Helidon Gjergji: Sazani toka e askujt, ishulli të kthehet në muze natyral (FOTO)

Helidon Gjergji: Sazani toka e askujt, ishulli të kthehet në muze natyral (FOTO)

Vepra e Helidon Gjergjit që ka çelur ekspozitën Sazani toka e askujt

Me dëshirën për të kontribuar me sa të mundet për Galerinë e re të Bregdetit, të cilën e sheh si një “iniciativë fantastike për artin bashkëkohor shqiptar, por edhe të Ballkanit”, artisti i njohur Helidon Gjergji nisi të bënte fotot e para me celularin e tij nëpër rrugët e ishullit të Sazanit.

Ngacmimi i parë nisi kur Sazani, dikur një ishull i militarizuar dhe sot një “muze” i rastësishëm i rrënojave ushtarake po rizbulohej nga katër artistë bashkëkohorë që fokusonin gjurmët e rrënimit me aparate dhe kamera në dorë. Ata ishin Dritan Hyska, Gaime Meloni, Abi Shehu dhe Gerta Xhaferaj. Helidoni iu bashkua në frymëzim e sipër misionit të projektit Sazan: No Man’s Land” (Sazani Tokë e askujt). 

Braktisja e vilave italiane të fillimshekullit, spitaleve, shkollave, kinemave, mensave, sa vinte dhe e bënte më të qartë ftesën:“. Mirë se vini në Sazanin plot histori, tashmë toka e askujt.

Ende i paqartë për rolin e tij në këtë projekt Helidon Gjergji, ndërsa largohej, sheh një shpend të madh që kishte ngecur në një depozitë uji në portin e ishullit. Ai edhe pse ishte një artist i lindur në vendin e  shqiponjave, nuk kishte parë një të tillë. Për fat të keq ai pa për herë të parë një shqiponjë të ngordhur. Më vonë specialistët e faunës i thanë se ky është bufi shqiponjë, por imazhi që pa ishte i vetëmjaftueshëm për Helidon Gjegjin që të ngjizte këtë vepër, të cilën kuratorët e zgjodhën të jetë edhe kreu i ekspozitës për mesazhin që mbart.

“Sazan: No Man’s Land”, ishulli i eksploruar përmes syrit të fotografisë bashkëkohore.

Ekspozita “Sazan: No Man’s Land” (shqip “Sazani: Tokë e Askujt”), e cila u hap për publikun në Galerinë e Bregdetit, në Radhimë, Vlorë,  eksploron dimensionet e ndryshme të ishullit mes punëve të Helidon Gjergjit, Dritan Hyskës, Gaime Melonit, Abi Shehut dhe Gerta Xhaferaj.

Të dielën e 11 gushtit, ekspozita u pasurua nga ture të udhëhequra nga kuratorët, si dhe aktivitete shoqëruese kulturore ndanë detit në ambientet e Galerisë së Bregdetit (në krahun e majtë të mjediseve të Hotel “Picasso”) gjatë kohës së perëndimit të diellit. Ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shtator, ka nisur rishtas të bëhet atraktive për publikun. Ajo do të jetë atje, për pushuesit shqiptarë dhe turistët e huaj, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00, së bashku me një dokumentar ku në një intervistë me komandantin e ishullit për 15 vjet gjatë regjimit komunist, Naim Muho, rrëfehen dëshmi që skicojnë një fotografi më vete të jetës, kur Sazani shënonte kulmin e tij.

Dy kuratorët Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj që jeton në Bazel të Zvicrës, thanë se “No Man’s Land” është një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një të ardhme të mundshme të Sazanit.

“Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit për të treguar potencialin e ishullit dhe kontekstit unik që përfaqëson”, tha Stefa.

Sipas Muçaj, kjo ekspozitë është një përpjekje për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. “’No Man’s Land’ është fillimi i jetësimit të këtij misioni”, tha ai.

Fotografitë pasqyrojnë qasjet e ndryshme stilistike dhe analitike të secilit artist të ftuar, por formati dhe përmasat mbeten konstante, duke ekspozuar rregullin dhe estetikën ushtarake.

Artisti Helidon Gjergji e konsideron Sazanin një muze historik, natyror dhe ushtarak. “Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen, dhe për paradoks, tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, tha Gjegji.

Ndërsa fotografja Abi Shehu vëren se “shkretia e ishullit të pushton përkundër historisë së tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut të cilat kanë marrë formën e harresës”.

Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje të hollësishme teknike.

Një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me Gjirin e Vlorës, solli një këndvështrim të ri mbi ishullin, përtej siluetës së zakonshme që shumica janë mësuar ta shohin.

Artisti Helidon Gjergji edhe pse i përfaqësuar vetëm me një vepër, është i emocionuar për nismën e artistëve dhe punën e palodhur të kuratorëve Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj.

Helidon, kjo foto juaja me një mesazh tronditës që lidhet “me sikur vdekjen e ngadaltë” të ishullit të Sazanit, ku bashkohen një kokë e një shqiponje të ngordhur dhe një kokë e shqiponjës në flamur, është vendosur nga kuratorët në hyrje të ekspozitës. Si u bëtë pjesë e këtij projekti?

-Unë nuk e dija fare se do të isha pjesë e projektit. Tek unë reflektoi ky mision për idenë e mbrojtjes së Sazanit në vetvete. Vetëm kur u larguam andej unë u thashë që do të ishte kënaqësi që edhe unë të isha pjesë e kësaj ekspozite. Të dy kuratorët e ekspozitës Eliani dhe Niku mbetën të kënaqur nga propozimi ynë dhe po shikoja pastaj fotot që kisha bërë. Dhe natyrisht në finale kjo ishte e vetmja në kokën time që kishte një mesazh dhe nuk kishte shanse të mendoja që të zgjidhja diçka tjetër. Ideja e shqiponjës dhe flamurit shqiptar që njëra kokë është e ulur e tjera duke parë. E kam menduar shpesh simbolin e shqiponjës, të Zotit më dy koka, ku njëra kokë shikon të kaluarën dhe tjetra në të ardhmen, dhe mund të interpretohet në forma të ndryshme e gjithë mitologjia greke dhe romake. Për mua është edhe simbol i tranzicionit, pavarësisht se ka këto dy skaje të kundërta. Ka edhe tranzicionin në mes. Është fiks siç është Shqipëria një tranzicion i tejzgjatur. Por ajo që më tërhiqte më shumë, është Zazani i ngrirë në kohë, është një absurd që do të thotë se aty ku ishte Shqipëria 30 vjet më përpara, aty ka ngelur dhe nuk ka lëvizur. Dhe ne kemi atë ëndrrën, që sikur Shqipëria mos të kishte kaluar nga krahu i lindjes komuniste do të ishte sot si një Zvicër e vogël, etj, etj. Në 1990-n kur ra sistemi ne mendonim shumë ah sikur ne të kishim qenë në krahun e Perëndimit.

Dhe mesazhi ka një efekt tronditës,si do të doje ta shihje ishullin e Sazanit?

Me Sazanin duket sikur jemi në pragun e “sikurit”, dhe ky sikur ka ngrirë në kohë, që ka të gjitha elementët natyralë, gjurmët njerëzore. Dhe unë dua të theksojë se është një mundësi e rrallë që Sazanin ta kthejmë në një muze natyral. Të mos ta lëmë ishullin të braktisur që të vinte ndonjë protektor tjetër, që thjesht do ta shkatërronte natyrën dhe historinë e këtij ishulli. Me natyrën dhe tekat e saj, me faunën e rrallë, dhe me gjurmët e njerëzve që banuan aty, duke qëndruar larg me plot të panjohura për shqiptarët, por edhe për vetë banorët e Vlorës dhe të fshatrave përreth. Prandaj unë e theksoj që të mos e lëmë Sazanin të shkatërrohet më tej, por të kthehet në muze. Vetëm kështu ky ishull do të jetë pjesë e rëndësishme e hartës së vendit tonë.



//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • populli: 13/08/2019 13:39

    Plotesisht e drejte.. Ishalla ska ndonje kamp atje se vjen Gezim Kalaja me sindikatat inekzistente dhe e ndan me %...

    Përgjigju
  • Ben: 13/08/2019 07:49

    Toke e askujt?Eshte e shtetit shqiptar ,por nje fare te drejte ke,se ne nuk kemi shtet.Sazanin,do te gdhijme ndonje dite dhe do ta shohim me shezlongje,çadra, "resorte"dhe tabela "Toke e Xanun".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja