Në ditën e 136 të protestës së një grupi banorësh të Unaza e Re situata është tensionuar. Banorët ndryshe nga ditët e tjera nuk e kanë mbajtur të bllokuar rrugën për një orë nga 17:00-18:00, por deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Banorët janë shprehur se kanë informacione se policia mund ti arrestonte. Nisur nga situata e krijuar, në mbështetje të banorëve ka shkuar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili akuzoi kryeministrin dhe ministrin. 

"Pushteti ilegjitim i ngritur mbi votën e vjedhur nga bandat po u shërben bandave. Policia ka marrë urdhër që të shoqërojnë banorët që kanë mbi 4 muaj që protestojnë natë për natë për të mbrojtur banesat e tyre, nga afera më korruptive, për të cilën sot duhet të ishte në burg Damian Gjiknuri dhe duhet të ishte marrë i pandehur Edi Rama. Ky është një informacion i cili ka rrjedhur në mënyrë të besueshme, se një urdhër politik, i ardhur nga nivelet më të larta, supozohet nga Sandër Lleshaj e ndoshta edhe nga Edi Rama, për të kryer akte reprezaljeje e terrori mbi banorët.

Interpretimi im është se bisha kur është e plagosur, është më e rrezikshme në momentet e fundit. E ka kuptuar se i ka ardhur fundi dhe në vend që t’i vërë gishtin kokës, mendon se mund ta shtyjë duke ushtruar terror mbi qytetarët. Me çfarë argumenti hodhën gaz mbi protestuesit ditën e shtunë në protestë? Me të njëjtat argumente. Sepse këta janë të dalë nga bandat dhe u shërbejnë bandave, u shërbejnë bandave kundër popullit
" tha Basha.