Guri prehistorik i zbuluar në Fan të Mirditës strehohet në Muzeun Kombëtar

TIRANE - Pas negociatave të përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës me banorët që kundërshtonin lëvizjen, ka mbërritur më në fund në Muzeun Historik Kombëtar guri prehistorik i zbuluar disa javë më parë në Xhuxhë të Fanit të Mirditës. Menjëherë pas mbërritjes në këtë institucion guri është regjistruar në pronësi të Muzeut Kombëtar, ndërsa arkeologët shprehen se do të nisin më pas punën me konservimin dhe studimin e këtij zbulimi prehistorik. 

“Zbulimi i këtij guri paraqet një rast të veçantë, sepse të gjitha rastet e tjera të ngjashme të artit shkëmbor të zbuluara në Shqipëri janë të pamundura për të lëvizur dhe për rrjedhojë publiku ka shumë vështirësi për t’i parë. Kështu që ky është rasti i parë që kemi mundësi për ta sjellë pranë publikut shqiptar, por edhe të huaj. Për më tepër, në këtë lloj mënyre arrijmë ta mbrojmë nga ekspozimi ndaj rreziqeve, derisa të merret një vendim final sesi do të ekspozohet apo çfarë do të bëhet në të ardhmen”, tha arkeologu i njohur Rudens Ruka për Report TV.  

Të drejtuar nga Agron Islami, specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, një grup përfaqësuesish të Ministrisë së Kulturës kanë lidhur edhe një kontratë dakordësie me banorët e zonës së Fanit, ku u gjet guri prehistorik. Në fillim ata e kanë kundërshtuar lëvizjen duke e konsideruar si pasuri arkeologjike të zonës. Në lidhje me këtë akt në një lidhje telefonike për Report Tv, Frrok Bardhi, banor i zonës, ku u bë gjetja e veçantë është shprehur se edhe pse me një breng të madhe, banorët kanë rënë dakord që guri të zhvendoset në Tiranë.

“Kushte atmosferike do të ndikonin. Guri kur është gjetur ka patur krisje. Pasi shkruam një kontratë me ministrin dhe ta takonim do t'i kërkojmë që fshati të shpallet turistik dhe të vihet dorë për relievin që janë mahnitur të gjithë. Edhe pse me breng. Është një zonë fantastike, kur të shohin me sytë  e tyre duhet mbrojtur nga shtetit" ka deklaruar Frrok Bardhi.

Ky zbulimi i rrallë, ka emocionuar së tepërmi banorët e kësaj zone, të cilët fillimisht e kundërshtuan idenë e lëvizjes së gurit nga vendi ku u zbulua, por tashmë duket se gjërat janë ndryshe. 
Drejtori i Kulturës në Bashkinë Mirditë Gjergj Marku thotë se zona ku është gjetur guri mbart vlera të jashtëzakonshme historike. Sipas tij, objekti pritet të hapë një dritare të re në historinë e kësaj treve dhe me një vëzhgim të parë ai shprehet se ato mund të jenë piktograme.

Objekti me simbole prehistorike konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ‘60-‘70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës. Ndërsa arkeologu Rudenc Ruka rrëfen për rëndësinë e këtij zbulimi të ri në vendin tonë.  

“Zbulimi më i afërt i kësaj natyre është në shpellën e Lepenicës, që për fat të keq është shumë i dëmtuar nga banorët e zonës, gjë që është bërë edhe publike më parë në media. Ndaj mendoj se në këtë rast është marrë një vendim i mirë institucional që lidhet me mbrojtjen e këtyre objekteve”, tha arkeologu Rudenc Ruka.  

Guri me piktograme prehistorike doli në dritë katër javë më parë, pas punimeve për çeljen e një rruge. Ishin banorët e Xhuxhës që lajmëruan menjëherë institucionet përgjegjëse për këtë zbulim. 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD-së, Martin Leka në Report Tv: Po kthehet në rutinë, Berisha nuk ka njerëz! Përdor propagandë për të karikuar simpatizantët! Më shumë kishte policë

Protesta e PD-së, Martin Leka në Report Tv: Po kthehet në rutinë, Berisha nuk ka njerëz! Përdor propagandë për të karikuar simpatizantët! Më shumë kishte policë