Gripi i Shpendëve ul konsumin dhe fut në krizë fermerët në Lezhë, mjeku veterinar: Konsumatori nuk është i rrezikuar, mjafton që shpendët të jenë të shëndetshme kur të theren

Gripi i Shpendëve ka ulur konsumin dhe ka futur në krizë fermerët në Lezhë. Në një intervistë për Report Tv, mjeku veterinar Gjovalin Kaceli thotë se konsumatori nuk është i rrezikuar nga kjo sëmundje, mjafton që të jenë të shëndetshme para se ato të theren dhe se mund të konsumohen pa asnjë lloj problemi.

Mjeku thotë se njerëzit së fundmi kanë frikë dhe se është krijuar një panik i madh tek ata duke krijuar një impakt të madh edhe tek fermerët, pasi ndalohet shitja e shpendëve te restorantet ku ato konsumohen, por shton mjeku e them me përgjegjësinë më të madhe se nuk ka asnjë impakt te shëndeti publik. 

'Konkretisht mua më kontaktojnë miqtë e mi, njerëzit e mi, të njohur dhe persona të ndryshëm të cilët më pyesin nëse duhet apo jo t’i konsumojmë. Çdo ditë më pyesin nëse duhet apo jo të konsumojmë mishin e shpendëve. Është krijuar një situatë e cila, njerëzit kanë frikë që të konsumojnë këto produkte, por e them me përgjegjësinë më të madhe si mjek veteriner që mjafton që mishi apo veza të rrjedhë nga shpendë të shëndetshëm, pra të jenë të shëndetshëm para se të theren apo vezët të rrjedhin nga shpendë të shëndetshëm dhe nuk ka asnjë lloj problemi te njerëzit. '- thotë mjeku veterinar.

Zoti Kaceli, çfarë është gripi i shpendëve?

Gripi i shpendëve i njohur ndryshe si Influenca Aviare është një sëmundje virale e shkaktuar nga një virus i tipit A, nëntipi H5N8, por kjo pak rëndësi ka pasi kjo u përket studiuesve. Me pak fjalë është një sëmundje e cila ka një influencë të madhe dhe një impakt të madh te fermerët pasi shuan rreth 70-75% të tufës së tyre, por jo vetëm, pasi në qoftë se në një tufë kjo sëmundje shfaqet, është i detyruar që të eliminojë të gjithë tufën e shpendëve.

A preken njerëzit nga kjo sëmundje?

Kjo është një sëmundje zonetike, është e konfirmuar në Rusi disa raste që janë prekur edhe njerëzit por kjo sëmundje nuk është se ka ndonjë impakt të madh te shëndeti publik. Te njerëzit d.m.th. është krijuar një lloj paniku sikur preken njerëzit, sikur ka impakt. Kjo ka çuar në një panik të madh te qytetarët, por përveç faktit se kjo është një sëmundje e cila shkatërron ekonominë e fermerëve të cilët mbarështojnë shpendë, te shëndeti publik nuk jep shumë impakt.

Pra do të thotë që njerëzit nuk rrezikohen nga kjo sëmundje?

Tani, për sa i përket kësaj sëmundjeje, është një sëmundje që ka akoma shumë të panjohura, por deri tani nuk është se ka dhënë ndonjë impakt të madh apo një rrezikshmëri të madhe te njerëzit. 

A duhet të kemi frikë që të konsumojmë mishin e shpendëve?

Konkretisht mua më kontaktojnë miqtë e mi, njerëzit e mi, të njohur dhe persona të ndryshëm të cilët më pyesin nëse duhet apo jo t’i konsumojmë. Çdo ditë më pyesin nëse duhet apo jo të konsumojmë mishin e shpendëve. Është krijuar një situatë e cila, njerëzit kanë frikë që të konsumojnë këto produkte, por e them me përgjegjësinë më të madhe si mjek veteriner që mjafton që mishi apo veza të rrjedhë nga shpendë të shëndetshëm, pra të jenë të shëndetshëm para se të theren apo vezët të rrjedhin nga shpendë të shëndetshëm dhe nuk ka asnjë lloj problemi te njerëzit. 

Pra konsumatori duhet të jetë i sigurt?

Konsumatori nuk është i rrezikuar nga kjo sëmundje, mjafton që të jenë të shëndetshëm para se ato të theren dhe ato do të konsumohen pa asnjë lloj problemi. Njerëzit kanë frikë. Unë e kuptoj sepse është krijuar një panik i madh tek ata dhe kjo ka krijuar një impakt të madh edhe te fermerët pasi ndalohet shitja e shpendëve te koaket apo te restorantet ku ato konsumohen, por e them me përgjegjësinë më të madhe se nuk ka asnjë impakt te shëndeti publik. 

Në Kurbin kemi pasur disa raste për sa i përket gripit të shpendëve. Keni informacion çfarë janë këto raste dhe si po trajtohen?

Në Kurbin kemi raste, raste të cilët, në qoftë se ne do të kemi një rast direkt Ministria e Bujqësisë pra shteti janë në dijeni që merr në dorë situatën tek ajo fermë duke e eliminuar të gjithë fermën dhe pastaj bën procedurat e veta për subvencion apo nuk e di se çfarë mund të ketë pastaj aty. Për sa i përket gripit të shpendëve, d.m.th. në Kurbin kemi vatër. Dhe për sa i përket Lezhës ose vendeve të tjera përreth Kurbinit nuk kemi vatra. Por kjo nuk do të thotë që mund të mos ekzistojë mundësia që nuk ka. Ndodhi para disa kohësh me LSD-në që kishim vatër në Maqedoni, në kufi me Shqipërinë dhe ne thoshim që ne jemi të pastër, derisa plasi pastaj kudo në të gjithë vendin. Ne mund ta kemi vatrën por nuk kemi raportuar. Uroj që të mos kemi në Lezhë apo në vendet e tjera dhe në Kurbin të jenë vatrat e izoluara dhe të eliminohet si problem. Por gjithsesi dyshime duhet të kemi që mund të ketë edhe këtu në zonat tona. 

Është e vështirë për ta identifikuar gripin e shpendëve?

Gripi i shpendëve është një sëmundje e cila shfaqet e simptomat e gripit te shpendët, të cilat janë disa simptoma që fermerët i njohin shumë mirë, sekrecione nga rrugët e frymëmarrjes, skuqje të këmbëve etj. Ideja është që ajo njihet si vatër vetëm kur konfirmohet nga laboratori dhe këtu ndoshta edhe hezitojnë pak që t’i marrin rastet me korrektësi ose me seriozitet, pavarësisht se është një situatë e cila duhet marrë me seriozitet të madh nga veterinerët, fermerët për arsye se është një sëmundje e cila shkatërron ekonominë e vendit, ekonominë e shpendëve te fermerët.

A ka institucione që fermerët mund t’u drejtohen nëse konstatojnë raste të shpendëve të tyre që kanë probleme shëndetësore dhe ku mund të drejtohen dhe si mund ta kuptojnë ata që ata janë të prekur nga gripi?

Është detyrim ligjor që sapo të kenë një dyshim, fermeri të lajmërojë veterinerin më të parë d.m.th. që ka në zonë apo diku. Institucioni që merret me situatën e gripit të shpendëve është Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, d.m.th. që në çdo rreth dhe në çdo degë ka specialistët e tij. Por fermerët janë të detyruar dhe e kanë detyrim ligjor që të raportojnë menjëherë sapo të kenë një dyshim të vogël për gripin e shpendëve, ashtu siç e kanë detyrim ligjor edhe veterinerët që të raportojnë pastaj tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe ata të marrin masa për marrjen e mostrave, për marrjen e materialeve dhe dërgimin e tyre në laborator për konfirmimin apo jo të sëmundjes.

Këta laboratorë ndodhen vetëm në Tiranë apo ka edhe në rrethe?

Laboratori ndodhet vetëm në Tiranë, nuk ka në rrethe. Për fat të keq në shumë qarqe janë hequr edhe laboratorë të cilët bënin disa analiza të thjeshta, jo për shpendë, por analiza për sëmundje të ndryshme në kafshët e tjera dhe për momentin ka vetëm disa laboratorë vetëm kafshët e tjera, d.m.th. për sëmundje të tjera, kurse për gripin e shpendëve vetëm laboratori në Tiranë, që është laboratori ISU.

Në qoftë se një shpend ose një fermer ka dyshime që shpendët e tij janë të prekur, mund të themi se vonon përgjigjja nëse ata janë të prekur nga gripi, meqenëse laboratori është vetëm në Tiranë?

Në qoftë se një fermer ka dyshime që shpendët e tij janë të prekur nga kjo sëmundje, menjëherë izolohet situata, d.m.th. izolohet tufa dhe futet në një zonë karantine dhe dërgohen mostrat për analiza. Pa ardhur përgjigjja e analizave nuk bëhet asnjë veprim me ata shpendë, as nuk theren, as nuk transportohen, vetëm mbahen nën vëzhgim nga veterinerët të cilët janë tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë apo edhe veterinerë të tjerë privatë, nuk ka rëndësi. 

Sa vonon kjo procedurë?

Kjo procedurë varet, është e shpejtë sepse është alarm për shtetin për AKV-në dhe nuk vonon shumë, d.m.th. për disa ditë mendoj unë, 2-3 ditë del, pavarësisht se 2-3 ditë nuk janë pak por situata merret në dorë dhe kontrollohet, monitorohet dhe mbahet nën vëzhgim nga këto autoritete. 

Si ju duken masat e marra deri tani konkretisht nga institucionet përgjegjëse siç është në këtë rast Ministria e Bujqësisë?

Për mendimin tim, masat e marra për ndërprerjen e lëvizjes së shpendëve përveçse kur ata shkojnë në thertore, për mua janë masa korrekte d.m.th. masa të domosdoshme. Ndodhi para disa vitesh që ishte te LSD-ja në gjedhë, që u morën me vonesë masat dhe shpërtheu pastaj, ashtu siç shpërtheu, në të gjithë Shqipërinë, por sivjet janë marrë në kohë pavarësisht se kjo ka anën tjetër të medaljes, por për mendimin tim janë masa të domosdoshme që janë marrë në kohë për mospërhapjen e gripit të shpendëve.

Kjo situatë, a duket se po sjell pasoja për ekonominë familjare të fermerëve?

Për sa i përket situatës së fermerëve, në qoftë se bizneset bujqësore apo blegtorale konsiderohen biznese pa çati, biznesi me shpendët d.m.th. fermat blegtorale të shpendëve janë biznes pa çati, pa derë, pa dritare, pa asgjë d.m.th. janë ekonomitë blegtorale më të brishta që kanë kët0. E para. E dyta, është një trend i rritjes edhe të ushqimit të shpendëve, d.m.th., dita-ditës po rritet ushqimi i shpendëve dhe kostoja e shitjes me koston e rritjes së shpendit kanë shkuar pothuajse njëlloj, janë pothuajse barazim. Ka ardhur edhe kjo situatë e cila e ka penguar lëvizjen e tyre dhe njerëzit janë edhe në dyshim për t’i konsumuar apo jo shpendët dhe ata i ka dëmtuar plotësisht, pavarësisht se tani është fjala e shtetit, të cilët duhet t’i ndihmojë, duhet t’i subvencionojë, duhet të marrë disa masa për mëkëmbjen edhe njëherë të tyre, pasi ushqimet janë rritur, treg nuk ka për ata, edhe me mbylljen e lëvizjes d.m.th. kush prodhon zogj për treg është mbyllur lëvizja dhe ato nuk ka ku t’i çojë dhe është i detyruar t’i mbajë në shtëpi, por shtohet kostoja e mbarështimit të tyre, e mbajtjes, dhe kjo ka çuar në një situatë kaotike për fermerët, për blegtorët e shpendëve, që mbarështojnë shpendë, dhe unë mendoj se janë në një pikë ku duhen ndihmuar dhe duhen suportuar nga shteti. 

Në këtë situatë a duket se edhe konsumatori vendës ka frikë të konsumojë mishin e shpendëve?

Pra, siç e thashë, konsumatori është shumë i frikësuar nga lajmet e ndryshme që dëgjon apo lajme të cilat nganjëherë krijojnë panik kot d.m.th. te këta. Është shumë i frikësuar prandaj ka rënë shumë edhe konsumi i shpendëve dhe i produkteve të tyre, i vezëve dhe fermerët tani po shkojnë drejt “greminës”, për arsye se konsumi ka rënë, çmimi i ushqimeve për ta dhe kostoja për rritjen e tyre dhe mbarështimin e tyre është shtuar edhe tani nuk ka as shitje edhe çmimi i shpendit nuk është rritur d.m.th. Është rritur kostoja e mbarështimit por çmimi ka ngelur po ai që është. D.m.th. ata janë në një pikë shumë të vështirë, fermerët. 

Kur është periudha kur gripi i shpendëve është më aktiv, tani në periudhën e verës p.sh.?

Kemi pak fat sepse vera nuk i favorizon shumë viruset. Pavarësisht se për këtë virus nuk është se njihen shumë apo ka shumë të njohura d.m.th. por duke e krahasuar me gripet e tjera ose me influencat e tjera është parë që në verë nuk është se ka ndonjë impakt të madh kalimi d.m.th. shpërndarja ose përhapja e këtij virusi. Vera d.m.th. favorizon fermerët dhe nuk e favorizon fare virusin, kurse në dimër pastaj shpresojmë që të kalojë, po bëhet diçka dhe të stabilizohet situata.

Si duhet të sillen fermerët në këtë rast?

Unë kam kontakt të ngushtë me fermerët dhe i shoh se ata shkojnë nga një tufë në një tufë tjetër duke parë shpendët e njëri-tjetrit dhe pa marrë parasysh rrezikun se ata mund të përhapin sëmundje nga ferma e tyre në fermën tjetër apo anasjelltas, mund ta marrin nga një fermë dhe mund ta çojnë te ferma e vet. Pra duhet të ndërpresin komplet kontaktet me fermat e ndryshme, të shkojë vetëm te ferma e tij dhe të mbarështojë zogjtë e tij apo shpendët e tij edhe kaq. Ideja është se te shpendët e egër ne nuk kemi si izolohemi, shpendët tanë që mbajmë me shpendët e egër, por eliminimi sa më i mundshëm për të mos, d.m.th. eliminimi komplet i kontaktit të shpendëve të tyre me shpendët e tjerë d.m.th. eliminimi që të mos i lëvizin kot nga një vend në një vend tjetër, por t’i lëvizin vetëm për t’i çuar në thertore ose t’i lëvizin për të mos i kthyer më te ferma e tyre d.m.th. ata shpendë që lëvizen. E rëndësishme është që të eliminohet kontakti i shpendëve me derrat d.m.th. këtë e theksoj shumë, pasi, nuk është vërtetuar akoma por është parë në periudha të ndryshme kur kemi pasur influencë aviare që, nëse virusi del nga derri dhe prek njeriun atëherë bëhet shumë i fortë. Duke qenë se ky është një virus që i ndërron shumë vetitë tipike dhe gjendjen tipike të tij, duke dalë nga derri ai bëhet shumë i fortë për njerëzit. Derrin nuk e prek fare, nuk shfaq asnjë lloj shenje, asnjë lloj simptome, por për njerëzit bëhet pastaj shumë i fortë dhe shumë agresiv. Për këtë nuk është vërtetuar akoma, por duke parë eksperienca të tjera, d.m.th. eksperiencat e mëparshme të influencës aviare them që të eliminohet sa më shumë kontakti i shpendëve me derrat.

A ka raste që shpendët mund të jenë të prekur nga virusi dhe nuk shfaqin simptoma?

Nëse ka një tufë e cila përmban disa krerë, 70% e tufës shfaq simptoma dhe është e pamundur që të mos e kemi si, d.m.th. të mos e shohim, të mos i vërejmë simptomat në tufë. Është ndryshe kur është një individ, por shpendët shkojnë zakonisht me tufë, janë me qindra apo me mijëra krerë dhe është e pamundur që ne të mos shohim shenjat klinike te këto tufa. 

Cilat janë shenjat më të zakonshme klinike?

Këto shfaqen në forma akute që ka një ngordhshmëri të një pjese rreth 60-70% të tufës. Kjo është forma akute e sëmundjes. Më pas shfaqen shenja të tilla si rrjedhje nga hundët, skuqje të gjymtyrëve, janë si të karavatur, shpendëve u nxihet lafsha. Janë disa simptoma të cilat i vëmë re, d.m.th. ka edhe shenja të përafërta edhe me sëmundje të tjera, pot gjithsesi neve duhet të na shkojë mendja direkt ngaqë jemi në një situatë epidemie të gripit të shpendëve, neve duhet të na shkojë mendja direkt që kemi prani të virusit, të thërrasim autoritetet. Urojmë që të mos jetë por gjithsesi ne duhet të marrim masa sikur është ajo sëmundje dhe më pas ta verifikojmë a ka qenë e vërtetë apo jo, me anën e laboratorit.

Duke qenë se jemi në një situatë pandemie për sa i përket gripit të shpendëve, cili është mesazhi juaj?

Mesazhi im në radhë të parë është për konsumatorin, i cili nuk duhet të ngurojë të konsumojë produktet e shpendëve d.m.th. mishin dhe vezën. E thashë edhe më parë, dhe vazhdoj ta përsëris, se mjafton që mishin i tyre të rrjedhë nga shpendë të shëndetshëm para se të theren apo vezët të rrjedhin nga pula të shëndetshme, dhe të konsumojnë pa asnjë lloj frike pasi dihet që është një mish i cili hyn te mishrat e bardhë, pa shumë kolesterol apo pjesë të tjera dhe ka shije të veçantë etj., etj., të cilat nuk dua t’i përsëris. Mesazhi i dytë është pfermerët të cilët duhet të ruajnë veten, d.m.th. duhet të ruajnë fermat e tyre me masat që duhet të marrin duke mos i transportuar pa shkak, duke mos i lëvizur nga një vend në një vend tjetër pa shkak, d.m.th. duke evituar lëvizjet apo kontaktet me shpendët e tjerë dhe me derrin, siç thashë. Dhe një apel tjetër është edhe për Ministrinë e Bujqësisë, e cila duhet t’u vijë tani në ndihmë këtyre fermerëve pasi ata janë në pikën e tyre më kritike të mundshme, për sa i përket ekonomisë së tyre të fermës. 

Ju jeni gjatë gjithë kohës në terren. Duket se ka një rënie të konsiderueshme të konsumimit të mishit për shkak të kësaj pandemie?

Unë i shikoj sot për sot d.m.th. fermat të cilat tregtonin dhe kishin treg të vazhdueshëm të këtyre shpendëve me restorante të ndryshme. Sot për sot ka rënë pothuajse në një masë 90% e shitjes së tyre, për rrjedhojë ka rënë edhe konsumi i këtyre produkteve.

M.Q./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/07/2021 00:29

    /PATRONAZHIST/,jam dakort me komentin tuaj,por dua te shtoj pervec tregetareve,edhe fermeret.Disa nga makuteria,disa nga injoranca.

    Përgjigju
  • Patronazhisti: 11/07/2021 19:44

    Po ku dihet a jane te shendetshem kur theren??? Jane aq te ndershem tregtaret sa te cojne dem mllin e tyre per ye kursyer shendetin e bleresve??? Nuk e besoj!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë