TIRANË- Ndryshe nga procesi i Sterilizimit, në gjyqin për abuzimet me fondet e BE në SASPAC, Ilir Beqaj do të qëndrojë në kafazin e qelqtë. Në seancën e sotme, ish-kreu i SASPAC përsëriti kërkesën për të qëndruar krah avokatit gjatë seancave gjyqësore, por kërkesa iu rrëzua nga gjyqtarja e posaçme Elsa Ulliri. Për këtë proces, ndaj ish-ministrit rëndojnë 6 akuza dhe është caktuar masa e sigurisë arrest me burg. Ndryshe nga procesi për Sterilizimin, ku Beqaj po hetohet në masën detyrim paraqitjeje, një nga argumentet që GJKKO përdori një ditë më parë kur vendosi që ta nxjerrë nga kafazi.

Sa i takon seancës gjyqësore, Report Tv mëson se Prokuroria e Posaçme paraqiti në gjykatë një provë të re. Për gjyqtaren Elsa Ulliri u paraqit një tabelë në format exel, me të dhëna për shpenzimet e kryera nga një prej të pandehurve, Alfred Nikolla, në eventin “Festa”, ku dyshohet se shkuan disa prej fondeve.

Prova e re që iu paraqit GJKKO-së është gjetur në një laptop të sekuestruar nga SPAK gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë këtij viti. Nikolli akuzohet për mashtrim me pasoja, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion aktiv.

Avokatët kërkuan kohë të njihen me këtë akt të ri, për këtë arsye gjykata e Posaçme caktoi datën 6 maj ora 10.00 për seancën e radhës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë