FUSHË KRUJË -  SPAK ka goditur grupet kriminale në Fushë-Krujë, të akuzuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg, dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Në kërkim mbeten 4. 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë 5 drejtues dhe financues të grupit. Në pranga janë vënë Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja

Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku. Të gjithë akuzohen si pjesë e këtij grupi të trafikut të drogës që e ushtronte këtë aktivitet nga viti 2020. Grupi është "tradhtuar" nga bisedat në SkyEcc, ndërsa operacioni po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi. 

Grupi akuzohet për trafik droge në disa episode dhe në disa shtete. 5 prej tyre vepronin si drejtues dhe financues të grupit. Krahas masave të sigurisë, janë ushtruar kontrolle edhe në banesa me urdhër të GJKKO, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash, armë, automjete etj. Ndërkohë, sipas raportimeve, grupi trafikonte kokainë dhe marijuanë nga Mali i ZI, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së. 

Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim

Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023. Dhuna barbare ndodhi pasi dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda. 

Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal. Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi drogë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro. Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.

Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge. 

TË ARRESTUARIT:
Marvin  Bushati 
Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani
Sokol Qaja 
Gazmir  Rraja 
Përparim Rraja 
Rexhep Rraja 
Zamir Aliaj
Në burg ndodhen:
Islam Sefa
Aldo Gjini
Jani Çavo
NË KËRKIM:
Ervis Shuli
Bujar Sefa 
Hajdar Sefa
Vildan Baroku

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Trafik kokaine dhe marjuane nga Mali i Zi-Turqi-vendet e BE, detaje nga goditja e grupit kriminal ‘Rraja’

1764265424_spak1e1750075010706.jpg

Të tjera detaje zbardhen nga goditja e grupit kriminal, pjesë e së cilit ishin edhe anëtarë të fisit Rraja. Sipas mediave, grupi trafikonte kokainë dhe marjuanë nga Mali i ZI, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së. Janë 5 drejtues grupi, të cilët dyshohet se janë zbuluar nga bisedat në SkyECC.

Ora 10:47
U godit sërish nga SPAK, Jani Çavo u dënua me 8.8 vite burg si pjesë e një grupi që trafikoi drogë nga Siria me vlerë 2.7 mln euro

1764767542_gjkko.jpg

Jani Çavo, që u godit sërish nga SPAK, u arrestua në qershor të vitit 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro.

Rrjeti kriminal u zbulua nga SPAK dhe prokuroria e Firences pas hetimeve mbi ngarkesat me kanabis që vijonte nga Siria dhe heroinën që mbërrinte nga Turqia në Itali, duke kaluar përmes Shqipërisë.

Në total, GJKKO dha në dhjetor të vitit të kaluar 107 vite burg për 16 anëtarët. Jani Çavo u dënua me 8.8 vite burg. 
 

Ora 10:43
Pjesëtarë të grupit që u godit nga SPAK, Report Tv zbardh emrat e 4 personave në kërkim! Njëri i dënuar me 10 vite për kultivim kanabisi

1765208591_spak.jpg

Zbardhen emrat e 4 personave që janë ende në kërkim, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë jashtë vendit. Njëri prej tyre Bujar Sefa, vëllai i Islam Sefës, të cilit masa iu komunikua në burg, rezulton i dënuar vitin e kaluar me 10 vite burg nga GJKKO për kultivim droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në kërkim janë:

Ervis Shuli
Bujar Sefa 
Hajdar Sefa
Vildan Baroku

Ora 10:31
Pjesë e grupit të Rrajave, kush është Aldo Gjini! I akuzuar për plagosje dhe në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për tentativë vrasje dhe trafik armësh

Aldo Gjini

Aldo Gjini është një tjetër emër që del nga operacioni i SPAK kundër një grupi të trafikut të drogës, ku anëtar ishte edhe djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja. Aldo Gjini është një emër i njohur për blutë, ndërsa pas operacionit të SPAK masa iu komunikua në qeli.

Më 24 korrik 2021, ai është përfshirë në një plagosje në Tiranë. Pas ‘fërkimit’ të dy mjeteve, Gjini ka qëlluar me armë ndaj dy të rinjve, Altin Gjoka dhe Jetmir Marashi. Për të parë se kush e kishte fajin në përplasjen e automjeteve, ata tentuan të shohin kamerat e sigurisë së lokalit, por kjo shkaktoi një sherr verbal mes tyre dhe Aldo Gjinit.

Ky i fundit nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtim të Gjokës dhe Marashit për tu larguar më pas me shpejtësi me makinë. 

Aldo Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Ai dyshohet autor i një plagosje të ndodhur më 24 nëntor të viti 2020 në Luksemburg. Po ashtu, në vitin 2016 ai është arrestuar në Itali, për shpërndarje droge. Në pranga, asokohe ranë edhe vëllai tij, Andis Gjini.

Ora 10:28
Iu komunikua masa e arrestit në burg, kush është Islam Sefa! U arrestua vitin e kaluar në një kafe pranë SPAK, 'koka' e një grupi që trafikoi 3.3 mln euro drogë në Gjermani

1765358977_islamsefa.jpg

Islam Sefa, të cilit i është komunikuar masa e arrestit në burg, u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai po priste një avokat kur agjentët e BKH-së ndërhynë për t'i vënë prangat në lokalin rreth 100 metra nga godina e Prokurorisë së Posaçme. 

SPAK e akuzon atë si drejtuesin dhe financuesin të një grupo të trafikut të drogës në Gjermani në vlerën e 3.3 mln eurove. Organi i akuzës identifikoi 12 anëtarë të grupit, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. 

Sipas SPAK, grupi i drejtuar nga Sefa, gjatë viteve 2020-2021, kishte trafikuar në Gjermani në disa episode 912 kg të llojit marijuanë. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, tregëtohej në rajonin Ëolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Islam Sefa është vëllai i Bujar Sefës, i cili më 1 korrik 2024 u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg për kultivim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas GJKKO-së ai ishte një nga drejtuesit e dy grupeve që kultivonin parcela me bimë narkotike në disa zona të Bashkisë Krujë.

Ora 10:06
Operacioni i SPAK që goditi grupin ku bënin pjesë edhe Rrajat, kush janë 3 anëtarët që iu komunikua masa e arrestit brenda në burg

1764257698_1727086483spak.jpeg

Report Tv zbardh emrat e tre anëtarëve të grupit të trafikut të drogës që iu komunikua masa e arrestit brenda në qeli pas operacionit të SPAK. Masa e sigurisë iu komunikua në qeli Islam Sefës, Aldo Gjinit dhe Jani Çavos.

Ora 09:59
Në pranga me urdhër të SPAK, FOTO kur Rexhep Rraja dhunonte me shkopinj kushërinjtë Maja për guroren në Borizanë

Me urdhër të SPAK është arrestuar Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja pas një operacioni kundër trafikut të drogës. Rexhep Rraja dhe fisi i tij janë jo pak të panjohur për autoritetet e vendit tonë pasi fisi i tyre më 6 korrik 2023 u përfshi në një episod të dhunshëm për guroren në Borizanë të Fushë-Krujës.

Dy kushërinjtë e fisit Maja ishin ankuar disa herë në polici për dëmet në shtëpi nga gurorja e Përparim Rrajës, kushëririt të ish-deputetit Rrahman Rraja në Krujë. Pas këtyre ankesave, vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre. Ngjarja e rëndë pati një reagim zinxhirë, deri në instancat më të larta. Kryeministri Rama urdhëroi shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrahman Rraja la mandatin e deputetit, ndërsa u shkri i gjithë Komisariati i Krujës.

Rexhep Rraja i arrestuar sot me urdhër të SPAK, rezultonte ende në kërkim nga Policia e Fushë Krujës për këtë episod dhune. Po ashtu në kërkim rezultonte edhe Përparim Rraja, kushëriri i tyre, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar po ashtu masë sigurie. Siç mund të shihet edhe në foto, Rexhep Rraja shfaqej me shkopinj duke dhunuar dy kushërinjtë e fisit Maja.

Rrexhep Rraja duke rrahur Bilbil Majën