë si në dy shkallët e tjera të gjykimit.
Kërkesa e tij u bë pasi çështja kaloi për gjykim, çka sipas mbrojtjes nuk ka më mundësi të prishen provat. Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, i vetmi me masë arresti në burg, nga grupi i të bashkëpandehurve.
Shqyrtimi i kërkesës për liri kishte të tjera pritshmëri, nisur nga një vendim i vetë Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së arrestit me burg dhe shqetësimet që kanë ardhur si nga institucionet ndërkombëtare por edhe nga ato vendore për këtë masë.
Përveç këtij rekursi, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për liri të Veliajt. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak. Për Kushtetuesen edhe qëndrimi në kafaz në seancat gjyqësore mbetet i paargumentuar nga Gjykata e Lartë.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Sipas akuzës, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











