Momentet e fundit të efektivit/ Me temperaturë 42, trupi me pulla dhe i enjtur...Prindërit në vështirësi ekonomike, policia i dhuron 6 paga

Momentet e fundit të efektivit/ Me temperaturë 42, trupi me pulla dhe i enjtur...Prindërit në vështirësi ekonomike, policia i dhuron 6 paga

Mariglen Mestani

TIRANË - Në asnjë çast nuk e hiqte buzëqeshjen nga fytyra, edhe pse, pa e ditur, e priste vdekja. I qeshur, duke përshëndetur me një lëvizje koke, e ku me duar, Mariglen Mestani u shua më 7 janar, rrethuar nga familjarët, të afërm e kolegë në sallën e infektivit, i futur në karantinë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Efektivi 27-vjeçar i Policisë Rrugore në Tiranë ndërroi jetë me dyshimet e forta të mjekëve për meningjit, megjithëse fjalën e fundit e ka Mjekësia Ligjore, kur ende nuk kanë dalë përgjigjet e analizave, të cilat duan kohë. Përreth 12 orë ai qëndroi në duart e mjekëve, ndërsa shpresa se do t'ia hidhte, thuajse nuk ekzistonte. E megjithatë, të gjithë njerëzve të zemrës që e vizituan në spital, në pamundësi për të folur, Marigleni i jepte zemër duke i buzëqeshur, ndërsa në sytë e tij shihej gëzimi dhe vlerësimi për të gjithë ata që i qëndruan pranë.

Tek Marigleni, për njerëzit e afërt, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën, është vështirë të harrosh imazhin e tij të qeshur. Kush do ta mendonte se pas energjisë së efektivit të policisë, do të fshihej brenga e madhe për prindërit e tij. Babai dhe nëna e tij, të cilëve ende nuk u janë tharë lotët nga dhimbja për humbjen e djalit të tyre të vetëm, jetojnë në kushte të mjera në një fshat të thellë të Ersekës, Shtijen, ku vështirë të gjesh makinën e duhur për të shkuar si efekt i rrugës së keqe. Pas një njeriu të përkushtuar e të përgjegjshëm që i shihej në sy vullneti për punë, fjalëpak dhe që asnjëherë nuk thoshte jo, fshihej sakrifica e madhe për të ndihmuar prindërit e tij, e për të mos iu bërë barrë në asnjë moment. Edhe pse jetesa në Tiranë "të vret" me shpenzime, e më shumë akoma për një të ri 27-vjeçar si Marigleni, asnjëherë nuk i kishte folur për shqetësimet dhe vështirësitë e tij. Një djalë me perspektivë për karrierën në polici, ëndrrat e të cilit u ndërprenë në mes, krejt papritur.

Sakrificën dhe 'amanetin' e tij e kanë vlerësuar kolegët e policisë. Nga Tirana drejt Ersekës trupi i pajetë i 27-vjeçari u shoqërua me eskortë, me një numër të madh automjetesh, ku brenda tyre kolegët ishin në heshtje vrastare për mungesën e Mariglenit. Ende nuk duan ta besojnë atë çfarë ka ndodhur. Në ceremoninë e lamtumirës së fundit në Ersekë, ishin drejtues të policisë rrugore që e veçonin Mariglenin si punonjësin më të mirë të brezit të tij, dhe 40 kolegë, të gjithë të veshur me uniformë.

Në ceremoninë e varrimit ata mësuan se familjarët e tij jetonin në kushte të mjerueshme, dhe udhëtimi drejt Tiranës ishte me kokën pas.

Ditë më vonë, efektivë të Policisë Rrugore kanë shkuar sërish në Ersekë pranë prindërve të kolegut të tyre, ku secili prej tyre kishte mbledhur nga 50 mijë lekë të vjetra, për të ndihmuar sadopak në përballimin e boshllëkut që kurrë nuk do të mbushet, për humbjen e Mariglen Mestanit.

Shqiptarja.com mëson se Mariglenit të ndjerë i kaluan 6 paga për të ndihmuar babanë dhe nënën e tij në vështirësi financiare dhe për të shprehur njëherazi vlerësimin për sakrificën e efektivit të Policisë  në 6 vitet që ai kaloi në Policinë Rrugore, në ditë me shi e diell, në shërbim të qytetarëve.

Një djalë të fortë dhe që nuk kishte shfaqur më herët shqetësime shëndetësore, e përshkruajnë kolegët. Por ditët e fundit para se të ndërronte jetë, kolegët e tij kujtojnë momentet me Mariglenin, të cilat edhe ata vetë, njëjtë si 27-vjeçari, nuk i kishin kuptuar se ishin kaq serioze.

Tre ditë para se të ndërronte jetë, Mariglen Mestani kishte thënë se ndjente debulesë, ndërsa në një moment këmba e djathtë i ishte mpirë aq sa e kishte edhe të vështirë për të dalë nga makina. Por e ka kaluar pa e vlerësuar si shqetësim serioz. Ka shkuar në punë, dhe miqtë e tij e kanë parë teksa kishte ethe dhe dridhej. Aty ka kërkuar leje për t'u larguar, dhe ashtu ka bërë. Qetësinë u mundua ta gjejë në shtëpinë e tij, duke e lidhur 'shkakun' e kësaj gjendje me lodhjen, ose ndonjë virozë. Pas dreke, 27-vjeçari ka shkuar të qetësohet në shtëpi, ku banonte me qira në zonën e "Astirit", ku rrugës, pranë sheshit "Shqiponja" ka ndaluar të takojë disa kolegë të forcave "Shigjeta" me të cilët ka zhvilluar një bisedë të shkurtër, i qeshur, dhe pa u thënë se nuk po ndihej mirë. Edhe ata vetë, shprehen për Shqiptarja.com se panë në fytyrën e tij që diçka nuk shkonte, por pa e menduar tragjedinë që do të pasonte.

Por nga një temperaturë në dukje e zakonshme, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe rreth orës 05:00 të mëngjesit, 27-vjeçari i ka bërë një telefonatë kolegut të tij duke i thënë të vijë ta marrë e ta shoqërojë në spital, pasi nuk po ndihej mirë. Ka qenë vëllai i kolegut, pasi ky i fundit ishte në punë, që e ka shoqëruar me shpejtësi drejt QSUT-së. Kishte arritur me temperaturën 42! Bluzat e bardha e shtruan menjëherë në repartin e  Infektivit, pasi trupi i Mariglenit kishte shfaqur ndryshime të menjëhershme. I gjithi i ënjtur dhe me pulla të kuqe në fytyrë dhe trup. Shqiptarja.com mëson përmes ekipit mjekësor të QSUT-së që ndoqën nga afër situatën e Mariglen Mestanit, se i riu shfaqi simptomat e meningjitit, ndërsa bakteri që ata dyshojnë se është meningoku, i kishte shkatërruar organet. Rezultatet e analizave të cilat për të zbuluar nëse është meningjit ose jo duan kohë, pritet të hedhin dritë mbi atë se çfarë i mori jetën para kohe efektivit 27-vjeçar të Policisë Rrugore.

Lajmi për ndarjen nga jeta të policit rrugor rrëmbeu dhimbjen e shumë shqiptarëve të cilët e ndoqën, lexuan dhe komentuan në Shqiptarja.com si asnjë lajm tjetër. Të shumtë ishin ata që e kishin njohur qoftë edhe fare rastësisht në rrugët e kryeqytetit ku ai qëndronte në detyrë, por edhe miq e kolegë të cilët kanë shkruar në një valë komentesh duke shprehur ndër të tjera edhe ngushëllimet për familjen. Ngjarja e trishtë e largimit të tij nga jeta  nxori në pah vështirësitë që ai dhe familja e tij kalon për të mbijetuar. Dhe sot, prindërit e Mariglenit, kanë nevojë për zemërgjerësinë e shqiptarëve. Çdo kontribut, sado i vogël, mundë të ngrohë sadopak zemrat e dërrmuara të prindërve që humbën djalin e vetëm, në një moshë, kur jeta e tij duhej të merrte hov!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja