Kushtetuesja drejt funksionimit me 5 anëtarë, dosjet që mund të shqyrtohen dhe çështjet që duan 6 anëtarë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pas 18 muajsh bllokimi për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, është në prag të funksionimit të plotë, duke përmbushur kësisoj edhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave. Vendimi i sotëm i Kuvendit për të emëruar dy anëtarët e radhës së Gjykatës Kushtetuese, sipas një liste të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, e çon në 5 numrin e anëtarëve të Kushtetueses, nga 9 që duhet të ketë në total sipas ligjit. Pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Duhet të plotësohen edhe 3 vende vakante si dhe të zëvendësohet anëtarja Vitore Tusha, e vetmja që kaloi Vetingun, por që i ka mbaruar mandati.

Dosjet që shqyrtohen
Pas betimit të Arta Vorpsit, Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit tek Presidenti Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë paraprakisht dosjet, ku vendos kalimin ose moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri. Neni 31 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i ndryshuar në vitin 2016, parashikon që “kërkesa shqyrtohet paraprakisht nga kolegji, i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku bën pjesë dhe relatori”. Por, Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë çështjet në seancë plenare me vetëm 5 anëtarë. Për shqyrtimin e çështjeve që kalojnë në seancë plenare duhet të paktën 6 anëtarë. Neni 32 i ligjit për Kushtetuesen parashikon që "Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre”.

A do ta pengojë Meta betimin e 3 anëtarëve?
Partia Demokratike dhe Presidenti Ilir Meta kanë kontestuar procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ky proces është përshëndetur dhe vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Ilir Meta ‘dogji’ afatin 30 ditor të parashikuar në ligj, për të emëruar një nga tre emrat e listuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me pretendimin se ishte radha e Kuvendit për të emëruar anëtarin e radhës së Kushtetueses. Meta kërkoi pezullimin e afateve kushtetuese dhe ligjore. Në këto kushte, sipas pikës 4 të nenit 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi, e renditur e para në listë nga KED, konsiderohet ligjërisht dhe zyrtarisht e emëruar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Por, që Arta Vorpsi dhe dy anëtarët e tjerë të emëruar sot nga Kuvendit, të fillojnë detyrën, ata duhet të betohen para Presidentit, Ilir Meta. Mbetet për t’u parë nëse Meta do të bëhet pengesë, duke mos lejuar tre anëtarët që të bëjnë betimin. Një veprim i tillë do të komprometonte rëndë rolin e kreut të shtetit, duke provokuar edhe një përplasje me ndërkombëtarët.

Si do zgjidhet anëtari i gjashtë?
Anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese do të zëvendësojë Besnik Imeraj. Për këtë vend vakant, KED ka lejuar kandidimin e dy kandidatëve. Meqenëse duhen tre kandidatë, Ilir Meta rishpalli procedurën për aplikime për këtë vend vakant. Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant (18.10.2019), për këtë vakancë kanë aplikuar dhe kanë shprehur interesin Dedë Kasneci, Envi Hicka, Prelë Martini, Shaqir Hasanaj, Vasil Bendo dhe Vjosa Bodo Mujo. Kandidatët po verifikohen nga KED. Pas listimit të kandidatëve sipas pikëve, emrat do t’i kalojnë Presidentit Meta, i cili ka vetëm 30 ditë kohë për zgjedhur anëtarin e tretë dhe fundit të Gjykatës Kushtetuese. Një anëtar tjetër do të zgjidhet nga Kuvendi dhe tre anëtar nga Gjykata e Lartë, duke llogaritur edhe vendin e Vitore Tushës, të cilës i ka mbaruar mandati, por që sipas ligjit mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet. Gjykata e Lartë ka hapur disa herë procedurat për vendet vakante, por nuk pa pasur aplikantë të interesuar.

124 çështje presin për t’u shqyrtuar
Që nga fundi i vitit 2017 deri ditët e sotme numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar në 124, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen. 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë. Mes vendimeve dhe ligjeve që kundërshtohen janë edhe VKM-ja nr. 89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë” si dhe neni 6, pika 1, shkronja “b” dhe nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b” të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ndërkaq, 83 kërkesa janë kundër gjykatave për proces të parregullt, nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Komisionit të Pavarur të Apelimit. Një kërkesë është paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës, 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm), 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve dhe 1 kërkesë për interpretim vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Nga 124 çështje në total, 8 çështje janë të mbartura nga viti 2017 dhe 68 çështje janë të mbartura nga viti 2018.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë