Urim Muja, ka mbajtur rolin e drejtorit të sektorit të shitjeve pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në varësi të Ministrisë së Financave. Roli i tij në dosjen ‘Partizani’ ka lidhje me momentin kur pasi prona ishte privatizuar, tashmë pronarët e saj kërkonin të blinin objektet shtetërore në këtë pronë me të drejtën e parablerjes.
SPAK evidenton një memo të datës 26 maj 2008, ku vartësi i Urim Mujas, Nuri Sopaj i dërgon informacion lidhur me fillimin e procedurave ligjore për privatizimin e objektit Klubi Shumësportesh Partizani. Sipas kësaj memo i bëhet me dije se për pronësinë e truallit dhe HTR për objektin Pishina Laprakë, rezulton me mbivendosje me dy bashkëpronarë, pra rezulton të jetë private....Në miratimin e genplanit nga Urbanistika Ligjore e Bashkisë Tiranë, është vënë shënimi "Territori përfshihet në zonë sportive sipas planit rregullues dhe zonë banimi sipas vendimeve të KRRTRSH” dhe nuk thuhet se mund të privatizohet.
Sopja i thotë drejtorit të tij Muja se para se të fillojnë procedurat për privatizimin e këtij objekti duhet të kërkohet dokumentacion shtesë lidhur me regjistrimin e pronësisë për Pishinën Laprakë.
Por më 11 korrik 2008 trashëgimtarët e familjeve pronare Begeja dhe Saliaga, i kanë drejtuar Ministrit të Financare Ridvan Bode dhe Urim Mujës "Kërkesë për ushtrim të të drejtës së parablerjes", duke pretenduar se pasuritë e tyre bien mbi 90% të truallit nën objekt të Klubit Shumësportesh Partizani, prandaj kërkojnë të privatizojnë objektin.
Një muaj më pas, në një tjetër memo të datës 11 gusht 2008, Nuri Sopja i thotë sërish drejtori të tij se përgjigjet nga Ministria e Ekonomisë kanë ende mangësi.
Por kjo nuk e ndalon Urim Mujën që përmes disa shkresave, një të nëntorit 2008, të janarit 2009 dhe një tjetër të shkurtit 2009, të vërë në lëvizje institucionet për të përfunduar procedurat e privatizimit.
Por në dëshminë e tij në GJKKO, Muja mohoi të ketë pasur parregullsi në trajtimin e dosjes së ish-kompleksit "Partizani", duke thënë se ka zbatuar ligjin.
Pjesë nga dëshmia
Prokurorja Enkeleda Millonai: Keni qenë i punësuar në Ministrinë e Financave dhe çfarë pozicioni keni mbajtur?
Urim Muja: Kam qenë në vitet 1993-1996 dhe më pas, në vitin 2006, si drejtor i Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike deri në vitin 2013. Pastaj kam mbetur pa punë. Ne nuk krijonim produkt në dosje. Ne ishim të detyruar me ligj që të lidhnim kontratën me blerësin te noteri. Dosja vinte nga Ministria e Ekonomisë.
Millonai: Tek ju ka ardhur dokumentacioni i "Partizanit" dhe një memo. Keni kërkuar informacion për pishinën. Pse nuk e kthyet dosjen mbrapsht?
Urim Muja: Kjo ishte një dosje normale, si të gjitha që kemi trajtuar. Kur vinte një dosje dhe mungonte një dokument, e kërkonim. E kemi bërë konform ligjit. Kur mungon një akt, ai kërkohet. Kështu kemi vepruar për të gjitha dosjet. Çdo veprim është bërë sipas ligjit.
Është një dosje normale, si dhjetëra dosje të tjera. Nuk ka pasur asnjë problem të jashtëzakonshëm. Si ajo kemi trajtuar edhe dosje të tjera. Kur mungonte një dokument, e kërkonim të sillhej.
Millonai: Ju i keni kërkuar ZRPP-së informacion për objekte në privatizim, si për pishinën në Laprakë. Kishit në dosje ndonjë kërkesë të ish-pronarëve që kërkonin privatizim?
Urim Muja: Ajo dosje kalonte nëpër filtra, kalonte në sektorë. Sektori i shitjes ka konstatuar se duhej edhe ajo shkresë. Unë nuk i mbaj mend me detaje, por kështu kemi vepruar me çdo dosje.
Millonai: E mbani mend se ku shtrihej Sport Klub "Partizani"?
Muja: Ndoshta nga Lapraka. Nuk e kam parë ndonjëherë. E kam të dëgjuar. Nuk kam qenë asnjëherë.
Millonai: Çfarë arsimi keni?
Muja: Ekonomist financier.
Millonai: Po Nuri Sopaj?
Muja: Financier.
Millonai: Nga grupi juaj i punës ka ndodhur një ndryshim i sipërfaqes shtet.
Muja: Ne kemi pasur edhe topograf. Nuk i mbaj mend të gjithë specialistët dhe arsimin e tyre. Kjo ka qenë nga dosjet më normale, sepse nuk ka dalë ndonjë problem. Dosja ka qenë konform ligjit dhe këtë procedurë kemi ndjekur për të gjitha dosjet.
Millonai: I ndjeri Nuri Sopaj ju ka bërë me dijeni me një memo. Nga ana juaj i është drejtuar një shkresë Ministrisë së Ekonomisë, ku keni kërkuar prononcim për privatizimin dhe konfirmim nëse objektet ishin ende subjekte sportive, nëse u ishte hequr statusi.
Muja: Nëse e kam shkruar unë, ashtu do të jetë. Di që çdo gjë është bërë me ligj. Ne nuk shpallnim objekte pa qenë brenda ligjit.
Millonai: Tek pjesa e pishinës rezultonin disa pronarë. Si e keni nxjerrë në shitje kur kishte disa pronarë?
Muja: Kur është bërë shpallja, është bërë që ta merrnin ish-pronarët. Nuk është shpallur në ankand.
Millonai: Çfarë është bërë me sipërfaqen e tokës shtet? Është paguar?
Muja: Po më futni në detaje. Ju edhe në Prokurori më keni nxjerrë një faturë. Drejtoria aty është. Shkoni dhe verifikojeni. Sa mbaj mend, ish-pronarit i jepej e drejta ta merrte.
Millonai: Keni thënë se pagesa do të bëhej kur të vinte konfirmimi?
Muja: Po, është bërë fatura.
Millonai: Për "Partizanin" keni kërkuar përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes. Procedura ka zgjatur shumë. Ka pasur ndonjë problematikë?
Muja: Nuk më kujtohet të ketë pasur gjë.
Millonai: Nga Ministria e Mbrojtjes ju është kërkuar të takonit ndonjë përfaqësues?
Muja: Asnjëherë. Dosjet me ish-pronarë ishin të thjeshta.
Millonai: Me bono paguheshin edhe të tjerët apo vetëm ish-pronarët?
Muja: Sa mbaj mend, vetëm ish-pronarët.
Kodiana Gjyzari: Sipas VKM-së kishte afat për dorëzimin e sendit?
Muja: Po.
Gjyzari: Është respektuar afati, kur sendi është marrë pas 9 muajsh?
Muja: Nuk e di si ka qenë avancimi i kohës. Nuk kemi pasur asnjë problem.
Gjyzari: Për sipërfaqen 857 m², që nuk ishte e pronarit por e Sport Klub "Partizani", kjo sipërfaqe është shitur apo jo?
Muja: Duhet të jetë shitur, por nuk e mbaj mend.
(Pasi lexon kontratën)
Ka raste kur vinin ish-pronarët, por godina jo gjithmonë binte mbi tokën e ish-pronarëve dhe atyre u lindte e drejta ta blinin.
Lajmi kryesor:
Dëshmon në GJKKO ish-presidenti Topi, rrëzon Berishën e dhëndrin: Pronat e 'Partizanit' pjesë e 'Planit të Përhapjes' deri në 2007-n, firma ime ia ndryshoi statusin pas kërkesës nga 'Mbrojtja'











