Ndërkohë që ka përmendur dhe integrimin e Shqipërisë në BE dhe mbështetjen greke për këtë qëllim, por ka vënë si kusht zbatimin e marrëveshjes së kufirit detar të nënshkruar nga Basha-Bakojanis, duke shikuar çështjet teknike. Kështu, Venizellos ka kërkuar finalizimin e marrëveshjes detare me Shqipërinë dhe ka shprehur gatishmërinë që marrëveshja detare të diskutohet, por vetëm për çështjet teknike. Në një konferencë shtypi në Athinë, ai kërkoi finalizimin e marrëveshjes së delimitimit të kufijve detarë. “Ne kërkojmë përfundimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufijve detarë me Shqipërinë”, theksoi ministri i Jashtëm grek.
Venizellos theksoi se parimet e marrëveshjes së nënshkruar në të kaluarën nuk mund të ndryshohen, pasi siç tha ai, principet janë vetë e Drejta Ndërkombëtare e Detit”, por mund të shihen disa çështje teknike. “Parimet e marrëveshjes së nënshkruar në të kaluarën nuk mund të ndryshohen por mund të shihen disa çështje teknike. Alternativat janë dy, njëra është e drejta ndërkombëtare e praktika evropiane, të cilën e sugjerojmë e shpresojmë ta pranojë pala shqiptare, ndërsa ekziston edhe alternativa e sfidimit të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës evropiane”, deklaroi Venizellos.
I pyetur për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe se a do të ketë Tirana mbështetjen e Athinës, Venizelos deklaroi se “Tirana ka shprehur gatishmërinë e saj për t’u bashkuar me BE-në dhe Greqia do të mbështesë, duke e ftuar dhe nxitur atë të zgjidhë çështjen në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës evropiane”. Deklarata e Venizelos vjen pak para vizitës së presidentit grek Karolos Papulias në Shqipëri. Disa ditë më parë Venizelos u shpreh se deklaratat që ai bëri gjatë vizitës në Tiranë janë tezat e politikës së jashtme greke dhe “ky do të jetë kuadri i vizitës së Papulias në Shqipëri”. Ndërkohë që në vizitën e numrit dy të diplomacisë greke, Venizellos në Tiranë, homologu i tij Bushati i bëri të qartë që çështja çame është në dosjen diplomatike të kësaj qeverie dhe duhet zgjidhur, ndërsa ka kërkuar që të hiqet ligji i luftës nga ana e Parlamentit grek. Kërkesa që janë anashkaluar ose mohuar nga ministri Venizellos.
Bushati me Venizellos:
“Vendimi i Kushtetueses është i qartë si kristali”
“Përgjigjen për paktin e ka dhënë gjykata kuyshtetuese. Sot nuk shtrohet më pyetja për qeverinë shqiptare si e lexon vendimin e Kushtetueses, pasi është i qartë si kristali. Për qeverinë shqiptare shtrohet pyetja si do ecet përpara për ti dhënë një zgjidhje kësaj çështje që është e rëndësishme për Shqipërinë, Greqinë dhe propjektet e përbashkëta për rajonin e Mesdheut”, ka qënë deklarata e Bushatit në takimin me Venizellos, duke kërkuar kurajo për zgjidhjen e çështjes çame e heqjen e ligjit të luftës.
Qëndrimi
Dade pati thirrur ministrin për “detin”
PS para 23 qershorit ka realizuar senacë dëgjimore me Ministrin e Punëve të Jashtme të asaj kohe Edmond Panariti, në Komisionin e Jashtëm. Me një kërkesë zyrtare ish-nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade kërkoi shpjegim për ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon. Asokohe ministri nuk u lejua nga ana e kryetarit të komisionit që të vazhdonte përgjigjen e pyetjeve të deputeteve të Komisionit të Jashtëm, anëtarë ose jo të Grupit Parlamentar të PS, dhe seanca u mbyll në mënyrë arbitrare. Dade asokohe kishte paralajmëruar se do ndërmerreshin hapat e duhur si Komision që ka mision kryesor për të monitoruar punën e Ministrisë së Jashtme e në veçanti për çështje që cënojnë interesat madhore të vendit, integritetin tërësor territorial dhe për rrjedhojë kanë krijuar impakt shqetësues tek shtetasit e Shqipërisë.
Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)