Historia e rrallë në 'Dosja K', Bedri Blloshmi: Dëshmoj Spaçin, ditën që vdiq Enver Hoxha

Dita e 11 prillit 1985 në Spaç ishte një ditë e pazakontë. Vdekja e diktatorit Enver Hoxha do të merrej vesh që atë ditë në mëngjes mes të burgosurve dhe policëve punonjësve të sigurimit etj….. Por si u përjetua kjo ditë mes të burgosurve dhe xhelatëve të këtij burgu?

Dëshmia e rrallë e Bedri Blloshmit dhe shumë dokumente ekzkluzive mbi këtë ngjarje u dhanë mbrëmë në emisionin “Dosja K” në Report tv.

Blloshmi rrëfen mbi shumë detaje të asaj dite që sundohej nga muzika funebër në Spaç, por edhe për ndëshkimet shtazarake të xhelatëve, ndaj të burgosurve që u shprehën të gëzuar për vdekjen e diktatorit në ditën e zisë. Një ngjarje e panjohur dëshmohet nga Bedri Blloshmi edhe mbi urdhrat e vrasjeve të fshehta në minierë, vrasje të cilat më pas deklaroheshin thjeshtë si aksidente në minierë.

11 prilli i 1985 në burgun e Spaçit,  do të ishte një ditë e paharruar për të burgosurit politik të regjimit komunist. Në rrethana krejt të pangjashme ata do të mësonin atë ditë lajmin më shpresëdhënës të jetës së tyre. Bedri Blloshmi po punonte atë ditë në galerinë e vjetër me numër 20 në zonën e dytë të minierës së Spaçit. Ishte një ditë e zakonshme pune në atë minierë të vështirë.

Bedri Blloshmi e kujton kështu: “Po prisja momentin që të vinte ajri i kompresorit. Ne pak a shumë i ndjenim oraret e proceseve të punës që kryenim në galeri. Unë kuptova që kishte kaluar orari i ajrit të kompresorit dhe dola jashtë që të pyesja. Kur dola jashtë, atje te vendi ku rrinte polici ishin mbledhur edhe shumë policë të tjerë, civilë dhe më bëri përshtypje kjo gjë. Pyeta policin dhe ai më bërtiti që të futesha brenda. Kur u ktheva pashë që në vendrojën ushtarake ishte ngritur flamuri në gjysmështizë. Kuptova që diçka kishte ndodhur dhe që ishte diçka e rëndë. Kur shkova në galeri u tregova edhe shokëve. Pastaj erdhi brigadieri i dënuar dhe na urdhëroi që të linim punën. Dolëm jashtë dhe na rreshtuan”.

Zona e dytë e Spaçit atë ditë  kishte më shumë policë se sa të dënuar.  Ishin të shqetësuar. Asnjë nuk fliste.  Policët qanin dhe fshinin lotët me cepat e xhaketave. Të burgosurit i kishin vënë në rresht dhe pas afro 20 minutash kishin zbritur në kamp. I kishin kontrolluar si zakonisht dhe i kishin futur brenda rrethimit. Edhe në kamp gjendja ishte po ashtu e nderë. Kishte aq shumë policë e civilë që kishin zbarkuar në Spaç sa ishte e pamundur të mos kuptoje se një ngjarje e pazakontë kishte ndodhur. Altoparlanti që ishte vendosur në një degë të plepit, i cili ndodhej mes barakave në buzë të përroit, lëshonte muzikë funebër. Të gjithë të burgosurit i kishte përfshirë një gazmend i fshehur. 

Bedri Blloshmi thotë: “U kuptua që kishte ndodhur diçka, por kë mund të pyesnim. Hëngrëm drekën sepse ishim turni i parë. Nga e gjithë kjo u kuptua që diktatori nuk merrte më frymë. Në krah, në krevatin ku flija kisha një Etem Ibrahimi nga Vlora. Të nesërmen në mëngjes u ngritëm dhe shkuam në mensë...

Në fakt, unë fola me dy-tre shokë të dënuar dhe nuk e mendova se ndonjë aty do ta kishte mendjen tek unë. Dolëm jashtë, u rreshtuam dhe po prisnim që të niseshim për në punë. Në Spaç në atë kohë ishin dy kampe. Ai ku isha unë dhe të tjerët që i quanin armiq ishte në përrua, ndërsa te kampi te pallatet rrinin të dënuarit ordinerë”.

Ngriti dolli kur gjithë populli mbante zi për Enver Hoxhën
Ngjarja e atij mëngjesi ishte me të vërtetë e rëndë për xhelatët e regjimit në kamp. Gëzimi për vdekjen e diktatori ishte një akt i patolerueshëm për mentalitetin e tyre. Dhe ky akt duhej dënuar maksimalisht. Në raportin që kishte lënë komandanti i togës së policisë Josif Sadikaj për ngjarjen në mensë atë mëngjes, të nesërmen pas vdekjes së Enver Hoxhës shkruhej:

Sot me datë 12.4.1985 në repartin 303 Spaç në rajonin e banimit për krime kundër shtetit, rreth orës 6:00 i dënuari Bedri Blloshmi, në kohën që ka qenë duke ngrënë mëngjesin në mensë dhe kur të dënuarit e tjerë  kishin ulur kokën e po hanin bukë u shpreh me fjalët “Gëzuar o shokë” këtë thënie të tij e dëgjoi vetë kryetari i këshillit Dhimitër Stefa, i cili informoi menjëherë. Ky i dënuar i ka thënë këto fjalë në një kohë kur mbarë populli mbante zi për vdekjen e shokut Enver Hoxha. Ky i dënuar paraqet rrezikshmëri. Për këtë mendoj të izolohet dhe t ndiqet penalisht.

Komandanti i Togës së policisë Josif Sadikaj.

Më poshtë dokumenti mban edhe këtë shënim të oficerit të rojes:

“Të izolohet me 30 dit, të përpilohen dokumentet dhe të ndiqet penalisht,

Oficeri i rojes Refat Shkëmbi

Pas këtij raporti  komanda e repartit jep vendimin për këtë “mëkat të pafalshëm të këtij kundërshtari të paepur që gëzonte ditën e vdekjes së diktatorit në një kohë kur i gjithë populli qe në zi!!!  

“Spaç më 12.4 1985

Reparti i riedukimit 303

Fletë dënimi

Për arsye se i dënuari Bedri Blloshmi ka shkelur paragrafin, pikën, ... të rregullores së reparteve të riedukimit duke prishur qetësinë e rregullin në kohën  e ngrënies së mëngjesit..

E dënoj me 30 ditë izolim.

Dënimi i fillon në ora ‘7 datë 12.4.1982 dhe i mbaron në ora 7 të datës 10.5.1985

Komisari i repartit 303

Xhemal Zerka

Komandanti i repartit 303 Flamur Topallaj...”

Nisin ndëshkimet... “Një muaj izolim!”
Pas këtyre shkresave, a mbase ende pa u hartuar shkresat, menjëherë pas raportimit të spiunit për ç’ka ishte thënë atë mëngjes në mensë, ndërsa të dënuarit e turnit të parë, mes tyre Bedri Blloshmi, Et’hem Ibrahimi, dhe Agim Hamiti, ishin vënë në rresht për të shkuar në galeri, komandanti i policisë me mëngët e përveshura ishte afruar dhe kishte bërtitur “Kush është Et’hem Ibrahimi?” Dhe kur i përmenduri kishte dëgjuar emrin e tij ishte përgjigjur “unë jam”. Komandanti  i ngrysur e me sytë e skuqur nga të qarët e kishte urdhëruar: “Hajde me mua matanë se plasi peshku”. Kjo ishte një ironi e komandantit për Et’hemin, si për ti kujtuar atë që i dënuari kishte thënë në  kapanon natën e 11 prillit pasi ishin kthyer nga galeria në kamp. Dikush e kishte spiunuar Et’hemin  pasi ai kishte thënë:“Tani plasi peshku. Shpëtuam përfundimisht. Mos u mërzitni tani...”

Por pas Et’hemit komandanti do të shfaqej sërish në kodrën mbi kapanon dhe do të vinte të thërriste këtë herë Bedri Blloshmin...

“Ne ishim në pritje që të vinte policia për të na nxjerrë në punë. Po bisedoja bashkë me Etemin, ishte edhe një Agim Hamiti nga Vlora etj., dhe po flisnim se si do shkonin punët me qeverinë në vijim. Ndërkohë vjen shefi i policisë dhe thirri Etem Ibrahimin. Etemi e kishte dënimin e dytë dhe për 5-6 muaj lirohej. E dërgoi Et’hemin në krahun matanë dhe erdhi përsëri e pyeti se kush ishte Bedri Blloshmi. Më mori dhe mua. Në mesin e urës ku ishim rreshtuar ishte edhe baraka e policit. Shefi policisë më futi aty dhe më pyeti se përse isha i gëzuar e i qeshur. Më çoi në krahun tjetër te një fushë, që atje i thoshin fusha e qymyrit. Atje ishin mbledhur policë e civilë, të cilët të egërsuar po rrihnin Et’hemin. Filluan të më rrihnin edhe mua sepse kisha sharë “babanë” e tyre, se isha shprehur se do të shembej qeveria etj. Pasi na rrahën mirë e mirë të dyve, na mbyllën në birucë. Pas një muaji dola nga biruca...”

Udhër i fshehtë: Vriteni në galeri...
Pas birucës për çdo të dënuar niste rutina e zakonshme. Zgjimi në 5 të mëngjesit apeli, ngrënia e mëngjesit, përgatitja e turnit të radhës për në minierë, norma sfilitëse, kërcënimi me tortura nëse nuk arrin normën, kthimi në kamp e më tej ditët në vijim po njësoj...

Kishin kaluar disa ditë të tilla, pas izolimit dhe Bedri Blloshmi do të merrte një ditë krejt papritur një  kërcënim të hapur para qindra të burgosurve politik. Kryetari i degës së punëve të brendshme të Rrëshenit,  Bajram Pelo kishte mbledhur gjithë kampin, e kishte nxjerrë para të gjithëve Bedri Blloshmin dhe e kishte kërcënuar ta qepte gojën ndryshe do ia prinin me gërshërë.

Po atë ditë, pas asaj mbledhjeje të pazakontë para kampit, roja i brendshëm, kishte thirrur nj prej të dënuarve që ishte në brigadën e Bedri Blloshmit dhe e kishin futur në birucë për disa orë. Të nesërmen teksa shkonin për në punë ai kishte treguar se çfarë urdhri makabër i kishin dhënë kur ishte në birucë...

Bedri Blloshmi: “Polici mori një nga punëtorët që punonte me mua. Kur shkuam të nesërmen në punë, ai punëtori më tregoi se e kishin futur në birucë dhe atje kishte shkuar edhe kryetari i degës, i cili i kishte thënë: “Ti punon në galeri bashkë me Bedriun, kështu që gjeje mënyrën dhe vrite në galeri. Pastaj hajde të marrësh lirimin e të shkosh në shtëpi”.

Përballja më këtë fakt ishte turbulluese. Në çdo rrethanë i rrezikuari mund të takonte vdekjen. Pasi kishin folur pak çaste për këtë gjë, dy ish të dënuarit që punonin në të njëjtën brigadë do ta shihnin këtej e tutje njëri-tjetrin me dyshim. Bedri Blloshmi  e kishte ndarë këtë sekret edhe me dy tre shokë të tij. Tashmë, edhe nëse në minierë ndodhte një aksident i pastër, sërish të gjithë do të besonin se Blloshmin e kishte vrarë shoku i dënuar sipas porosisë së kryetarit të degës. 

Dhe vërtet një aksident do të ndodhte në minierë dhe Bedri Blloshmi do të jetonte shumë orë të vështira mes jetës e vdekjes...

12 qershor 1985, dita e aksidentit...
Aksidentin në minierë Bedri Blloshmi e kujton kështu: “Në datën 12 qershor unë rashë në furnelën e galerisë. Minat që nuk plasnin, lëshonin helmin e tyre dhe atje nuk bëhej ajrosja e duhur se nuk kishte nga të qarkullonte ajri. Unë isha dhe pa ngrënë se nuk e haja mëngjesin. Më zuri helmi dhe rashë 13 metra e gjysmë. Poshtë meje ishte ai personi që i kishin kërkuar të më vriste. Ai ishte alarmuar dhe kishte dalë jashtë për të lajmëruar. Erdhën të gjithë. Më nxorën prej andej pa ndjenja. Në infermieri më bënë një gjilpërë për zemrën, dhe më kishin lënë në një dhomë të vogël që quhej dhoma e vdekjeve. Atje kishte edhe të tjerë të shtruar. Kishte ardhur edhe një doktor nga spitali. Ata të kampit i kishin thënë se për 2-3 orë unë do të vdisja.

Ndërsa ai i kishte kundërshtuar dhe kishte kërkuar që të më nisnin për Tiranë dhe le të vdisja rrugës. Më sjellin në Tiranë, në spitalin nr. 2, që ishte spitali i burgut. Kam ndenjur 21-22 ditë. Kur u përmenda, isha i hutuar, nuk përqendrohesha dot se ku isha. Më dhembte shumë koka sepse e kisha goditur. Nuk isha në gjendje as të flisja. Kur u përmenda kuptova se më kishin lidhur këmbë e duar në krevat. Më dhembte edhe kurrizi. Mendova se kisha thyer shtyllën kurrizore. E dija se në atë gjendje mund të jetoja 10-15 vjet megjithëse i paralizuar. Mendoja se si mund të hidhesha nga dritarja e të vritesha”.

Por ky ishte veç një mendim i çastit. Shumë shpejt ai do të ngrihej nga shtrati dhe do ta kthenin sërish në kamp në Spaç. Por kthimi në minierë nuk ishte më një opsion për të. Ai do të refuzonte hapur të punonte në galeri e veç kësaj nuk do e ndalte agjitacionin e propagandën kundër regjimit komunist.

Një ditë, me justifikimin se po e çonin  në spitalin e Rrëshenit për ta vizituar, Bedri Blloshmi kishte përfunduar në degën e Punëve të Brendshme. Ai gëzim i pafre, ditën e vdekjes së diktatorit nuk ishte harruar.... 

Bedri Blloshmi kujton: “Më morën me makinë dhe më çuan në Degën e Brendshme. Atje pashë se po plotësonin një procesverbal arresti. Më çuan te biruca nr. 7. Në mesnatë erdhi kryetari i degës dhe më mori në pyetje. Më rikujtoi gjithë çfarë kisha thënë. Dge i shash po i kam thënë të gjitha. Unë nuk e dua regjimin tuaj. Më tha pse e ka sharë babanë tonë(Enver Hoxhën) . I përgjigja: nuk e dija se është babai juaj”. Më kërcënoi më tha: do të të shtyp si morr”!. Nuk e mbaj mend se sa kohë më mbajtën atje. Pastaj erdhën dy oficerë nga Tirana. Kryetari i degës u shpjegoi se çfarë kisha thënë unë. “Merreni bëni ç’të doni me të. Ky do plumbin ballit”..

Bedriu kujton se atë ditë në hetuesi ata do i propozonin që të mbyllte gojën, të mos bënte më agjitacion e propagandë dhe se do ta transferonin në një burg tjetër. Por pas kthimit në Spaç Bedri Blloshmi si duket kishte vijuar po njësoj. Ai tashmë ishte tepër i rrezikshëm aty, helmonte çdo ditë mendjet e të dënuarve politik me ide e deklarata “se regjimi do të binte shpejt e se do të dilnin në liri”.., “se ai ishte një sistem i dështuar në të gjithë sferat e nuk e kishte të gjatë...”

Ndëshkimi i fundit në Spaç ishte një muaj izolim në qelitë e errëta e ndërkohë, kur izolimi po përfundonte po përgatitej sakaq shkresa për ta transferuar në Burgun e Burrelit. Edhe në këtë shkresë do të theksohej mëkati i rëndë i Bedri Blloshmit: “Ai kishte guxuar të gëzohej e lumturohej ditën që kishte vdekur diktatori..”. 

Spaç më 7 .8.1985

Propozim

Për kalimin në regjim Burgu në repartin 321 Burrel të dënuarin Bedri Sami Blloshmi.

Konstatuam

Se i dënuari  Bedri Blloshmi  ka mbajtur dhe mban qëndrim shumë të keq, nuk është aktivizuar asnjëherë në punë, është element parazit, merret me agjitacion e propagandë të mprehtë armiqësore në mënyrë të fshehtë dhe hapur,  duke mohuar rolin udhëheqës  të partisë dhe të udhëheqësve kryesor, nënvleftëson arritjet ekonomike shoqërore të vendit tonë, në mënyrë të veçantë ka mbajtur qëndrim shumë të poshtër në ditën e zisë për udhëheqësin tonë, duke thënë se tani do të ndryshojë politika e Partisë dhe e qeverisë shqiptare  duke mbajtur në gojë udhëheqësin tonë dhe duke përdorur fjalë fyese dhe ofenduese në prezencën e disa  të dënuarve, me sjelljet dhe qëndrimin e tij ne shohim nj armik të betuar të partisë dhe të shtetit.

Për këto ky i dënuar është thirrur dhe këshilluar disa herë , është dënuar me izolim në birucë. Po për këto sjellje, së fundi është demaskuar para gjithë të dënuarve nga ana e kryetarit të degës së punëve të brendshme dhe nga komanda e repartit. Aty në vend që të mbante qëndrim autokritik, në mënyrë të ashpër e krejt armiqësore kundërvihet dhe vërteton përfundimisht rrugën dhe qëllimet që ai i ka vënë vetes si armik i betuar i këtij sistemi. Në këto kushte duke parë rrezikshmërinë që ka ky i dënuar në këtë repart riedukimi, si dhe rolin negativ që luan ky i dënuar tek elementë të veçantë, duke u nisur nga mendimi i kryetari i degës së punëve të brendshme të rrethit:

Vendosëm

Që i dënuari Bedri Blloshmi të mbyllet në regjim burgu në repartin 321 Burrel, për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqet në këtë repart riedukimi.

Komisari i Repartit 303

Xhemal Zerka

Komandanti i repartit 303

Flamur Topallaj

Punëtori operativ i repartit 303 Gramoz Velçani

Dakord

Kryetari i degës Punëve të brendshme të rrethit

Bajram Pelo..

Në burgun e Burrelit Bedri Blloshmi do të kalonte ende edhe 5 vite e shtatë muaj. Një tjetër regjim i rreptë e shkatërrues. Por pinjolli i Blloshmëve ia doli të mbijetojë. i la përfundimisht qelitë e Burrelit me 29 mars 1991. Epoka e diktaturës ishte mbyllur. Ai tashmë do të mund të dilte në liri. Por nuk ishte koha për prehje e qetësi. Një betejë e re do të niste për të: gjurmimi i të vërtetave rreth persekutimit të gjatë e të pandërprerë ët familjes së tij nga regjimi komunist për 45 vjet.

Si dhe pse u pushkatua vëllai i tij Vilson Blloshmi dhe kushëriri Genc Leka, kush i spiunoi? Cilët ishin xhelatët? Çfarë makinacionesh përdorën për ti çuar drejt pushkatimit? Si kishin qenë vitet e burgut për babanë dhe xhaxhain e tij, pasojat e pallogaritshme në familjet e dy poetëve të pushkatuar, persekutimin deri tek fëmijët e mitur, etj...

Të gjithë këto ishin pjesë e betejave që Bedri Blloshimit ju desh t’i përballte, gjatë 27 viteve postdiktaturë, për të dëshmuar me dokumente si rrallëkush krimet e kryera ndaj familjes së tij e për ti publikuar vit pas viti në një seri librash me të vërtetë të vyer.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen