Memorie.al/ publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!
Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”
VLORA
Historia e Sigurimit për Vlorën, nis me ngjarje të ndodhura gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, me vrasje para xhamisë muze, ndërsa e nxinte atë fletë pas flete me jetë të tjera, që fikeshin në shtëpitë e kundërshtarëve të komunizmit, apo në shtëpitë e simpatizantëve të komunizmit.
Përveç atentateve, kapjes dhe ekzekutimit të atyre që i cilësonte spiunë e tradhtarë, njësitet guerile mblidhnin informacione, për ata që do të ekzekutoheshin në të ardhmen. Mes tyre ishin shpesh edhe komunistë, siç ndodhi me asgjësimin e Haki Xhelos dhe Qani Shenës, që u eliminuan. Pas çlirimit të Vlorës, nisi procesi që Sigurimi e emërton; “spastrimi i qytetit dhe krahinës nga kriminelët e luftës e agjentët e huaj”. Vetëm në dy muaj, prej 15 tetorit 1944, deri në fund të dhjetorit 1944, u arrestuan 327 veta, nga të cilët, 213 u dënuan. Për tre vjet, 1945, 1946 dhe 1947, Sigurimi numëron 2952 dosje, për të dënuar, të arratisur, të dyshimtë, të internuar e të huaj dhe 96 të ekzekutuar.
Vrasje në dhomën e pritjes
Një prej metodave që njësitet guerile të Vlorës, përdornin për të vrarë kundërshtarët e tyre, ishte ftesa për darkë. Pasi gjenin simpatizantë të vetët, i udhëzonin të ftonin për darkë kundërshtarët që i kishin miq, t’u propozonin që të dilnin partizanë dhe kur ata të refuzonin, “ata e kapnin, e lidhnin dhe ashtu të lidhur, e nxirrnin jashtë qytetit dhe e çonin në çetat partizane, që pasi i bënin gjyqin, e pushkatonin”.
Por vrasjet bëheshin edhe në shtëpitë e vetë kundërshtarëve të komunistëve. Sigurimi e pranon në Historikun e Vlorës, një rast të tillë. Tregtarit Frapi Piçinit, i akuzuar si spiun, iu bë një atentat partizan nga i cili shpëtoi. Ai nuk dilte më nga shtëpia që ruhej 24 orë dhe Piçini vendosi të shiste gjithçka dhe të ikte në Itali. Skenari që e fut në kurth brenda shtëpisë, është i thjeshtë për Sigurimin. Një prej anëtarëve të njësitit gueril, që e kishte mik, i shkoi në shtëpi, për t’i thënë që një daja i tij ishte i interesuar, t’i blinte pasurinë. Frapi bie dakord, dhe miku rikthehet me një atentator të maskuar si daja. “Në kohën kur do të uleshin në dhomën e pritjes, vritet me thikë ky spiun i urryer, pa u diktuar as nga pjesëtarët e familjes”.
Maskimi i një vëllavrasjeje
Not Qirici, kishte dalë në arrati që në kohën e Luftës. Ndihmat në ushqime i merrte në zonën e Dukatit, ndaj për kapjen e tij, Sigurimi nis goditjet në fshat. Mes të arrestuarve ishte edhe kushëriri i tij, S.G., i cili, në hetuesi, siç vëren Sigurimi; “u vrenjt se ishte më i dobëti dhe ju kërkua me këmbëngulje, të dorëzonte ose të vriste kriminelin Not Qirici. S. G. pranoi dhe u lirua, duke i dhënë afat 15 ditë. Të 14-ën ditë, në mbrëmje, i dërgoi letër SEMP-it të Vlorës, (Seksioni i Mbrojtjes së Popullit, pararendësi i Sigurimit të Shtetit), që të rrethohej vendi.
Mbasi vjen në afërsi të pritave, Noti vritet nga vetë S.”, shkruan Sigurimi. Ndonëse vëllavrasja ishte sheshit dhe mbizotëronte në vend, Sigurimi ironikisht shkruan, se; “për të mos shkaktuar vëllavrasje dhe hasmëri ndërmjet fiseve të Dukatit, sipas marrëveshjes së bërë që më përpara, të gjitha pritat do të shpërthenin në zjarr dhe në këtë mënyrë, u maskua vrasja e Notit nga kushëriri i tij, S.G.”!
Arrestim me prova të rreme
A mund të blihej miqësia me Sigurimin e Shtetit me vezë dhe pula fshati?! Historiku i tij, shkruar prej punonjësve të tij, na sugjeron që po, mund të ndodhte. Rexhep Osmani, ishte arrestuar me të dhëna të rreme, që Sigurimit i ishin dërguar nga Agja Lami, bashkëpunëtor i tyre. Osmani i akuzoi për shpifje, duke bërë ankesë.
“Vetëm kur e pranoi Agja Lami, me gojën e vetë këtë vjedhje, u besua se ankesa e tyre ishte e drejtë. Mbasi u vërtetua plotësisht se arrestimi i Rexhep Osmanit me shokë, ishte bërë në bazë të provave të rreme që kishte trilluar Agja Lami me grupin e tij, ata u liruan si të pafajshëm dhe vendin e tyre në burg e zuri grupi i Agja Lamit”, shkruhet në historikun e Vlorës, duke vërejtur se Lami, u dënua me vdekje pushkatim. Në analizën që vetë Sigurimi bën, vëren se; “ky ka qenë i vetmi rast skandaloz, për organet e Sigurimit të Shtetit”.
Sipas tij, shkaqet që e kanë çuar punëtorin operativ Agja Lami në rrugë armiqësore, ishin mungesa e kontrollit ndaj tij, familjariteti i sëmurë mes tij dhe eprorëve; “se ka pasur raste, që u sillte vezë e pula nga fshati”, etj.
“Në periudhën 1950-1955, organet e Sigurimit në Vlorë, pohojnë se; “arritën të zbulonin, godisnin, demaskonin 34 emigrantë jugosllavë, për veprimtari spiunazhi, arratisjeje, agjitacion e propagandë, ndërmjet tyre dhe kuadro të UDB-së, si Franc Jozhe, Bllako Stankoviç e Mujo Drosheviç, të cilët u dënuan me pushkatim”.
Në qarkun Vlorë, në fillim të shkurtit 1947 ishin:
300 dosje të të burgosurve
296 dosje të të arratisurve
2170 dosje të elementeve të dyshimtë
96 dosje të të ekzekutuarve
20 dosje të të internuarve
70 dosje të të huajve të dyshimtë
Gjithsej, kartoteka e SEMP-it Vlorë, kishte krijuar një evidencë të rregullt prej 2952 dosjesh. Nga 2952 dosje, 96 dosje janë të të ekzekutuarve.
SHKODRA
Deputeti vritet me antitank, trupi “groposet”!
Në imazhin më të njohur të kolonelit Haxhi Hajdari, kraharori mbulohet nga gradat, ndërsa shikimi duket se parasheh një fat tragjik. Ish-komandant i të parës çetë partizane të Qarkut të Shkodrës, deputet i Malësisë në Kuvendin Popullor dhe komandant i Kufirit i Forcave Vullnetare të rrethit, krisjen e parë me regjimin e kishte shënuar më 1945, me kundërshtimin e terrorit deri ndaj familjeve që i kishin strehuar gjatë Luftës.
Ai e finalizon krisjen, kur kundërshton kolektivizimin e zonave të thella malore, duke propozuar që ai të ishte në baza vullnetare, në një plenum partie në teatrin “Migjeni”, ku merrte pjesë edhe Mehmet Shehu. Pas kësaj, thirret në takim në Tiranë nga Enver Hoxha. Pas takimit, një mik i thotë se është mirë të largohet me urgjencë nga Tirana. Tre muaj më pas, më 15 mars 1963, në shtëpi në mesnatë i shkon një mik që e këshillon të arratiset, në të kundërt e priste burgu. Zyrtarisht akuzohej si agjent jugosllav.
Më 7 prill 1963, përmes bashkëpunëtorëve të vënë në presion, Sigurimi mëson se ai fshihej në Rrjoll. Po atë natë Sigurimi nis vëzhgimin pranë shpellës mes Rrjollit e Repishtit. Në të gdhirë të datës 8 prill, ora 05:30, forcat e Sigurimit mundën të shquanin Hajdarin dhe mikun e tij, Nosh Kola. Duke qenë se ata refuzuan të dorëzoheshin, nisën të shtënat. Vetë Sigurimi e rrëfen ngjarjen në këtë mënyrë: “Drejt shpellës u panë të flakëriten disa granata dore, të cilat shpërthyen brenda në shpellë, dhe pa kaluar akoma ushtima e zhurmës shkaktuar nga plasja e granatave, shpella u qëllua me 4 predha antitank 82m/m, plasja e të cilave shënoi fundin e këtyre tradhtarëve.
Nga verifikimet e mëvonshme, Haxhi Hajdari u gjet me kokë të prerë, ndërsa Nosh Kola as që njihej fare për qenie njerëzore”. Sigurimi përdor termin “groposje” dhe jo varrim për trupat e pajetë, kur shënon “Trupat e tyre u nxorën nga shpella e u groposën në periferi të Shkodrës”!
Rënia e kryengritësit Preng Cali
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nisën edhe operacionet e “spastrimit”, ku do të eliminoheshin kundërshtarët e malësisë, si Preng Cali, për ta “krye tradhtari”, përndryshe, ai ishte edhe një nga kryengritësit e lëvizjeve të viteve para shpalljes së Pavarësisë, luftëtar kundër serbëve që kërkonin të zgjeronin kufijtë, kundërshtar me armë i kufirit të 1913-s dhe më 1944, qartësisht antikomunist.
Historiku i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, dokumenton në mënyrë telegrafike, që urdhri ishte dhënë nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. “Sulmi do të jepej në tri drejtime, në krahë dhe në shpinë të forcave tradhtare. Ishin ditët e para të muajit shkurt, temperatura arrinte deri minus 10 gradë. Tre kolona partizane u nisën nga Shkodra, duke u vendosur në Shkrel, Dedaj dhe Tuz, fshat shqiptar në kufijtë e shtetit jugosllav.
Gjatë natës së 6 dhe 7 shkurtit, filloi operacioni për asgjësimin e mbeturinave të reaksionit. Kryetradhtari Preng Cali, së bashku me 14 tradhtarë, u kap i gjallë në shpellën e Vuklit. Gjatë operacionit të Kelmendit, u vranë 44 armiq, ndërsa 18 të tjerë që ishin krerë të reaksionit, u kapën të gjallë, iu dhanë gjyqit ushtarak dhe u pushkatuan”.
Arsimtari socialdemokrat
Ndërsa priste pushkatimin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, Mark Shllaku i kishte thënë të shoqes që do të mbante me vete një teneqe, që ajo të mund t’i gjente trupin për ta varrosur. Ai e mbajti fjalën, por trupi i tij nuk u gjet kurrë, edhe pse e shoqja e kërkoi derisa mbylli sytë. Por Historiku i Sigurimit Shkodër, nuk rrëfen anën tjetër të ngjarjes. Sipas tij, në maj 1948, “qytetari nga Shkodra, Mark Shllaku merr një letër nga vëllai i tij, Hilë Shllaku, arratisur brenda vendit së bashku me Ndoc Mirakaj, djali i Kol Bibë Mirakës.
Nëpërmjet asaj letre, ai udhëzohej të vazhdonte të qëndronte në qytet dhe të mos ndërpriste punën armiqësore kundër pushtetit popullor. Përveç të tjerash, ai duhej të grumbullonte rreth vetes sa më shumë elementë të pakënaqur dhe t’i organizonin në një grup, që do të merrte emrin ‘Partia Social-Demokrate”. Mark Shllaku la gruan, Angjen dhe vajzën, Julin 8 vjeçe, me amanetin që të mos e harronin. Pavarësisht përpjekjeve, eshtrat e Markut të pushkatuar më 1948, nuk arriti t’i gjente as e bija, që me pengun e të atit, mbylli sytë pak ditë më parë, në moshën 80-vjeçare.
Për Postribën /Jup Kazazi
“Reaksioni në krahinën e Shkodrës, e shtriu veprimtarinë në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Pa rezerva në këtë drejtim punoj dhe Kleri Katolik reaksionar, me nxitjen dhe përkrahjen e anglo-amerikanëve dhe të Vatikanit. Qëllimi i tyre, ishte që me forcat të armatosura, të sulmohej dhe të pushtonin Shkodrën, për të krijuar shkak për ndërhyrjen legale të anglo-amerikanëve, në vendin tonë”.
Feja si “mjet dehës”!
Veprimtari armiqësore përmes spiunazhit, tendencë për arratisje, tendencë për organizim, tendencë për terror, agjitacion e propagandë. Me këto akuza, organet e Sigurimit të Shtetit i kundërvihen Klerit në Shkodër, përmes një serie masash agjenturalo-operative, që çuan në goditjen e tyre. Sipas fjalëve të Sigurimit, “pas viteve 1967, si rezultat i masave revolucionare të marra nga Partia në luftën kundër fesë, që kishte shërbye si mjet dehës për vite me radhë, dhe zakoneve prapanike, qendrat fetare përgjithësisht u prishën… ndërsa priftërinjtë dhe hoxhallarët, u sistemuan në punë të ndryshme”.
“Sistemimi”, shpesh ishte qelia, “si kundërpërgjigje e veprimtarisë therëse e shumëformëshe armiqësore të Klerit Katolik reaksionar, në vitin 1967, organet e Sigurimit të Shtetit në rreth, arrestuan 11 priftërinj, 3 nga të cilët u pushkatuan dhe 7 të tjerë u demaskuan publikisht, para popullit”. Sigurimi më tej shton se në ndjekje ishin edhe monsinjor Ernest Çoba (kryetar i Kishës Katolike) Zef Kolë Hardhia e Kolec Gaspër Toni, Dom Mark Hasi, Pjetër Geg Luma e Patër Alek Baqli, Dom Ndrekë Kakarriqi, Dom Martin Trushi, Dom Nikollë Bushati, pranon se u bënë “kombinacione” dhe “për rrjedhim, shumica për të mos thënë të gjithë ju dhanë gjyqit të popullit”.
“Kjo luftë”, pranon Sigurimi, “vazhdoi duke u nisur gjithmonë nga konkluzionet e drejta të Partisë sonë që, edhe pse priftërinjtë e hoxhallarët u hoqën nga funksionet, edhe pse një pjesë e tyre u pushkatuan e burgosën, prapë se prapë, feja i ka rrënjët e thella”.
Gramshi
“Nga deponimet e këtyre tradhtarëve, doli se dështimi i rrethimit të bandës (së Hamit Matjanit) ishte se në shtator 1947 në Vine, ishte njoftuar bashkëpunëtori i tyre S.H., i cili ishte një polic popullorë në këtë N/Seksion dhe në bazë të deponimeve polici, u arrestua dhe në përfundim të hetuesisë, të gjithë të pandehurit morën dënimin e merituar. Kryebanditi Riza Kishta, vdiq në burg gjatë zhvillimit të hetuesisë”.
“Në vitin 1944 -1948, në rrethin e Gramshit u kapën dhe u asgjësuan 48 kriminelë lufte, të cilët vepronin si bandë brenda rrethit dhe ishin gjithësej 6, ku: ishte ajo e Abaz Ermenjit me 9 pjesëtarë, banda e Abaz Potomit nga rrethi i Skraparit, me tre pjesëtarë. Në 1946, në këtë bandë u zhvilluan luftime dhe në përfundim, një pjesëtar i saj u vra, kurse dy të tjerë u bashkuan me bandën e Abaz Ermenjit dhe u arratisën jashtë shtetit”.
Besniku i Zogut e deputeti i Enver Hoxhës, vdes në hetuesi; “Kryebanditi Riza Kishta, vdiq në burg gjatë zhvillimit të hetuesisë”.
Me këtë fjali, Sigurimi i Shteti e shuan emrin e Riza Kishtës, pinjoll i një prej familjeve më të pasura të Gramshit. I shkolluar në “Normalen” e Elbasanit dhe më pas në Akademitë Ushtarake të Stambollit dhe të Firences në Itali, ku u diplomua në degët e Artilerisë e Kavalerisë, ai shërbeu dy vjet në Gardën Kombëtare, si oficer besnik i kryeministrit Ahmet Zogu. Gjatë kohës që ishte deputet në zonën e Gramshit deri në vitin 1936, e cilësonin si “jorgani Vërçës”, për kujdesin që kishte për fshatarët e varfër të asaj krahine.
Pas kthimit nga internimi në Itali, ai është aktiv në jetën publike. Përndjekja nis për shkak të miqësisë me deputetët e tjerë të arrestuar, ndaj Riza Kishta me dy djemtë e tij, Qemalin e Qazimin, del në mal. Pas 17 muajsh arrati, vendos të dorëzohet. Nipi i tij, Hilmi Kishta, ka rrëfyer se; “ata i mbyllën në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Gramshit dhe pasi i mbajtën disa kohë aty, i transferuan të gjithë, në Degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit, ku Riza Kishta vdiq në tortura, pa dalë fare në gjyq”.
Në janar të vitit 1944, sipas dëshmisë së nipit, Rizai e kishte shpëtuar Enver Hoxhën kur u strehua në fshatin Kishtë. “Pasi Enveri me shtabin qëndruan të qetë në shtëpinë e Lim Musait, ku i kishte caktuar Rizai, ata i kërkuan t‘i ndihmonte të largoheshin që andej. Pas kësaj, Rizai dërgoi njerëzit e tij, të cilët e shoqëruan Enverin deri në Grabovë”!
Hetuesi, deri në frymën e fundit!
Në fushatën që sistemi komunist ndërmori për mbledhjen e armëve, jo të gjithë pranuan t’i dorëzonin. Sistemi bëri një “krehje” të atyre që duhej të mbanin armë, për interesat e organeve dhe të atyre që nuk i kishin dorëzuar. Me bashkëpunëtorët e kudogjendur, mësuan se familja e D. e Xh. S. në Shëmërdhenj, jo vetëm që mbante armë dhe municione të një sasie të konsiderueshme, por ishin edhe kundërshtarë të regjimit, “me përbërje armiqësore, e deklasuar kundër lëvizjes Nacional-Çlirimtare, ish-çerdhe e Ballit Kombëtar, të krerëve si Abaz Ermenji, etj”.
Në shtëpinë e tyre bëhet kontroll, ku gjenden pushkë, automatik, municione, etj. Për sistemin njëpartiak, që nuk lejonte ekzistencën e kundërshtarëve politikë, armët e rënda (mitraloza) ishin në ruajtje të “bandës” së arratisur të Abaz Ermenjit, të cilët i kishin lënë kur u larguan jashtë shtetit. Si rezultat, “u arrestuan D. dhe Xh. dhe u dënuan, jo vetëm për mbajtje armësh, por edhe si strehues të të arratisurve e kriminelëve të luftës. Xh., vdiq gjatë zhvillimit të hetuesisë”.
Breshëri ndaj Halil Hoxhës
Pas arratisjes, Halil Hoxha u rikthye në Shqipëri në vitin 1950, bashkë Alush Lleshanakun, ku morën kontakt me të njohur të vjetër, në përpjekje për të ndryshuar situatën në vend. Hoxha qarkullonte në fshatrat e zonës së Sulovës në Gramsh, derisa në muajin qershor, “Rrypa e gjelit”, i anës së policisë, që ishte në takim me pyllin e “Trashovicës”, takojnë me të edhe bashkëfshatarin D. T.
Pasi “Rrypa e gjelit” dhe D. T., ndahen nga Hoxha, dhe ndërsa bashkëpunëtori shkon të njoftojë degën, D. T., ruan nga një breg lëvizjet e Hoxhës. Organet e Sigurimit, në bashkëpunim me forcat e policisë, bënë rrethimin e tij me ndihmën e atyre që e tradhtuan “që përcaktuan pyllin dhe vendin e takimit”. “Në mbrëmje, një orë përpara se të errej, ju bë thirrje diversantit Halil Hoxha, të dorëzohej, duke i thënë je i rrethuar nga forcat e Sigurimit dhe nuk ke asnjë mundësi shpëtimi…! Në kohën që ai do të çante rrethimin, nga forcat tona me një breshëri, mbeti i vrarë”.
Babë e bir vriten në kufi
“Zotit Abas Ermenji, Nju Jork. Personat që po të dërgoj janë besnik, i merrni në mbrojtje, qëndrimi i tyre në Shqipëri është bërë i pamundur nga të kuqtë. Të fala, N. Z.”. Me këtë letër në dorë, I. P. me dy djemtë e tij, niset të arratiset me ndihmën e Sh. M., A. R. dhe N. Z.. N. Z. i jep Islam Pasollasit, një pushkë gjermane me 100 fishekë dhe e çon deri në zonë. “Banditët e sipërm shoqërohen nga shefi Matos deri në Mokër, në afërsi të kufirit Qafë-Thanë dhe aty ndahen, ku shefi kthehet për në fshatin e tij Rashtan. Banditët tentuan të kalonin kufirin, por bie në përpjekje me forcat kufitare ku vritet I., me njërin nga djemtë’, ndërsa djali tjetër, kapet i gjallë (i plagosur)”.
“Grisi barkun me thikë”
Organet e Sigurimit, gjatë ndjekjes për asgjësimin e diversantëve, një vëmendje të madhe u dhanë atyre që i strehonin. Në këtë kuadër, “me aprovimin e organeve kompetente, u krye arrestimi i 4 personave si B. e Q. M., vëllezër nga fshati Duzha, të cilët e strehonin diversantin në pus rreth 2 metra thellë, të mbushur me kashtë”. Për një tjetër qytetar, strehues, shkruhet vetëm se; “Nazif Kaçaniku; para se të shkonin forcat, ai gris barkun me thikë dhe nuk arriti të shpëtonte dhe vdiq.” Historiku Sigurimit vëren se të arrestuarit deponuan aktivitetet e tyre armiqësore, “njëkohësisht implikuan edhe shumë persona të tjerë, të cilët ishin vënë në shërbime e ishin bërë strehues të banditit”. Nëse në raste të tjera, janë përmendur vdekje në hetuesi, edhe implikimet e tanishme, mund të kuptohet se lidhen me metodat e hetuesisë.
“Në janar 1945 rrethohet dhe kapet i gjallë në fshatin Grabovë banditi M. D. nga rrethi i Korçës, i cili pushkatohet. Po në vitin 1945, rrethohet dhe kapet i gjallë në Kamiçan të Elbasanit, J. S. dhe M. B., nga Zavalina i Elbasanit, ku pushkatohet J. S.”!/Memorie.al