Taulant Habili është i vetmi kovaç i ditëve të sotme në Këlcyrë.
Mezi pret të gdhihet dita për të shkuar tek kasollja përbri banesës të cilën e ka përshtatur në punishte, për prodhimin e veglave bujqësore.
47-vjeçari me probleme shëndetësore, punon për të mbajtur veten dhe prindërit e sëmurë. Sikurse thotë me modesti, këtë zanat e ka trashëguar nga i ati dhe e ndjek me pasion të pamatë.
Dorën e majtë e lëviz me vështirësi, teksa kalit metalin në zjarr, për ta shndërruar në mjet prerës. Na tregon se kërkesat janë të shumta për kosore, sëpata, thika dhe instrumente të tjera bujqësore.
Pasioni i tij është puna dhe asgjë tjetër.
Kovaçi punon çdo ditë sa në prush dhe në kudhër, duke u dhënë forma objekteve metalike.
Është më i liri në treg kur vjen fjala për shitjen e produkteve bujqësore, punuar në mënyrë artizanale. Mjaftohet me ato pak para që siguron për mbijetesë.
Taulant Habili u vjen në ndihmë dhe barinjve, pasi bën çokane dhe këmborë të përmasave të ndryshme për bagëtitë.