Eurokomisari, Johanes Han,do të zhvillojë sot një vizitë në Shkup. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin Maqedonas ai pritet të takojë liderët e partive më të mëdha, të cilëve do t’u kërkojë  të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën politike, si dhe nevojën që bashkërisht të përballen me sfidat kryesore me të cilat përballet vendi.

Ai do të zhvillojë takime me kryeminsitrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Misioni i BE-së në Shkup bën me dije se pas takimeve me Gruevskin dhe Zaev, Han pritet të marrë pjesë në takimin e liderëve, ku do të jenë edhe kryetarët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
 
Zëdhënësja e tij, Maja Kocijançiç tha se komisionari do të theksojë urgjencën e tejkalimit të krizës aktuale duke e theksuar se kjo është arsyeja kryesore e vizitës së Han në Shkup.

“Komisari do t'ua theksojë partive urgjencën për t'u gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës së tanishme sa më shpejtë të jetë e mundur dhe me përkushtim të ndërsjellë të ballafaqohen me sfidat kyçe me të cilat po përballet vendi”- deklaroi zëdhënësja e komisarit Han, Maja Koçijançiç.

Kocijançiç nuk ka dashur të komentojë nëse komisari Han në takim me katër liderët politik do të hedhë në tavolinë ofertë konkrete për zgjidhje të mundshme të krizës politike në Maqedoni.

"Nuk do të komentoj dhe nuk mendoj se kjo do të jetë në dobi të gjendjes. Atë që do ta bëjë komisari është theksimi i nevojës dhe urgjencës për gjetje të zgjidhjes për tejkalimin e krizës së tanishme dhe në atë kontekst duhet të shihni edhe ndaj vizitës së tij"- tha Kocijançiç.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)