Hap pas hapi, si do zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, roli si ‘noter’ i Metës dhe dosjet që do gjykojnë

TIRANE - Ardian Dvorani dhe Vitore Tusha janë anëtarët e vetëm të Gjykatës së Lartës dhe Gjykatës Kushtuese, të cilët i ‘mbijetuan ‘Vetingut’. Që të dyve u ka përfunduar mandati prej disa vitesh, por sipas ligjeve respektive mund të qëndrojnë në detyrë pa limit, deri kur të zëvendësohen. Por ndërsa Gjykata Kushtetuese është bërë sot me 5 anëtarë nga 9 në total, në Gjykatën e Lartë ka mbetur vetëm Ardian Dvorani.

Po si do të zgjidhen anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe në çfarë faze është ky proces?

Procedura e emërimit është parashikuar e gjitha në Kushtetutën e ndryshuar në vitin 2016, duke mos u lënë asnjë mundësi palëve për alibi, shmangie dhe shkelje, siç po ndodh me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë. Sipas nenin 136 të Kushtetutës, ata emërohen nga Presidenti, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Presidenti, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë.

Në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë Presidenti ka një rol krejtësisht formal, gati noterial. Nëse Presidenti nuk shprehet brenda 10 ditëve nga marrja e propozimit nga KLGJ kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por jo vetëm kaq. Edhe nëse Presidenti vendos të mos e emërojnë një kandidat, dekreti i tij e për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sa i takon kritereve, Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit.

Ndërkaq, një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur prej disa muajsh fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur. Në shator të këtij viti, KLGJ vendosi skualifikimin e 14 kandidatëve për në vendet vakante të Gjykatës së Lartë, pasi nuk plotësonin kriteret formale, që përfshijnë shkollimin dhe vjetërsinë në punë. Ata ishin Sergjo Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sylaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Irena Nino, Vjosa Bodo Mujo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj dhe Altin Binaj.

Në muaji tetor u skualifikua nga gara edhe ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ndërkaq, kanë kaluar me sukses kriteret ligjore dhe janë lejuar për të vijuar garën kandidatët në radhët e juristëve të spikatur Ervin Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushi.

Me miratimin e reformës në drejtësi, ku përfshihen ndryshimet Kushtetuese si dhe 7 ligjet kryesore, Gjykata e Lartë organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ. Kolegji Civil shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Ai gjykon në trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Kolegji Administrativ shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave administrative. Kolegji Penal shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale. Pra Kolegji Penal do të shqyrtojë edhe rekurset e politikanëve, të cilët do të dënohen nga Gjykata e Speciale. Kolegji Penal gjykon zakonisht me tre anëtarë, ndërsa rekurset kundër vendimeve të Gjykatave Speciale, e cila shqyrton dosjet e SPAK-ut, do të gjykohen nga një trup gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj