Përplasje fizike mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe nostalgjikëve të diktatorit Enver Hoxha gjatë homazheve për Ditën e Dëshmorëve pranë monumentit "Nënë Shqipëri". 

Incidenti ndodhi në momentin kur komunistët po largoheshin nga homazhet, ndërsa në rrugë janë ndeshur me simpatizantët e PD, mes tyre anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Këta të fundit i kanë shtyrë dhe goditur komunistët, duke iu marrë nga duart edhe pankartat e simbolet e tjera të regjimit të kaluar. 

Në këtë moment nisën edhe përleshjet fizike mes mbështetësve të PD dhe nostalgjikëve. Bie në sy ish-deputeti demokrat Ndriçim Babasi i cili godet një prej nostalgjikëve të Enverit i cili pas disa sekondash u pa i gjakosur në kokë. Pikërisht ky i fundit u shoqërua nga policia për sqarime lidhur me konfliktin fizik gjatë mbarëvajtjes së ceremonisë përkujtimore..


(Me rreth të kuq ish-deputeti i PD, Ndriçim Babasi godet nostalgjikun e Enverit) 



(Një nga nostalgjikët duke u shoqëruar nga policia pas përlasjes me simpatizantët e PD)


Veteranët mbanin në duar fotot e Enver Hoxhës si dhe me thirrje e brohoritma për regjimin komunist si "Rroftë Enver Hoxha" apo dhe "Poshtë fashizmi", çka ka shkaktuar irritimin e simpatizantëve të PD. Është dashur ndërhyrja e policisë për të rikthyer normalitetin dhe parandaluar përshkallëzimin e situatës. 

Më herët ishin krerët më të lartë të shtetit, presidenti Meta, kryeparlamentari Ruçi, kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj e deri tek ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe ajo gjermane, Susanne Schutz, të pranishëm për vendosjen e kurorave në nder të dëshmorëve të atdheut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Përleshja e PD me nostalgjikët e Enverit, Basha: Ndalim me ligj portreteve të gjakatarit Enver Hoxha

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka komentuar incidentin mes simpatizantëve të PD dhe nostalgjikëve të Enverit. Basha mbërriti për homazhe te monumenti "Nënë Shqipëri" disa minuta pasi simpatizantët e PD u përleshën fizikisht me komunistët, nostalgjikë të ish-diktatorit Enver Hoxha. 

I pyetur nga gazetarët pasi bëri nderimet përkatëse, kreu i PD-së Lulzim Basha u tregua i prerë, duke thënë se Partia Demokratike ishte e angazhuar për të çuar në Kuvend një pr/ligj për ndalimin dhe dënimin e ekspozimit në çdo formë të simboleve të regjimit komunist.
 

Partia Demokratike është e angazhuar të çojë në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë, nderimin e plotë për heronjtë që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike por nga ana tjetër për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë.

Dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha.

Lulzim Basha, kryetar i PD