Sot zhvillohet seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka përfunduar deklaratën e saj përmbyllëse, e cila kishte nisur që të premten e 13 shkurtit.

Esenca e gjithë deklaratës së palës mbrojtëse ishte te shpallja e Krasniqit i pafajshëm nga të gjitha akuzat. Avokatja Alagendra Venkateswari e përshkroi si një nga aktivistët më të mëdhenj të lirisë së Kosovës, duke mos i kursyer deklaratat e forta:

Për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai i ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik, nga viti 1981-1991, ku ka pësuar torturë dhe keqtrajtim të rëndë, në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, por sepse kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, të imponuara nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit. Jakup Krasniqi është ndryshe, nuk është i njëjtë si Millosheviçi”, tha ajo.

Avokatët thanë se “UÇK nuk kishte qëllim kriminal”, por një lëvizje mbrojtëse ndaj dhunës e shtypjes, me synim çlirimin e vendit.

Avokati Aidan Ellis tha se prokuroria s’ka gjetur lidhje midis rregulloreve të UÇK-së dhe krimeve të përmendura, ndërsa i kërkoi gjykatës që t’i merrte këto pretendime me rezerva.

Pala mbrojtëse u tregua e prerë me Prokurorinë Speciale duke thënë se nuk ka asnjë provë që të dëshmojë se Jakup Krasniqi ka vizituar vendet e ndalimit apo të ketë lidhje me krimet, gjatë kohës kur ishte zëdhënës i UÇK-së.

Tani është radha e trupit gjykues për të parashtruar pyetje për palët dhe më pas radhën e ka Prokuroria.

Deri më tani deklarata përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Ditën e martë, më 17 shkurt, do të mbahet një marshim qytetar në Prishtinë për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së. Protesta nis në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe priten të jenë të pranishme edhe figura të njohur të politikës.

Gjithashtu protesta përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:39
Pyetjet e gjykatës në Hagë, avokati i Veselit: UÇK-ja kishte të drejtë t’i arrestonte ushtarët serbë

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, këmbënguli në pyetjen e gjykatësit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte baza ligjore për të paraburgosur ushtarë të ushtrisë së atëhershme serbe gjatë luftës në Kosovë.

“E drejta ndërkombëtare humanitare për konflikte ushtarake parashikon se mund të arrestohen persona që cilëson si rrezik për sigurinë. Kemi cituar edhe shtete të mëparshme që e kanë bërë këtë”, tha Dixon.

Gjykatësi e ndërpreu Dixonit, duke e pyetur nëse UÇK-ja si aktore joshtetërore e gëzonte një të drejtë të tillë.

Dixon iu përgjigj duke thënë se: “Po. Jurisprudenca e ka dëshmuar një gjë të tillë, mund të zbarohet për të dyja, edhe për shtetin edhe për entitetin i cili është pjesë e një konflikti të brendshëm të armatosur”.

Ora 12:30
Gjyqi në Hagë, përfundon fjala e mbrojtjes së Krasniqit: Duhet të shpallet i pafajshëm!

Mbrojtja e Krasniqit ka përfunduar deklaratën duke theksuar pafajësinë e tij. Avokatja deklaroi se ai duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk ka përgjegjësi për vuajtjen civile apo të ketë marrë pjesë në krime.

“Nuk ka prova të besueshme se Krasniqi ishte i pranishëm, urdhëroi apo mori pjesë në krime kundër ndonjë civili, jo në emër të tij, jo në prani të tij. Kjo ishte e vërtetë në fillim të këtij gjykimi, është e vërtetë tani. Dhe kur fillon një gjykim dhe përfundon në të njëjtin vend, ligji lejon vetëm një rezultat: shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat”, tha ajo.

Sipas saj, drejtësia penale nuk bëhet "duke fryrë tragjedi kolektive apo duke e lidhur atë me fajësinë individuale".

“Kjo bëhet duke bërë një atribuim të kujdesshëm të përmbajtjes dhe besnikërisë ndaj provave”, u shpreh Alagendra.

 

Ora 12:23
Avokatja e Krasniqit me deklarata të forta: Ai ka paguar shtrenjtë për aktivizmin e tij, nuk është Millosheviçi!

Avokatja Alagendra Venkateswari është rikthyer edhe një herë për të përmbledhur fjalën në emër të mbrojtjes së Krasniqit. Avokatja e përshkruan Krasniqin si njërin prej aktivistëve më të mëdhenj për lirinë e Kosovës.

“Për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai i ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik, nga viti 1981-1991, ku ka pësuar torturë dhe keqtrajtim të rëndë, në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, por sepse kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, të imponuara nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit", tha ajo.

Ajo citon zyrtarë të huaj ta kenë përshkruar Krasniqin si figurë konstruktive që tentonte të gjente zgjidhje paqësore, dhe që nuk kërkonte përballje apo konfrontim.

“Jakup Krasniqi është ndryshe, nuk është i njëjtë si Millosheviçi, apo si të tillë. Të nderuar gjykatës mos më besoni mua, por dëshmitarë vendorë e ndërkombëtarë kanë peshuar zotëri Krasniqin si të moderuar. Atyre ju kujtohet dëshira dhe vullneti i tij për t’u angazhuar në mënyrë kolaborative dhe për të gjetur zgjidhje paqësore. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, asnjë dëshmitarë nuk ka dëshmuar se zotëri Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo plan kriminal. Përndryshe, pretendimet nuk janë besuar”, vijoi avokatja.

Ora 12:15
Gjyqi në Hagë, avokati i Krasniqit: Prokuroria po përpiqet të lidhë praninë e tij me kryerjen e krimeve, s'ka prova që ka vizituar vendet e ndalimit

Sipas avokatit të Krasniqit, Prokuroria në mënyrë të gabuar ka bërë përpjekje që të lidhë praninë e tij në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.

“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati Aidan Ellis.

“Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që e ka zhvilluar një vizitë në zonën e Llapit në gusht të vitit 1998, por Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Prokuroria pretendon se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë asaj vizite. Kjo nuk mjafton që të dilet në përfundimin se ai ka pasur dijeni për ndalimet e personave atje”, shtoi ai.

Sipas avokatit, “Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Krasniqi ka kontribuuar për krimet që janë kryer në cilësinë e tij si zëdhënës”.

Ora 12:11
Mbrojtja e Krasniqit në Hagë: Prokuroria nuk gjeti lidhje mes rregulloreve të UÇK-së dhe krimeve në aktakuzë

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis e ka nisur fjalën e vet duke thënë se Prokuroria nuk e ka vërtetuar nëse ka një lidhje shkakësore që i atribuohen Krasniqit dhe akuzave në aktakuzë. Ai e ka kritikuar Prokurorinë që ka shpalosur argumente të reja gjatë deklaratave përmbyllëse, kur procesi po shkon drejt fundit.

Më pas, trajtoi pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e UÇK-së kanë kontribuuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit. Sipas avokatit, Prokuroria është përpjekur që ta mbulojë këtë “problem të dukshëm” duke thënë në dosjen e saj se “dëshmia e Rrustem Mustafës është qarkore dhe kontradiktore”.

"Nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t'i vërtetojë argumentet e veta.

“Shumica e dëshmitarëve folën për një rregullore të përgjithshme ku caktoheshin detyrat e policisë ushtarake dhe më pas Prokuroria e përktheu siç deshi. Shumica e provave nuk kanë vërtetuar për ndonjë praktikë të pamëshirshme në terren. Prokuroria nuk e vërteton argumentin e saj, sepse në fakt ajo nuk e ka trajtuar thelbin e argumentit”, tha ai.

Ai, gjithashtu, i ka bërë thirrje trupit gjyqësor që t’i marrë me shumë rezerva dëshmitë e disa dëshmitarëve që i ka ftuar Prokuroria, pasi, sipas avokatit “99 për qind e dëshmitarëve nuk e kanë parë asnjë rregullore”.

Ora 12:10
Gjyqi në Hagë/ Mbrojtja e Jakup Krasniqit: UÇK nuk kishte qëllim kriminal!

UÇK-ja nuk u krijua për të marrë pushtetin në Kosovë. Kështu deklaroi mbrojtja e Jakup Krasniqit në Hagë, duke rrëzuar pretendimin e Prokurorisë për një plan të përbashkët kriminal.

Sipas avokatit Mentor Beqiri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si lëvizje mbrojtëse, si përgjigje ndaj dhunës dhe shtypjes ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ata thonë se synimi ishte çlirimi i vendit dhe mbrojtja e civilëve, jo kryerja e krimeve.

"UÇK nuk u krijua si organizatë që synonte marrjen e pushtetit, ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar si përgjigje ndaj kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilin përballeshin shqiptarët e Kosovës, civilët, të cilët pësonin nga dhuna dhe shtypja e forcave serbe. UÇK kishte synim të përbashkët çlirimin e Kosovës nga forcat serbe dhe mbrojtjen e popullsisë civile. Asnjëri synim nuk kishte qëllim kriminal Prokuroria nuk e ka vërtetuar ekzistencën e një politike qendrore të miratuar të UÇK-së për t’i shënjestruar bashkëpunëtorët dhe nuk e ka demonstruar lidhjen në mes të politikës së pretenduar të Krasniqit. Provat vërtetojnë stigmën sociale që ekzistonte përpara luftës, sjelljen e decentralizuar dhe shpeshherë kaotike gjatë saj, si dhe mbështetjen e gjerë në prova të dorës së dytë, thashetheme apo citime, dhe jo fakte" " argumentoi avokati mbrojtës.