ELBASAN - Punëtorët shqiptarë të kompanisë nënkontraktuese LIMAK në HEC-in e Banjës, kanë vazhduar grevën në ditën e 5-të duke përsëritur kërkesat e tyre për pagesën e orëve shtesë, vendosjen e të dielës si ditë pushimi dhe shtimin e pagës. Paraditen e sotme rreth 30 punëtorë kanë marrë një njoftim zyrtar me shkrim nga firma turke ku thuhet se nëse ata nuk paraqiten në vendin e punës atëherë do tu ndërpritet kontrata.
 
Por punëtorët thonë se ata janë grevistë të ligjshëm dhe nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
 
Njoftimin e bërë nga firma turke kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, e ka cilësuar presion psikologjik ndaj punëtorëve, pasi ligjërisht ata janë në grevë dhe askush nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë veprim ndaj tyre.
 
Teksa i bën apel ministrive të linjës të ndërhyjnë, Nikolla thotë se firma i ka pranuar kërkesat e punëtorëve, por nuk pranon të nënshkruajë kontratat kolektive .
 
Pas takimit të kreut të sindikatave me përfaqësuesit e LIMAK nuk u arrit asnjë marrëveshje institucionale, pasi sipas tyre sindikatat po cënojnë qëndrimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.
 
Në përgjigje të kësaj akuze, Nikolla deklaroi se firma turke po merr punëtorë turq në mënyrë klandestine me viza turistike duke kërkuar nga ministria e Mirëqenies Sociale verifikimin e lejeve të tyre të punës.
 
Shoqërohen në polici 4 punonjës të HEC-it të Banjës
Pas konfliktit të punonjësve me firmën turke, policia ka shoqëruar 4 punonjës të HEC-it të Banjës. Të shoqëruar janë grevistët Flamur Sulmina, Rifat Rami, Besnik Gjika, Arben Hoxha. Sipas policisë së Elbasanit, shoqërimi i tyre është bërë pasi ofenduan punonjësit e tjerë. Ndërsa punonjësit nga ana e tyre thotë se “u provokuan nga punonjësit e firmës turke”.
 
protesta hec me logo

protesta hec me logo
protesta hec me logo
(Në foto: Punëtorët e HEC në protestë) Foto të tjera

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)