Aplikacionet kriminale/ Banushi: Grupet kanë menduar se komunikimet nuk do zbërtheheshin! Doçi: Me 'Matrix', SPAK do bëjë tërmet tjetër në botën e krimit

TIRANË - Gazetarët Keti Banushi dhe Adriatik Doçi ishte sot në ‘Studio Live’ Report Tv, ku folën për dosjet e nxehta të SPAK dhe ecurinë e hetimeve me organizatën kriminale të Elbasanit dhe kërkimet ku ndodhet Suel Çela.

Fillimisht diskutimi nisi për lajmin e sotëm, ku është zbuluar një tjetër aplikacion që përdorej nga krimi, bëhet fjalë për 'Matrix'.

Banushi theksoi se ç’kodimi i komunikimeve përmes këtyre platformave ka qenë vendimtar për shumë dosje penale.

'Kishim dëgjuar më herët që përdoret nga grupet kriminale, por ç’kodimi i tij jemi në të njëjtën situatë si me Sky dhe Encro që shumë dosje janë falë zbërthimit të këtyre. Duhet parë pasi do jetë vendimtar vendimi i Gjykatës Kushtetuese në datën 19. Të gjithë personat e akuzuar në bazë të komunikimeve pretendojnë se mënyra e marrjes nga SPAK nuk është bërë konform ligjeve. Të mos merren si provë. Nuredin Dumani tregon në dëshmi që me një person grupi kriminal Enrik Hoxhën komunikonte në Matrix. Është përdorur dhe SPAK ka në dorë edhe Sky dhe Encro. Gjithçka është bërë në bashkëpunim me homologët. Të shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të japi një vendim shterues', thotë Banushi.

Doçi tha se aplikacione të tilla, përfshirë Matrix, Sky ECC dhe EncroChat, kanë dhënë prova të rëndësishme për prokurorinë. Ai theksoi se këto komunikime janë konsideruar prova të mundshme, por jo dëshmi të drejtpërdrejta.

'Të gjitha këto dosjet e bujshme të SPAK bazohen në zbërthimin e aplikacioneve të përdorura nga 2019-2021. Krimi i organizuar ka vepruar prej gati 2 dekadash, me të njëjtin intensitet edhe pas 2021. Çfarë aplikacioni ka përdorur? Një nga aplikacionet besohet të jetë Matrix. Dumani dëshmoi se është përdorur nga grupet në Elbasan. Nga praktika e konsoliduar e SPAK dhe informacionet që ky aplikacion është thyer pritet që pas 1 viti të kemi një tërmet tjetër të krimit të organizuar në Shqipëri. Pritet që duke bërë llogaritë e afateve kohore, të ketë një goditje tjetër, pas 1 viti. Këto komunikime nuk janë provë, por indicie. Të gjitha dosjet e SPAK, i ka marrë si indicie dhe ka bërë hetime shtesë duke i përputhur me veprime në terren. Flet Suel Çela me gjyqtaren Pajtime Fetahun si të marri një vendim në favor. SPAK bën verifikim dhe gjen vendimin konkret në favor të bandës kriminale', thekson Doçi.

'Deri në fund të vitit 2021 kemi të dhëna, më pas errësirë si kanë komunikuar grupet kriminale.'

Banushi shpjegoi se grupet kriminale kishin besim se këto platforma nuk do të thyheshin, duke i përdorur për komunikime të hapura. Sidoqoftë, pas zbërthimit të këtyre aplikacioneve, u gjetën indicie që ndihmuan në identifikimin dhe hetimin e grupeve të krimit të organizuar, por shumë detaje mbeten të pasqaruara, veçanërisht për lëvizjet e personazheve të dyshuar si Suel Çela në Elbasan.

'Nuk janë më përgjimet telefonike si prova. Deri para 5 vitesh ishin përgjime telefonike. Janë gjetur prova dhe indicie. Ka kohë që nuk përdoret dosje por shohim Sky dhe Encro, madje me foto, video. Kanë qenë shumë të hapur, pasi paguanin këto platforma. Kanë patur besim se nuk do thyheshin dhe hapeshin një ditë. E vetmja gjë që thonë është se nuk e provoni dot se jemi ne.

'Duket që ai ka lëvizur lirshëm në Elbasan, për të takuar bashkëpunëtorët apo për të iniciuar vepra penale. edhe drejtuesin e policisë që ka qenë në Elbasan, e kam pyetur a ka informacione, ai jo vetëm në polici por edhe në gjykatë, media ka patur shumë bashkëpunëtorë', shton Banushi.

Policia ka çaluar dhe nuk ka dashur ti kapi këto persona.

Doçi shprehu dyshime për mundësinë që disa struktura brenda policisë të jenë të përfshira, duke theksuar se për individët me urdhra arresti, mbështetja nga brenda mund të jetë e nevojshme për të mbijetuar. Ai po ashtu përmendi se figurat e njohura si Suel dhe Talo Çela janë ende të lirë dhe mund të kenë mbrojtje. Ai shtoi gjithashtu se mund të ketë përfshirje të funksionarëve dhe ish-funksionarëve të politikës, deputetëve dhe ish-ministra, por deri tani nuk ka prova të forta që lidhen drejtpërdrejt me politikën.

'Dosja e Elbasanit ka dy veçori. E para, që është e paprecedentë në Shqipëri dhe jo vetëm, një gjyqtare jo vetëm rekrutohet por vendoset në dispozicion të grupeve kriminale. Shpreh kënaqësinë për njohjen që ka. Përveçse që merr vendime në favor por jep dhe porosi kriminale organizatave për të goditur segmente. Porosia për të goditur përfaqësues të medias. Element tjetër përfshirja e grupeve në qarqe mediatike duke diktuar agjenda të emisioneve politike për dezinformim, shpifja ndaj kundërshtarëve, orientimin e policisë ndaj kundërshtarëve. Mënyra si operonte grupi kriminal tipike dhe e njëjta linjë si grupet e tjera, që kapnin segmente të caktuara të policisë dhe shtrinin tentakulat për të kapur entet publike. Kemi në komunikimet mes tyre, ndarje detyrash për të ndarë pushtetin në qytetin ku veprojnë, për sektor si arsimi, tenderat. Panoramë e frikshme', theksoi Doçi.

'Kam dyshime që ka dorë struktura, të caktuara në polici. Një personazh me disa urdhra arreste e vështirë ti mbijetojë operacioneve policore pa mbështetjen e elementeve në polici. Nuk është vetëm Suel Çela, është edhe Talo Çela. Ka patur aksion. Figura epike janë ende të lirë dhe në kërkim formal. Mund të kenë mbrojtje.'

'Dyshohet janë të implikuar funksionarë dhe ish funksionarë drejtësie, deputetë dhe ish ministra. Përflitet që do goditet grupi i fundit, në zonën e Durrësit. Nuk janë informacione zyrtare. Krimi i organizuar ka mbështetje politike. Personat e rekrutuar, si krerët kundër krimit në polici, shefa, janë vendosur nga politika. Në disa raste grupet janë mjaftuar për të kapur segmente, dhe politika i ka përdorur për të mbledhur vota. Nga dosja e publikuar nuk kemi ndonjë implikim të rëndë nga politika. Përflitet për dosje që ende nuk janë publikuar dhe janë në hetim. Deri më sot nuk ka prova të rënda.'

Banushi theksoi se SPAK ka pranuar se ka pasur politikanë të përfshirë në komunikimet në Sky, por hetimi vazhdon, ashtu siç ndodhi dhe me rastin e Çyrbjes, që kërkoi kohë për zhvillimin e tij. Për më tepër, ajo përmendi se dosja e Suel Çelës është ende në hetim, me ngjarje të pazbardhura si vrasja e një avokati në Elbasan që po verifikohen nga SPAK.

'I pari rast i politikës është Çyrbja. Sky nuk është vepër penale. problemi çfarë ka folur në këto aplikacione. SPAK nuk ka mohuar që ka patur politikanë në komunikime Sky. Do duhet kohë si në rastin e Çyrbjes. Edhe dosja e Suel Çelës po hetohet pasi dalin ngjarje të pazbardhura. Bëhet fjalë edhe vrasjen e avokatit në Elbasan. Po verifikohen nga SPAK', vijoi më tej Banushi.

Gërdeci dhe 21 Janari janë ngjarjet që lidhen ngushtësisht me pozitat dhe fatin politik të Sali Berishës, thotë Doçi.

'Gërdeci dhe 21 janari, janë prova më e fortë për pozitat dhe fatin politik të Sali Berishës. Nëse klubi Partizani është dosje e kopsitur por konsiderohet si kafet e Nexhmijes, 21 janari dhe Gërdeci dosje serioze dhe reale. Ka prova dhe fakte që konfirmojnë se Gërdeci ishte biznes i familjes Berisha me pronar Shkëlzen Berisha nga tabulatet telefonike, nga hyrje daljet në ministrinë e Brendshme.

Babai i tij, Sali Berisha si kryeministër i vendoste në dispozicion qeverinë për këtë biznes. E njëjta gjë në 21 janarin. Pas shumë alibish për plumba rikoshet, vranë njëri-tjetrin, Sali Berisha u detyrua dhe duke besuar se nuk do ketë drejtësi mori përsipër vrasjen e 21 janarit dhe deklaroi për një vrasje të mbetur në tentativë, për të vrarë kryetarin e opozitës me 5 snajpera', nënvizoi Doçi.

G.K/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alex: 04/12/2024 07:56

    I jane dredhur briret mire supermashtrusit Doci. E paska hallin ke "5 snajpera" por eshte memec per banden e Tome Doshit qe Rama organizoi per te realizuar operacionin 21 Janari. Si agjent i vjeter i "sizmit" italan duhet te qe me i ndricuar per keto pune..m

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

112 vite diplomaci shqiptare, ministri Hasani: Forcojmë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

112 vite diplomaci shqiptare, ministri Hasani: Forcojmë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare