Fermerët në Greqi vijuan edhe këtë të premte me protestat e tyre me në qendër rreshtimin e sotëm të traktorëve dhe makinerive bujqësore në portin e Selanikut.
Aksioni i sotëm konsiderohej vendimtar, pasi përfaqëson një mesazh përshkallëzimi nga ana e fermerëve, të cilët tashmë numërojnë 108 bllokada në mbarë Greqinë.
Që në orët e para të mëngjesit, fermerë nga Halkidiki, Pieria, Imathia dhe Pella u zhvendosën drejt qytetit të Selanikut, dhe krijuan një bllokadë simbolike të pjesëve të portit.
"Nuk tërhiqemi," theksuan përfaqësuesit e tyre, ndërsa brenda bllokadave sipas mediave greke po forcohet prirja për veprime të mëtejshme brenda 48 orëve të ardhshme.
E gjithë vëmendja tani është drejtuar tek takimi mbarëkombëtar i së shtunës në Larisa, ku përfaqësuesit e blloqeve do të vlerësojnë do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm apo një dialog thelbësor me qeverinë.
Në kulmin e protestave të fermerëve të cilat nisën pas vonesave në pagesën e subvencioneve, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ftoi ata në takim të hënën pasdite. Nuk ka ende një përgjigje nga grupimet e fermerëve.

Foto: Rrugë e bllokuar nga fermerët grekë
Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).
Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
Komente











