Samiti i BE-së në Tiranë dhe goditja me grusht e Sali Berishës ishin temat që u diskutuan në Report Tv në emisionin ‘Real Story’ nga Sokol Balla. Për analistin Edvin Kulluri, sulmi ndaj ish-kryeministrit mund të ishte fatal nëse 31-vjeçari Gert Shehu do të kishte armë. Po ashtu e cilëson marrëzi faktin që përflitet se Berisha e ka infiltruar vetë për të marrë vëmendje.

“Ka pasur shumë oficerë civilë por asnjëri s’ka funksionuar. Mendoj që Berisha ishte i përmbajtur, nuk shkaktoi ngjarje në vijim. Unë gjykoj që këtu nga PS dhe PD nuk ka pasur interes për këtë ngjarje. Edhe që të godasë veten e vet më duket marrëzi. Është i qartë që është sulm fizik. I ka heq Erzen Breçani se nuk e di çfarë do kishin bërë. Po të kishte pasur armë, do e kishte bërë gjëmën. Do ishte fatale. Nuk duhet të ishte bërë protesta me datë 6 se ja çfarë ndodhi. Mund të jetë edhe Rama, ku e dimë ne”, tha Kulluri.

Edhe analisti Skënder Minxhozi e konsideron të dënueshme goditjen ndaj Berishës. Por protestën e 6 dhjetorit e quan si ndër protestat më të dobëta të PD duke qenë se nuk numëronin as 2000 persona.

“Po të ishte i ndryshëm, rezultati do ishte ndryshe. Goditja që ka marrë Berisha që është e dënueshme. E kemi thënë që kush e prek në pupël këtë njeri, digjet Shqipëria por doli njëri dhe e goditi. Grushti ka kamufluar një nga protestat më të dobëta të PD. Vështirë t’i bëje 2000 veta aty. Kur vjen Europa në Tiranë, nuk ke pse proteston. Unë kam frikë se nëse do të kishte njerëz, atëherë risku për eksplozion të turmës drejt bulevardit do ishte tjetër. Nuk kishte municion që turma t’i drejtohej samitit”, tha Minxhozi.

Ndërsa Frrok Çupi e konsideron të shëmtuar reagimin e demokratëve pas sulmit. Sipas tij përgojuan 31-vjeçarin duke e cilësuar si person me probleme mendore.  

“Edhe në shënimet për tipat që ndjellin dhunë janë politikanët dhe mbajtja e shumë bodigardëve. Është e shëmtuar që morën nëpër gojë djalin që qëlloi, e nxorën me probleme mendore. Ai është një njeri që e ndolli dhuna, kishte problemet e veta, pa një politikan me të cilin ishte rritur. Shumë bodigardë. Ju e dini se këta të rinjtë qytetas dhe të zonave rurale kanë qejf të ndeshen me njeriun e fortë, me njeriun që mban shumë bodigardë, gjë që për mua është e shëmtuar. Për mua vlen gjithçka vjen pas. Zë vëmendjen e samitit, ka reagime për hakmarrje”, tha Çupi.  

Edhe analisti Eduard Zaloshnja thotë se pa incidentin e Berishës, samiti i BE-së i mbajtur në Tiranë mund të konsiderohej sukses i jashtëzakonshëm për qeverinë.

“Po të mos kishte ndodhur ky incidenti, 91-92% ishte kuota e vlerësimit për ngjarjen e samitit në Tiranë, konsiderohej si diçka shumë pozitive. Në nivelin ndërkombëtar, kuptohet që ishte ngjarja më e madhe dhe po të mos kishte ndodhur ky incident, do kishte qenë sukses i jashtëzakonshëm për qeverinë”, tha Zaloshnja.

Ish kryeministri Sali Berisha gjatë protestës së 6 dhjetorit të cilën e kishte parashikuar prej ditësh, u godit me grusht në fytyrë nga Gert Shehu, 31 vjeç i cili vuante me problemet të shëndetit mendor. 

Gjithsesi, pavarësisht se ditën e djeshme, politika u bë 'bashkë' pavarësisht ndasive dhe dënoi njëzëri sulmin ndaj Berishës, kreu i foltoreve, bëri fajtor Edi Ramën. Ky version, u pa edhe nga pjesëtarë të Rithemelimit dhe një pjesë të Partisë Demokratike. 

Ndërkohë pavarësisht paraqitjes së dokumentit nga ana e mjekut Sadik Lala, ku shfaqej se 31 vjeçari, Gert Shehu vuante nga një “Çrregullim psikotik i papërcaktuar”, Rithemelimi këmbëngul se 31 vjeçari është oficer i policisë kriminale dhe është urdhëruar për të goditur ish kryeministrin.