Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen gjatë ditës së djeshme në hotelin ‘Rexhina Palm’ në Vlorë, mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinajt, ku disa persona të armatosur hynë në ambientet e brendshme të hotelit dhe kërcënuan me armë zjarri biznesmenin Bedinaj.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se konflikti mes dy ndërtuesve, së bashku me analizën e hartës pronësore të zonës, ka çuar qeverinë në vendimin për t’i dhënë fund situatës së krijuar, përmes shpronësimit për interes publik të zonës në Palasë, ku parashikohet ndërtimi i resortit për të cilin dyshohet se ndodhi sherri. 

Projekti parashikon krijimin e një hapësire të dedikuar për ullirin, ku do të mbillen dhe ruhen varietete autoktone shqiptare, si edhe varietete përfaqësuese të Mesdheut.

Sipas Ramës, në këtë hapësirë pritet gjithashtu të ekspozohen vajrat e ullirit të prodhuar në Shqipëri, duke e kthyer zonën në një pikë të re informimi dhe promovimi për produktet shqiptare. Rama e përshkroi projektin si një “hapësirë të re të dijes” dhe një destinacion për turizëm eksperience.

“Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, tha kryeministri.

Vendimi për shpronësimin dhe mënyra e zbatimit të tij pritet të ndiqen përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative.

Më tej, Rama e cilësoi përplasjen mes dy biznesmenëve si një “konflikt banal dhe brutal”, duke theksuar se sjellje të tilla nuk duhet të cenojnë imazhin dhe misionin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se të gjithë aktorët e sektorit, nga investitorët deri te punonjësit e shërbimit, duhet të sillen si “ambasadorë të turizmit shqiptar”. Sipas tij, dhuna, sjellja e papërshtatshme ndaj klientëve dhe papërgjegjshmëria ndaj hapësirave publike duhet të marrin një përgjigje të fortë.

“Banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar”, deklaroi Rama.

Konflikti ditën e djeshme ndodhi mes pushuesve të cilët ishin ulur për të konsumuar pije në lokalin e hotelit 'Regina Palm', kur persona të armatosur mësynë në ambientet e brendshme të objektit, për t'u përballur me biznesmenin Bedinaj.

Reagimi i plotë i Ramës:

“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cënojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë, nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar.

Prandaj banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli me dhunë, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën publike, duhet të bëhen shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë. Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik e turistik për të gjithë.

Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë, ku do të mbillen dhe do të ruhen variatetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut dhe do të ekspozohen tërë vajërat e ullirit që prodhohën në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë 2 investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”.