TIRANE-Jo më paratë e bankave me Polici Private. Policia e Shtetit nis planin e masave për shoqërimin e transfertave të Bankave të nivelit të dytë.

Kjo masë vjen pas grabitjes spektakolare të parave të një banke në Mbikalimin e Kasharit.

Lidhur me ngjarjen, ka folur sot dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Jo pa ironi, Tahiri i është përgjigjur mediave se hetimet mbi grabitjen janë në rrugë të mbarë.

“Mua më rezulton që ditë të shënuar janë vetëm atëherë kur ndodhin ngjarjet. Ditë të shënuara për ju nuk janë atëherë kur zbardhen. Bëni zhurma shumë të mëdha atëherë kur ndodhin ngjarjet. Por nuk kam dëgjuar të falënderoni Policinë atëherë kur i zbardh ngjarjet. Mua më rezulton që, Policia e Shtetit ka zbardhur disa ngjarje të vështira, grabitje dhe vjedhje bankash. Dhe më rezulton gjithashtu që po bëhet një punë e shkëlqyer, hetimet po ecin përpara. Bëni durim. Ju falenderoj që prisni prej nesh që ngjarjet t’i zgjidhim brenda orës apo brenda ditëve. Ky standard është shenjë besimi për ne.

Në asnjë vend të botës nuk pritet që ngjarjet të zbardhen brenda orës apo brenda ditëve. Gjithsesi ne besimin tuaj e marrim si inkurajimin më të mirë për të bërë sa më shumë punë dhe për të çuar përpara hetimet. Bëni durim. Rezultatet do vijnë”, u shpreh Tahiri sot nga Komisariati numër 6 që ka pësuar transformim nga investimet që janë bërë muajin e fundit.

Pas grabitjes së 2.7 milionë eurove nga persona ende të paidentifikuar, pati kritika ndaj Policisë së Shtetit, ndërsa kjo e fundit akuzoi Policitë Private të kontraktuara nga Bankat dhe vetë Bankat si përgjegjëse kryesore të grabitjeve të transfertave që bëhen nga makinat blindate që transferojnë paratë e tyre.