Historia tragjike në kampin e Vlashukut: Të birin e ish-kryeministrit Fiqiri Dine e zuri dheu poshtë dhe pak para se të vdiste, i tha doktor Isufit se a mund të shpëtonte, me pa dhe njëherë…

Historia tragjike në kampin e Vlashukut: Të birin e ish-kryeministrit Fiqiri Dine e zuri dheu poshtë dhe pak para se të vdiste, i tha doktor Isufit se a mund të shpëtonte, me pa dhe njëherë…

Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

 (Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)

RINI E COPËTUAR          

                                               Kushtuar familjes dhe shoqërisë,

                                                                Autori

                                                  Vijon nga numri i kaluar

VLASHUKU

Puna ishte e vështirë dhe me pasoja të rënda. Aksidentet ishin të shumta. Porsa kishte mbaruar platforma e vinçit prej trarësh dhe dërrasash. Vinçier ishte një djalë i ri, e quanin Qemal. Mbiemrin nuk ia mbaj mend. Ishte një djalë i qeshur dhe me humor. Për katër muaj do të lirohej. Montoi vinxhin, i vuri kondrapeshat dhe filloi ta rrotullojë për ta provuar. Kur ato arritën nga ana e jashtme e platformës, dy dërrasa që nuk ishin mbërthyer si duhet, u ngritën nga pesha e vinxhit.

Qemali fluturoi dhe ra në kanal nga një lartësi më shumë se dhjetë metra. Menjëherë pas tij ra edhe vinxhi, i cili e fundosi rreth një metër në tokë. Vdekja ishte e llahtarshme. Ajo kishte ngrirë buzëqeshjen e tij. Zbritëm poshtë, çmontuam vinxhin dhe nxorëm trupin e sakatosur. Në pasdite e varrosëm në vendin e caktuar për të vdekurit, disa hapa jashtë rrethimit, në anën e sipërme të kampit. Askush nuk dha llogari, për këtë aksident.

Punonim në gërmim në fund të kanalit. Thellësia kishte arritur mbi njëzet metra. Zakonisht në mes të kanalit, linim një bllok dheu me dimensione 80 X 40, pa gërmuar, për të llogaritur volumin e dheut. Llogaritjet bëheshin çdo mbrëmje. Ishe i detyruar të realizoje normën, përndryshe mbeteshe pa racionin e bukës dhe çajit të darkës. Këta blloqe dheu ne i quanim piramida. Lartësia e saj kishte arritur gati dy metra.

Skënder Dinia, biri i Fiqiri Dines, një personalitet i njohur i krahinës së Dibrës, punonte në fund të kanalit. U ul pranë një piramide të tillë dhe ndezi një cigare. Por lodhja dhe dobësia, bënë që t’i shpëtonte ajo nga duart dhe ta zinte gjumi. U mbështet pas piramidës. Roja që kontrollonte të burgosurit po afrohej. Shoku i tij e pa dhe i thirri:

– “Skënder, çohu se po vjen roja”.

Në tentativë për t’u ngritur, i përgjumshëm siç ishte, nga nxitimi u mbështet më me forcë. Piramida u rrëzua. Një klithmë e tmerrshme u dëgjua. Dheu kishte rënë mbi të. Shokët u munduan ta ngrinin, por ai nuk lëvizte dot. Kishte dhimbje të mëdha në shpinë. Kishte mbetur i kërrusur. Shokët e morën me vështirësi dhe e vendosën në një tezgë që sajuan aty për aty. E transportuan në infermierinë e kampit.

Doktor Isufi, që kishte vetëm disa ditë që kishte ardhur në Vlashuk, e vizitoi dhe konstatoj se mund të kishte thyer unaza të shtyllës kurrizore. I gjori Skënder, nga mesi e poshtë ishte i paralizuar. Në mes të dhimbjeve, ai pyeste doktorin:

– “Doktor, a do të mund të shpëtoj, për me pa edhe nji herë nanën”?!

Të ëmën bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, i kishte të internuar në Savër të Lushnjes. Doktori e dinte se për të nuk kishte më shpresë. Megjithatë i jepte vazhdimisht kurajo:

– “Sa të kalojnë disa ditë dhe do të bëhesh më mirë. Do të shkosh në spital dhe do të shërohesh”.

Në spitalin e Beratit, e çuan vetëm pas tre ditësh. Rrojti edhe disa ditë dhe mbylli sytë. Trupin e tij, nuk e dimë se ku e hodhën.

Ishte fillimi i marsit 1953. Atë ditë Xhavit Çesma nga Mokra, me të cilin hanim bukë bashkë, afrohet dhe thotë:

– “Dëgjoni, këto ditë do të ndodhë një ngjarje e madhe. Kam një parandjenjë për këtë”.

– “Goja të buroftë mjaltë! – i tha Myrtezai – ndoshta thyen qafën ky yni”!

Na ishte bërë zakon, që çdo ditë të prisnim ndonjë ngjarje të tillë. Mirë thonë, se shpresa vdes e fundit. Ajo na mbante gjallë. Pas disa ditësh morëm lajmin e vdekjes së Stalinit dhe një javë më vonë, atë të diktatorit çek, Klement Gotvald. Gëzimi në radhët e të burgosurve, ishte i madh.

– “Kush e ka radhën tani, mos vallë ky yni? – pyeti Xhaviti me qesëndi – A nuk ju thashë unë që e parandjeva”?!

Toger Ademi, e kuptoi nga fytyrat tona, mendimin që kishim.

– “Kot gëzoheni se, në rast se imperialistët amerikanë do të guxojnë të shkelin në tokën tonë, juve do jeni të parët që do të zhdukeni”.

– “Të gjithëve nuk na zhdukni dot”, – u dëgjua një zë nga turma.

– “Kush foli”? – pyeti togeri i tërbuar.

Turma heshti. Sado që u mundua, asnjë nuk foli. Së fundi, një spiun ordiner, i tregoi për Xhavitin. E mori dhe, pasi e lidhi, e dënoi një javë në birucë. Ai muaj ishte një skenë terrori për kampin.

Disa vite më vonë, Xhaviti u lirua dhe u internua në Savër të Lushnjes. Prej andej tentoi të arratisej në Greqi, por u kap nga forcat e kufirit dhe u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua një natë dhjetori.

                                                                          * * * 

Në muajin maj, më erdhën për takim babai me nënën. Së bashku me ta ishte edhe Liria. Në atë kohë ajo banonte në Peqin. Zakonisht takimet, bëheshin në dy anët e rrethimit me tela me gjemba. Atë ditë shërbimin e kishte rreshter Lutfiu, një nga rojet e pakta me zemër të mirë. I erdhi keq për mua dhe më nxori përjashta. U përqafova me mall me të tre.

Babai m’u duk shumë i plakur. Ishte gjashtëdhjetenjë vjeç. Edhe nëna ishte shumë e lodhur. Më treguan për Fatushen, që e kishin transferuar në Bishan, një fshat në derdhjen e Vjosës dhe për Agimin, që punonte si topograf në Levan. Kur u ndamë, i shoqërova me sy deri sa u zhdukën te kthesa.

Një të diel, ndërsa po rrinim duke biseduar, afrohet Gjon Shllaku dhe thotë:

– “Djelmosha, sot po organizojmë nji konkurs letrar në prozë dhe poezi. Me këtë rast, do të shpërndajmë edhe dy çmime për fituesit. Prandaj  letër dhe laps dhe filloni”.

Në shkollë kam qenë i shkëlqyer në hartime. Ato i zhvilloja gjithmonë në formë tregimi. Kurse atë ditë më shkrepi ideja që të bëja një poezi. Ndoshta këtu ndikoi poezia, që i kisha kushtuar Nerit. Sidoqoftë, u ula dhe shkruajta poezinë e më poshtme: 

          ROBËRIA 

“Në çdo anë e në çdo cep,

Moj e dashur Shqipëri!

Që nga Korça në bregdet

Ndodhesh ti në robëri.

 

Nëpër burgje të tmerruar,

Njerëzit vuajnë pa mëshirë.

Janë shtypur, robëruar,

Pse kërkojnë  jetën e lirë.

 

Nëpër  kampet gjakatare,

Ndihet huri dhe dajaku.

Vuajnë zemrat shqiptare,

Porsi lum u vete gjaku.

 

Bujku atje tej punon,

Është këputur lodhur shumë

Arën me mundim lëron,

Edhe natën rri pa gjumë.

 

Nëpër male shkon  bariu,

Bashkë me dhentë e tij,

Vuan shumë gjithmonë i ziu,

Pasi  është në robëri.

 

Shqipëri o moj e mjerë!

Pse nuk ngrihesh përsëri?

Të tregosh se kësaj herë,

Liria shpejt do të vijë”! 

Për çudi Myrtezai, që kishte prirje për poezi, shkroi një tregim në prozë. Pas një jave u mblodhëm përsëri për të bërë ndarjen e çmimeve. Gjoni shpalli si fitues në prozë një djalosh nga Korça. Ai kishte shkruar një prozë poetike shumë të bukur për lirinë. Në poezi u shpall fitues një djalë nga Dibra. Unë dhe Myrtezai ishim ndërmjet dhjetë më të mirave që ishin paraqitur në konkurs. Kënaqësia e ime ishte e jashtëzakonshme. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Ndoshta ishte më shumë përmbajtja e saj, se sa vlera e vargjeve, që ndikuan në këtë drejtim. Premiot ishin dy kuti duhani te bëra prej një mjeshtri nga gaveta italiane. Në kapakun e secilës ishte gdhendur një shqiponjë dhe poshtë saj shkruhej: RROFTË SHQIPËRIA!

Pas disa ditësh Gjoni u afrua dhe na tha:

– Djelmosha, ngulitin mirë në mendje ato qi keni shkrue, në mënyrë qi të mos i harroni dhe mandej shkyni letrat.. Ato mund të paraqesin rrezik.

Ashtu bëmë. Poezia u ngulit në trurin tim dhe mbeti e tillë edhe pas pesëdhjetepesë  vjetësh.

                                                                     * * * 

Në korrik erdhi komisioni mjekësor nga Ministria. Ai vinte zakonisht një herë në vit. Kryesohej nga doktor Miraka. Doktor Isufi kishte sajuar për mua një diagnozë fallso sikur vuaja nga takikardia. Komisioni, që nuk donte t’ia prishte doktorit, më nxori me gjysmë norme. Kjo ishte një ndihmë e madhe. Formuam një skuadër ku të gjithë ishim gjysmë norme.

Një ditë doktor Isufi më tha:

– Kam menduar të bisedojë me komandantin e kampit për të të futur në kuzhinë. Atje do të jesh më mirë.

Në fillim ngurova. Të gjithë ata që punonin atje ishin të dënua ordinerë. Këmbëngulja e doktorit dhe respekti që ndieja për të, më detyroi të pranoja. Kështu fillova. Puna atje ishte e lehtë. Vetëm se ishte me turne. Në turnin tonë kuzhinier kishim një djalë të mirë nga Dibra. Kishte hyrë në burg pasi kishte vrarë pa dashje një shokun e tij, kur ishin ushtarë. Me të bëja bisedë vazhdimisht, e vriste ndërgjegjja për sa kishte ndodhur.Të tjerëve u qëndroja larg. Ata kishin hyrë  për vjedhje ose përdhunime. Nga goja e tyre nuk dëgjoje veçse biseda të ndyra. Kështu që shumë shpejt fillova të mërzitem nga ajo punë. Vetëm se më vinte rëndë t’i thoja për këtë doktorit.

Një ditë erdhi për kontroll një ekip i Ministrisë së Brendshme, i kryesuar nga një kapiten i parë. Inspektuan komandën, rojet dhe gjithçka tjetër. Së fundi erdhi edhe në kuzhinë. Filloi të na pyesë me radhë:

– Përse je dënuar?

Të gjithë përgjigjeshin për ndyrësitë që kishin bërë. Kur erdhi radha ime, u përgjigja:

– Agjitacion dhe propagandë.

Më vështroi nga koka tek këmbët. Diçka bisedoi me komandantin e kampit që e shoqëronte dhe pastaj m’u drejtua:

– E për kë paske bërë agjitacion zotrote, mos vallë për anglo – amerikanët?

Nuk iu përgjigja menjëherë. Po mendohesha. Së fundi, vendosa t’i them të vërtetën. Servilizmin më kishin mësuar ta urreja.

– Për Shqipërinë dhe shqiptarët!

– E për cilët shqiptarë, për ata që tradhtuan atdheun dhe u bënë vegla të të huajve?

– Për shqiptarët e vërtetë. Për ata që ju i vratë, i mbyllët nëpër burgje apo i detyruat të arratisen jashtë shtetit.

U nxi në fytyrë dhe filloi të turfullojë si një qen i tërbuar. U kthye dhe iku pa thënë asnjë fjalë. Toger Ademi që ndodhej aty më pa me inat dhe tha:

– Ta tregoj unë qejfin ty!

Mori një palë hekura, më lidhi duart duke m’i shtrënguar sa mundesh. Pastaj më mbylli në qelinë që ishte për këtë qëllim. Për çudi, në mbrëmje sollën edhe Hysniun, Burimin, Kliton Dinon, Ahmetin, Myrtezanë dhe Jorgon. Ky ishte absurditeti më i madh që mund të ekzistonte. Përse të dënoheshin edhe ata për fajin tim? Apo pse ishin shokët e mi më të afërt? Edhe ata i lidhën si mua.

Hysniu me temperamentin e tij, nuk duronte dot kur shihte duart e mia të enjteshin nga shtrëngimi i hekurave dhe thërriste:

– Ju jeni të poshtër. A shtrëngohen ashtu hekurat në duart e një kalamaku? Shtrëngomini mua dhe lirojani atij!

– Pusho Hysni, mos u fol! – i thosha unë me zë të ulët që ta qetësoja.

Rojet futeshin në qeli dhe na i shtrëngonin më fort hekurat. Na lanë dy ditë pa ushqim. Pas një jave na zgjidhën duart dhe na nxorën në punë. Ato ishin ënjtur dhe nxirë nga mos qarkullimi i gjakut. Mua më hoqën gjashtë orëshin dhe më dënuan që për gjashtë muaj të mos kem takim me familje.

                                                                              * * *

Po ktheheshim në kamp nga puna. Para portës kishin qëndruar disa makina.

– Kanë prurë kontingjent tjetër, – tha Myrtezai

Në të vërtetë, në mes të oborrit, kishte shumë të burgosur të rinj. Midis tyre ishte edhe Besniku. U gëzova së tepërmi. M’u duk sikur më kishte ardhur tërë familja. Me të mund të bisedoja gjëra të cilat nuk mund t’i bëja me shokët e tjerë. Kush ka provuar mungesën e familjes, e kupton ndjenjën time në atë çast.

Pranë shtratit tim ishte një vend bosh. Një i dënuar nga Kukësi ishte liruar para disa ditësh. U mundova të vendosja Besnikun në atë vend. I thashë kapterit por ai nuk pranoi. Në vend të tij më pruri një burrë rreth të dyzetepesave, nga ata që porsa kishin ardhur. Nga pamja e jashtme ngjante me një njeri serioz dhe të civilizuar.

– Mirëseardhët! Besoj se do e kalojmë mirë bashkë, – i fola.

– Natyrisht mbasi këtu nuk kemi çfarë të ndajmë – u përgjigj ai.

Unë isha shumë më i ri se ai dhe nuk dija se çfarë t’i thoshja. Ai po sistemonte rrobat dhe nga kujdesi që tregonte për to mund të kuptoje se kishe të bëje me një intelektual.

– Nga ju kemi? – vazhdova unë me injorancën time.

– Jam nga Korça dhe quhem Sadik Shkëmbi. Por ju mor djalë paskeni ca si tepër muhabet.

Unë qëndrova në heshtje i turpëruar. Mos kisha thënë ndonjë fjalë që nuk duhej thënë? Ai sistemoi rrobat dhe u drejtua nga unë duke më thënë:

–  Po ju nga jeni? Përse ju kanë futur brenda?

– Jam nga Vlora. Quhem Reshat Kripa. Jam arrestuar për agjitacion dhe propagandë, – iu përgjigja me kënaqësi që kishte pranuar të bisedonte me mua.

– E çfarë agjitacioni paskeni bërë?

– Shpërndarje traktesh nëpër qytet.

– Me trakte do e rrëzonit qeverinë ju? Po lere, lere, mos më flisni më  se si e kanë katandisur këtë vend këta, edhe vetë Zoti nuk mund ta rregullojë.

Heshti. Unë rrija dhe nuk guxoja të flisja. Nuk di sepse por që me prezencën e tij kishte fituar një autoritet karshi meje.. Pasi ndenji pak filloi:

– Megjithatë e di që të ka mbetur merak, prandaj po ta tregojë. Jam profesor i letërsisë. Kam mbaruar universitetin e Sorbonës në Francë. Kam qenë mësues në Liceun e Korçës. Që kur isha në universitet u njoha me Netën. Ajo studionte për psikologji. U dashuruam dhe porsa u kthyem në Shqipëri u martuam. T’iu them të drejtën nuk më pëlqente mënyra se si komunistët morën pushtetin. As edhe metodat mesjetare të përdorura prej tyre kundër inteligjencës së trashëguar nga e kaluara. Ndieja se edhe kundër meje përdorej po ajo metodë. Përfituan nga një rast fare absurd dhe më pushuan nga puna. Kisha lënë në klasë djalin e një funksionari të Komitetit të Partisë. E kundërshtova me arsyetimin tim këtë vendim. Në një çast e humba kontrollin dhe përdora një shprehje që më vonë u përdor kundër meje. Por mendoj se në të vërtetë më luftonin si intelektual që kisha studiuar në perëndim. Më arrestuan  me akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe më dënuan me dhjetë vjet burg. Në shtëpi lashë gruan, që e pushuan dhe atë nga puna dhe tani punon në ndërmarrjen bujqësore dhe vajzën time të vetme, Vjollcën time të bukur si pranvera.

Qëndroi dhe po më vështronte me kujdes.

– Sa vjeç jeni?

– Tetëmbëdhjetë.

– Qenke një moshë me Vjollcën time. Vazhdon vitin e fundit të  gjimnazit. Është nxënëse e shkëlqyer. Më vjen keq se u bëra unë shkaktar që ta pengojë për të vazhduar më tej.

Nuk vazhduam më gjatë. Rasti i Vjollcës më solli ndër mend klasën time. Edhe ata ishin në vitin e fundit të gjimnazit. Midis tyre ishte edhe Neri. Nuk mund të ketë çast më të vështirë se kur kujton shoqërinë tënde të mirë në momente vuajtjesh shpirtërore. Që nga ai çast, me gjithë ndryshimin që kishim në moshë, u bëmë miq të mirë me Sadikun. Në këtë drejtim ndikoi edhe opinioni i mirë që më dha Besniku për të.

Në fund të nëntorit Jorgua u lirua si rezultat i një amnistie  që u zhvillua atë vit. I falën gjashtë muaj. Unë dhe Myrtezai kishim  edhe gjysmën e dënimit për të kryer./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja