Po shikoj në kronika filmike se si qasën në Himarë dy burra shteti ardhur nga Greqia; njëri kryetar i Athinës e tjetri kryetar i Selanikut. U varën poshtë nga kodrina mbi Potam dhe iu afruan Shpellave. Aty prisnin disa njerëz më këmbë, por më shumë njerëz sollën me vete të ardhurit… Mu krijua e njëjta skemë si në ngjarjet që kam përjetuar këso rastesh në Veri të vendit, e ndoshta kudo njësoj. Atje miqtë trokasin e vijnë kudo ku pikasin njerëz dhe zëra, pa lajmëruar.
E kam përjetuar… sapo, këtë verë.
Nipi im jeton në Greqi, por për tu martuar është martuar me një vajzë ‘nga anët’. Babai i saj, në 4 gusht, festonte ditëlindjen te kulla e tij në Thirrë, ku kalojnë tunelet e Rrugës së Kombit.
-Po çuditemi me këta që vijnë në mesnatë!
-S’ka ndonjë çudi,- i them atij që foli dhe merrem me ‘tungjatjetat’ e secilit.
Fqinjët e të zot’t të shtëpisë që kishte ditëlindjen, sapo e ndjenë se festa u ndez, morën të përpjetën përmes pishave dhe behën në oborr.
… Kështu është kjo historia e ‘trokitjes në derë’ kudo ku fqinji ka një lajm.
Me të ardhurit nga Greqia në Himarë puna ishte më ndryshe. Ata e sajuan vetë ose u ndodhën para një ngjarjeje dyfish më fqinjësore se në ngjarjet e zakonshme. Në Himarë kishte vërtet nja gjashtëdhjetë apo njëqind vetë që donin një protestë ‘pro- greke’ për të liruar dikë nga burgu. Por ‘shtëpia’ kishte edhe miq të tjerë të ardhur nga Europa, që në fakt janë edhe miq të Greqisë. Përgjatë Bregut kishin ndaluar Georgia Meloni, kryeministre e Italisë; ish kryeministri D’Alema; bija dhe këshilltare e presidentit Trump, Ivanka; ish kryeministri i Anglisë, Blair dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Mendova se sapo të mbarojnë punë me protestën ‘kundër shtetit shqiptar’ burrat nga Greqia të marrin rrugën e të shkojnë te personalitetet dhe miqtë e lartë të vendit.
Të paktën në Thirrë të Mirditës kështu ndodh. Kështu ka ndodhur në Krujë ku Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu rezistoi çerek shekulli në mbrojtje të Europës: Në çdo kohë, luftë apo paqe, të dërguarit e shteteve fqinje apo fuqive të mëdha, kanë gjetur derë të hapur. Kështu ndodh zakonisht në çdo krahinë të vendit: Miku që vjen, për fjalë të keqe a të mirë, troket në derën e të zotit të shtëpisë. Kam pritur që pas rrëmujës në Spille, burrat e shtetit nga Greqia, të kalëronin bregut e të piqeshin me Ramën, me Melonin, me zonjën Trump apo sir Blair.. Kësaj here Shqipëria po dëshmon se është edhe një ‘Zonjë e Madhe’ ku kanë trokitur e kanë mbërritur kryetarë shtetesh të Europës dhe miliona turistë nga Perëndimi dhe Lindja. Nuk kishte rast më të mirë për burrat e Greqisë se sa të bashkoheshin me miqtë e tyre. Të paktën të bënin aq sa bënë fqinjët e vjehrrit të nipit tim në Thirrë: Dëgjuan zëra se kishin mbërritur miq dhe u ngjitën drejt kullës pa lajmëruar.
Çfarë ka ndryshuar mes nesh, në zakonet e Ballkanit, që nga koha e ‘Krujës’?
Kur them Krujë, dua të përkujtoj edhe ngjarjen e madhe historike të formimit të Himarës dhe disa fshatrave përreth. Shumica prej këtyre njerëzve, siç dëshmonte edhe vetë Petro Markoi, bir i këtyre anëve, kanë zbritur nga Kruja, nga Mirdita e nga Labëria. Mbetën atje në Breg si ‘të izoluar’ sepse nuk kishte më informacion me qendrën, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut. Por jo se nuk ishin nga dera ku trokitet sa herë ka lajm nga miku.
Kjo është arsyeja e parë pse po them për ‘Krujën’ në Himarë.
Arsyeja më e arsyeshme që kur bashkohen ‘liderë nga Europa’ duhet të kujtojnë Krujën, është se Heroi i shqiptarëve luftoi për të mbrojtur Europën. Këtë duhej të bënin miqtë e ardhur nga Greqia në Himarë, të përshëndetnin fillimisht rrënjët e shqiptarizmës në Himarë, e pastaj të bënin protestë ‘alias greke’. Po pse vallë duhet të mendoj të kundërtën që mund të ketë ndodhur në qëllimin e dy burrave të Greqisë pse erdhën në Himarë?
Një ardhje si kjo ka kuptim kundër principit të Europës; ose e thënë si në filmat mbi ‘atletin e Krishtit’ në Krujë, kanë ardhur për të gjuajtur me gurë në portën e Europës… Po mirë, ta zëmë nuk qenka bash kështu? Atëherë pyes, pse vallë ata nuk u takuan me personalitetet e larta të Europës që ndodheshin po në atë Breg të Himarës? Më duket se prapë Himara po kthehet në Krujë, në muret e së cilës u përplasën sulmet otomane që tentonin të pushtonin Europën.