TIRANË- Gert Shehu, 31-vjeçari, i cili goditi me grusht Sali Berishën ka vendosur të ‘falë’ truprojat e ish-kryeministrit. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi mëson se Gert Shehu është shprehur se nuk dëshiron t’i padisë truprojat. Shehu është lënë në burg nga Gjykata, ndërsa masa e sigurisë i është dhënë në ambientet e spitalit të Traumës. 31-vjeçari prej së martës po kurohet pas goditjeve nga truprojat e Berishës. Pasi gjendja e tij të përmirësohet pritet që të transferohet në qeli.

Aktualisht, Gerti Shehu është i shtruar në pavijonin e ORL tek spitali i Traumës. Para tre ditësh është dërguar tek spitali i burgut, por nuk e kanë pranuar dhe është rikthyer sërish tek Trauma. Gjendja e tij është shumë e mire, nuk ka asnjë problematikë, ndërsa ruhet nga forca të shumta policie. Avokati Ervis Lila i përzgjedhur nga familjarët e Gert Shehut ka kërkuar një masë më të lehtë ndaj tij. Ndërsa ka theksuar se akti i ekspertimit psikik për klientin e tij do të jetë përcaktues në këtë proces.

Ish kryeministri Sali Berisha gjatë protestës së 6 dhjetorit të cilën e kishte parashikuar prej ditësh, u godit me grusht në fytyrë nga Gert Shehu, 31 vjeç i cili vuante me problemet të shëndetit mendor. Gjithsesi, pavarësisht se ditën e djeshme, politika u bë 'bashkë' pavarësisht ndasive dhe dënoi njëzëri sulmin ndaj Berishës, kreu i foltoreve, bëri fajtor Edi Ramën. Ky version, u pa edhe nga pjesëtarë të Rithemelimit dhe një pjesë të Partisë Demokratike. 

Ndërkohë pavarësisht paraqitjes së dokumentit nga ana e mjekut Sadik Lala, ku shfaqej se 31 vjeçari, Gert Shehu vuante nga një “Çrregullim psikotik i papërcaktuar”, Rithemelimi këmbëngul se 31 vjeçari është oficer i policisë kriminale dhe është urdhëruar për të goditur ish kryeministrin. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e djeshme për ngjarjen e ndodhur dhe ka kërkuar që të zbardhet akti i sulmit që e konsideroi të pajustifikueshëm.